Sipas dokumentare themeluese, qëllimet e kësaj Akademie janë që të promovojë krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në Diasporë; që të shërbejë si një forcë pozitive për gjallërimin e jetës kulturore dhe shkencore në Shqipëri; që të ndihmojë në krijimin e një sfere publike në Shqipëri, në të cilën shoqëria civile të konsolidohet si një institucion demokratik; që të shërbejë si një forum intelektual serioz, duke bashkuar preokupimet për dijen teorike dhe rekomandimet praktike në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta e të rëndësishme, me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare; që të shërbejë si një katalizator për ngritjen e vazhdueshme të standarteve akademike dhe artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale në Shqipëri, si edhe që të popullarizojë edhe më mirë në tregun global të vlerave dhe ideve arritjet më të mira të artit, të letërsisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave u njoh zyrtarisht nga Gjykata e Qarkut të Tiranës më 31 janar 2012. Shkrimtari Ismail Kadare u zgjodh për jetë Kryetar Nderi i kësaj akademie, ndërsa jurisi Ksenofon Krisafi u zgjodh Presidenti i parë i saj.
Revista Java i kërkoi tre prej drejtuesve kryesorë të akademisë, Presidentit të saj Pëllubm Xhufi, Fatos Tarifës, sekretarit të saj shkencor dhe fizikantit Përparim Fuga, që të hedhin në letër disa mendime rreth misionit, punës dhe funksionimit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Pëllumb Xhufi: Akademia, një nevojë për mendim shkencor e civil
Gjatë vitit 2012, vitit të juibileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, Akademia jonë e Arteve dhe e Shkencave ka shfaqur një prani e shikueshmëri të lartë në debatet e provokuara, më së shumti nga politika, mbi çështje kardinale të historisë, gjuhës e kulturës së kombit shqiptar, e posaçërisht mbi problemet e krijimit e konsolidimit të shtetit shqiptar. Kjo përfshirje e saj, përveç sjelljes së një mendimi shkencor e profesional të shkallës së lartë, pati rëndësi edhe për arsyen se ndihmoi të thyejë një kulturë të nënshtrimit e të konformimit ndaj vullnetit politik, që tashmë ka kapluar mendimin shkencor në institucionet shkencore e akademike të vendit tonë që kanë për objekt studimi shkencat albanologjike.
Në këtë kuptim, mund të thuhet se qëndrimet thjesht e rreptësisht shkencore të shprehura në mënyrë institucionale nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave, në konferenca e forume të tjera shkencore, apo nga antarë të veçantë të saj, kanë qenë zëri i vetëm, që me akribi shkencore e kurajo civile i është kundërvënë tentativave të shumta të politikës, të konsumuara përgjatë gjithë harkut kohor që shënoi 100-vjetorin e Pavarësisë, për të interpretuar apo për të deformuar në mënyrë arbitrare përmbajtjen e ngjarjeve dhe të figurave të historisë sonë kombëtare. Në Konferencën shkencore, të organizuar me rastin e 100-vjetorit, në muajin tetor 2012, me një vështrim gjithpërfshirës, u trajtuan tema që kishin të bënin me faktorët përcaktues të lindjes e të konsolidimit të shtetit shqiptar, siç ishin kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, lëvizjet diplomatike në kontekstin ballkanik e evropian të patriotëve e etërve të shtetit shqiptar, ndërthurjet e interesave politike e strategjike të Fuqive të Mëdha dhe pasqyrimet e tyre, pozitive e negative, në procesin e lindjes e të afirmimit të shtetit shqiptar, faktorët ngjizës të unifikimit moral e kulturor të shqiptarëve, me vështrim të veçantë proceset e standartizimin të gjuhës shqipe dhe problematikat përkatëse, etj.
Një këndvështrim origjinal sollën në kontributet e tyre kolegë që e kishin vënë fokusin e analizës së tyre në marrëdhënien diakronike të shtetit shqiptar me vlerat e sovranitetit, integritetit apo të kohezionit kombëtar. Shumë nga kumtesat e paraqitura në këtë forum shkencor ishin rezultat i studimeve origjinale, të bazuara mbi fonde dokumentare të pashfrytëzuara dhe në një literaturë shkencore gjithpërfshirëse. Idetë dhe konkluzionet e shumë prej tyre, ndërkohë, kanë patur rastin të paraqiten e të kolaudohen edhe në botime apo veprimtari shkencore jashtë Shqipërisë. Problemet e lidhura me zhvillimin e shkencave albanologjike, në përgjithësi, kanë qenë objekt i seancave të posaçme debati të organizuara nga Akademia jonë.
