Ai qe vrau Bin Laden pa pension dhe siguracion shendetesor

Ai që vrau Bin Laden, pa pension dhe siguracion shëndetësor
Mirë nderime jo, por as pension apo siguracion shëndetësor për njeriun që vrau Osama bin Laden, armikun numër një të Shteteve të Bashkuara. Navy Seal i Team Six, i cili natën e 1 majit 2011 qëlloi tri herë në kokë liderin e al Qaida, në vijim të raketave në Pakistan, ka lënë shtatorin që kaloi, pas 16 vjetësh, forcat e armatosura, tre vjet para minimumit të parashikuar dhe i është rikthyer jetës civile, duke humbur çdo përfitim. E ka rrëfyer vetë këtë në një intervistë të gjatë për të përmuajshmen Esquire, në të cilën për të mbrojtur identitetin e tij quhet ‘the Shooter' - qëlluesi.

''Kujtoj se, ndërsa po e shihja Bin Laden të nxirrte frymën e fundit, mendova: kjo është gjëja më e mirë apo më e keqe që kam bërë ndonjëherë?''', i ka rrëfyer ‘the Shooter' gazetarit Phil Bronstein i Qendrës së Reporterëve Investigativë.

''Siguracioni shëndetësor për mua dhe për familjen time ndali mesnatën e së premtes'', ka rrëfyer për Bronstein jo shumë kohë pas të njëjtës së premte, duke shtuar se, kërkoi nëse kishte ndonjë formë tranzicioni apo një formë të re sistemi sigurimi, por përgjigja ishte: ''Jo. E ke lënë shërbimin. Mbulimi yt nga shteti mbaroi. Falemnderit për 16 vitet e tua. Shko të bësh...''.

Gjashtëmbëdhjetë vjet në të cilat ai ka vrarë dhjetëra ''armiq në luftime'' në misione të panumërta; nga të cilat ajo më e egra ishte sigurisht kundër liderit të al Qaida-s. E gjeti përballë, duke u futur në atë dhomë në katin e tretë të vilës në qytetin pakistanez Abbottabad. Dhe në rrëfim kujton se ''Bin Laden ishte në këmbë. I kishte duart mbi shpatullat e një gruaje dhe ishte duke e shtyrë përpara. Jo saktësisht drejt meje...E pashë...kishte një pushkë mbi një raft afër tij, AK, për të cilën ishte i famshëm. Dhe lëvizi përpara. Nuk e dija nëse gruaja kishte një rrip me eksploziv...ai kishte një pistoletë. Kjo ishte një kërcënim...e qëllova, dy herë, në ballë. Bum, Bum. Herën e dytë ndërsa po binte. U rrëzua mbi dysheme, përpara krevatit të tij dhe e qëllova përsëri. Bum, në të njëjtin vend''.

Në artikullin për Esquire, Bronstein rendit një seri shpërblimesh që munguan, duke nisur nga 25 milionë dollarët, që vareshin mbi kokën e Bin Ladenit dhe që nuk u shkuan kurrë burrave të grupit Team Six (Ekipi i Gjashtë). Sikur të ishte një libër apo një film ajo natë, e jo një operacion, ngjarje. Por edhe humbje të pensionit dhe siguracionit shëndetësor, përveç artritit, dëmeve në shikim dhe të tjera të këqija shkaktuar nga jeta në ushtri. Apo mungesa e një martese të lumtur, pasi ai u nda nga bashkëshortja, e lodhur duke e parë të ikë për një punë, që e mbante deri në 300 ditë larg shtëpisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama