Studimi
Janë gjithmonë e më të shumta studimet që vënë në dukje lidhjen mes ekspozimit ndaj smogut dhe komplikacioneve në shtatzëni, si lindja e parakohshme dhe fëmijët nënpeshë. Për ta sqaruar më mirë këtë lidhje, kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë menduan të zhvillonin një studim të gjerë epidemiologjik në kontenë e Los Anxhelosit, një nga metropolet më të ndotura të SHBA. Për ta bërë këtë, mblodhën të dhënat relative të 100 mijë të sapolindurve mes vitit 2004 dhe 2006, përreth një rrezeje prej 8 kilometrash nga stacioni i monitorimit të cilësisë së ajrit të metropolit amerikan. Në fund, ata i kryqëzuan këto informacione me të dhënat mbi përmbajtjen e smogut në ajër.
Shifrat
Nga analiza statistikore doli se ekspozimi ndaj ndotjes atmosferike mund të përfaqësojë një faktor rreziku që shkurton javët e një shtatzënie normale. Mes ndotjeve më të rrezikshme janë hidrokarburet policiklikearomatike, të prodhuara nga djegia e derivateve të naftës. Pikërisht kjo mund të lidhet me një rrije prej 30 përqindësh të lindjeve të parakohshme te nënat shtatzënë. Substanca të tjera toksike dhe pluhurat nga shkarkimet e mbetjeve lidhen me rritje të rrezikut prej 10 përqindësh, ndërsa grimcat e nitratit të amonit, për shkak të reaksioneve kimike që ndodhin në atmosferë e rrisin edhe me 21 për qind. Përqendrimet e këtyre substancave janë më të mëdha në periudhën e dimrit dhe më të vogla në zonat afër detit, duke treguar edhe një herë se pozicioni gjeografik dhe kushtet meteorologjike lokale luajnë rol thelbësor në përhapjen e ndotjes.
Dyshimet
“Studimi kalifornian jep të dhëna të rëndësishme. Sepse u bë mbi një kampion shumë të gjerë, por është e nevojshme të jemi të kujdesshëm në nxjerrjen e përfundimeve”, komenton Manuela Wally Ossola, përgjegjëse e repartit të patologjisë për shtatzënitë në klinikën Mangiagalli të Milanos. “Mund të hipotetizohet se smogu favorizon stresin dhe prodhimin e molekulave proinflamatore në nivelin e mitrës së nënës dhe placentës, pikërisht ashtu siç ndodh në aparatin respirator, por duhen të tjera studime për të verifikuar nëse ka variacione biokimike dhe metabolike në mitrën e nënës dhe placentën e fëmijës”. Të njëjtët kërkues të drejtuar nga epidemiologia Beate Ritz kanë nënvizuar se studimi i tyre ka limite të ndryshme. Para së gjithash, gratë shtatzëna të marra në studim ishin për më tepër gra emigrante, por më shumë me origjinë hispanike, që jetojnë në kushte ekonomike jo shumë të mira dhe kanë vështirësi për aksesin ndaj kurave dhe sistemit shëndetësor. Ndërkaq studimi nuk ka marrë në konsideratë informacione shumë të rëndësishme mbi faktorë të tjerë rreziku që mund të kenë kontribuuar në lindjet e parakohshme, si për shembull vesi i të pirit duhan nga nënat shtatzënë. “Në këtë mënyrë, kërkimi jep vetëm një lidhje statistikore mes smogut dhe lidhjeve të parakohshme, por nëse duam vërtet të vlerësojmë efektet e ndotjes mbi shtatzëninë, duhen të dhëna më të sakta, sepse lindja e parakohshme është një patologji komplekse e që varet nga shumë faktorë”.
Të tjerë faktorë
Nëse mesatarja amerikane e lindjeve të parakohshme është në fakt 7,7 për qind, mund të themi se gratë me ngjyrë mbajnë numrin më të lartë të këtyre lindjeve. Megjithatë studime të shumta konfirmojnë edhe rëndësinë e një jete të shëndetshme të fetusit. Ekspozimi i nënës së ardhshme ndaj agjentëve të jashtëm përmes stilit të jetës të bërë në shtatzëni, mund të influencojë në zhvillimin e jetës së re që pritet të lindë. Për shembull një ushqyerje e gabuar ose e pamjaftueshme, ndikon shumë në lindjen e fëmijëve para kohe, sipas rezultatit të një studimi të publikuar nga Universiteti i Torontos dhe i publikuar në “Science”. Edhe analizat radiologjike gjatë shtatzënisë duhen shmangur patjetër, sidomos mes javës së 10 dhe 17. Sipas disa studimeve të tjera rrezet X janë të rrezikshme edhe për fëmijët, për të cilët do të rritej mundësia për vonesa mendore, nëse analiza radiologjike do praktikohet në kokë ose në qafë. Për shumë profesorë, shkaku kryesor për lindjet e parakohshme mbetet stresi.