Në lidhje me praninë e kryepeshkopit serb Irenej, në shënjtërimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Sipas Ahmetit kjo vizitë nuk ka të bëjë me lirinë e besimit, por është një nënshtrim dhe mosrespektim i vetëvetes. “Kjo vizitë nuk ka të bëjë as me liri të besimit, as me dialog ndërfetar e as me ndonjë liberalizëm tjetër. Unë e di që shumica e popullit shqiptar kudo që janë nuk pajtohen me këtë vizitë.
Kjo nuk është as ndonjë lidership i guximshëm. Kjo është nënshtrim dhe mosrespektim i vetvetes. Kur nuk e respektojmë vetveten nuk do të na respekton askush. A thua çka do të thoshin rilindasit sot? Çka do të thoshte Noli? Vite të tëra sakrificë humben me një vendim koti. Kemi nevojë që populli shqiptar, po e them populli, përfundimisht të tregoj një vetëbesim e vetërespekt. Nuk jam për idealizim të kombit tonë si më i miri, por asnjëherë nuk do të pranoj të poshtërohemi e të pranojmë se nuk meritojmë një jetë dinjitoze sikur krejt kombet e tjera. Asnjëherë nuk do të pranoj që kjo të shfrytëzohet si përçarje e kombit ku thuhet ‘ata nga ajo anë nuk po na duan nga kjo anë’. Kjo është thjeshtë lidership i dobët, udhëheqësi e kompleksuar, dhe politikë amatore”, shkruan Ahmeti.