Mes tyre, s’do mund të linim pa përmendur seancën mbi të ashtuquajturin rishikim të gjuhës standarte shqipe, ku gjuhëtarë të shquar, antarë ose jo të Akademisë së Arteve e të Shkencave, referuan mbi përmbajtjen e ndryshimeve që propozohen t’i bëhen standartit të sotshëm, duke evidentuar edhe rreziqet që mund të paraqesin për gjuhën tonë të përbashkët ekseset me sfond ideologjik, politik apo krahinor. Mund të thuhet me siguri, se përtej qasjeve shpesh herë të impostuara e të paragjykuara, që karakterizuan shpesh herë veprimtaritë me karakter historik e kulturor, veprimtaritë e organizuara nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave, ashtu si edhe angazhimi individual i antarëve të saj, treguan një qasje dhe një qëndrim krejt tjetër ndaj ngjarjes së madhe të 100-Vjetorit të Pavarësisë, të kuptuar në rastin tonë, si një objekt i hulumtimit shkencor.
Përparim Fuga: Na duhet ringjallja e Institucioneve shkencore
Shkencat teknike dhe ato natyrore në Shqipëri ndodhen aktualisht në një situatë disi të veçantë, që ndikohet sidomos nga kushtet “specifike” të një ekonomie tregu “specifike”. Eksperienca e këtyre 20 vjetëve të fundit tregon se në këto kushte, interesimi për fizikën, matematikën, kiminë, por edhe për fusha të tilla si inxhinieria mekanike, inxhinieria elektrike, gjeologjia, etj. ka pësuar rënie të ndieshme, ndërsa mbeten me më shumë interes fusha të tilla si arkitektura, inxhinieria e ndërtimit, inxhinieria elektronike, teknologjia e informacionit, etj.
Ka shumë tregues që e mbështesin këtë pohim. Fjala vjen, sot janë gjithnjë e më të paktë ata studentë të shkëlqyer që preferojnë të kryejnë studimet e tyre në këto fusha, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Gjithnjë e më pak punime shkencore dhe botime në këto fusha publikohen në revistat shkencore në numur mjaft të kufizuar brenda vendit. Edhe më pak akoma botohen studime të shkencëtarëve shqiptarë në këto fusha në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara. Nga ana tjetër, vetë baza laboratorike e kërkimit në këto fusha ka ardhur duke u varfëruar, si për mungesë të investimeve të reja, edhe për pamundësinë e mirëmbajtjes së aparaturave të kushtueshme.
Ndoshta një nga drejtimet që mbetet ende aktiv, me probelamtikë dhe angazhim serioz të kërkuesve në fushat e shkencave natyrore e teknike është ai i studimeve për mjedisin, për ujrat dhe cilësinë e tyre, për florën dhe faunën shqiptare, për cilësinë e ajrit, etj., ku, gjithësesi, ka dhe mbetet shumë për të bërë.
Një situatë e tillë krijon disa reziqe, mbi të gjitha rrezikun e thellimit të hendekut mes nivelit të njohurive që ekzistojnë në Shqipëri dhe atyre të arritura në vendet më të zhvilluara. Dhe nëse vazhdohet me këto ritme, një ditë, shqiptarët do e kenë të vështirë “kuptojnë” dhe, aq më pak, të “flasin” gjuhën e teknikave moderne në fushën e shkencave natyrore e teknike.
Pa dashur të analizojmë këtu hollësisht arsyet përse ndodhemi në këtë situatë, dëshiroj të theksoj se një nga faktorët kryesorë ka qënë “reformimi”, në vitin 2006, i institucioneve shkencore në fushë të shkencave natyrore e teknike, disa prej të cilave, pas “reformës”, thuajse kaluan në paralizë të plotë. Shembull tipik është rasti i Institutit të Fizikës Bërthamore, jo sepse pas kësaj “reforme” ai institut u shndrua thjesht në një Qendër kërkimore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, por sepse u “rrudh” në mënyrë të tillë që e humbi thuajse tërësisht fushën e veprimtarisë së tij kërkimore, humbi një pjesë të konsiderueshme të personelit kërkimor dhe la “pas dore” me miliona dollarë investime në pajisie nga më modernet, shumica e të cilave të fituara përmes projektesh bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare. Ndërkohë që shumë pak, për të thënë aspak u vu në shërbim të proceseve akademike të formimit të specialistëve të rinj në lëmin e fizikës, kimisë, elektronikës, etj.
Sot, statusi i këtij institucioni sapo është rivendosur duke u shndruar përsëri në institut kërkimor në varësi të Universitetit të Tiranës, por tetë vjetë nën “reformim” ishin të mjaftueshëm për ta vënë atë në gjendje “kome”, nga e cila duhet shumë mund e përpjekje për t’a nxjerrë.
Situata është thuajse njësoj edhe për institucionet e tjera të dikurshme që punonin në fushë të shkencave natyrore e teknike. Gjithësesi, nëse do dëshëronim të mendonim për një rivitalizim të jetës shkencore në fushën e shkencave natyrore e teknike, mendoj se në radhë të parë procesi duhet të nisë me rivendosjen e një aktiviteti të mirëfilltë teknik e shkencor të institucioneve që kanë qënë themeli bazë i kësaj veprimtarie, si Instituti i Fizikës Bërthamore, ai i Sizmikës, i Hidrometeorologjisë etj., e pastaj edhe në katedrat dhe laboratorët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të fakulteteteve të Universitetit Politeknik. Të tre institucionet që përmënda më lart, kanë qënë dhe duhet të jenë përgjegjës për shërbime të mirëfillta me karakter teknik e shkencor në shërbim të publikut dhe zhvillimit të vendit. E si të tilla, do të krijojnë shtratin në të cilin më tej mund të rigjenerohen edhe drejtime të tjera, të lidhura ose jo direkt me to.
Njëherazi, mendoj se është e domosdoshme që të përcaktohen disa fusha prioritare, të cilat kërkojnë studime me karakter “strategjik”; si të tilla do të përmendja studimet në fushë të energjetikës, studimet për shfrytëzimin racional të pasurive natyrore, studimet në fushën e ujrave detare dhe atyre të brendëshme, mbi florën, faunën dhe mjedisin, thellimi në teknikat e teknologjisë së informacionit, e më tej një varg masash me karakter organizativ e strukturimi.
Pikërisht në këto drejtime zhvillimi të karakterit të mirëfilltë strategjik duhet të thonë fjalën e tyre studiuesit, pedagogët, e në veçanti akademikët, mes tyre edhe ata të përfshirë në gjirin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Fatos Tarifa: Shkencat sociale dhe humane, epiqendër e punës tonë
Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është veçanërisht e preokupuar për gjendjen dhe nevojat e kërkimeve në fushën e shkencave sociale dhe të disiplinave humane. Pa mohuar aspak arritjet më të mira të derisotme në këto fusha, duhet thënë se e kaluara ka lënë gjurmë të thella negative në to, siç janë monizmi ideologjik në formën e një marksizmi të kalcifikuar, mungesa thuajse e plote e lirisë krijuese dhe e lirise se shprehjes (diktati politiko-akademik), mungesa thuajse e plote e njohurive në metodologjitë e studimeve sociale, izolimi thuajse total nga bota akademike dhe arritjet e saj në këto fusha etj.
Ndryshimet e bëra në këto fusha të krijimtarisë shkencore, sidomos në shkencat sociale, gjatë këtyre 20 e ca viteve të fundit, janë esencialisht të pakta dhe të pandjeshme. Një varg disiplinash sociale mesohen në universitet, por cilësia e tyre mbetet shumë e dobët. Pedagogët dhe kërkuesit e rinj, edhe ata më premtuesit, gjejnë pak hapësirë të zhvillohen në mjedisin akademik ekzistues. Kurrikulat akademike janë arkaike dhe sempliste (shpesh herë pasqyrë e nivelit të pedagogëve). Në shkollat tona të larta nuk mësohet thuajse fare teori sociale (mësohen kryesisht njohuri shumë të përgjithshme dhe sipërfaqesore mbi disa autorë klasikë dhe mbi teoritë e tyre, por pak mbi shkollat moderne të mendimit shoqeror dhe mbi autorët më të njohur bashkëkohorë).
Nuk njihen, nuk mësohen dhe, rrjedhimisht, nuk përdoren (sa dhe si duhet) metodat sasiore dhe cilësore bashkekohore të kërkimit. Per të gjitha këto arsye, ka fare pak studime të mirëfillta shkencore që u afrohen standardeve të shkencës sociale në Perëndim; “studimet” më të shumta konsistojnë kryesisht në raporte narrative përshkruese, në shumicën e rasteve të hartuara mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë dilentateske dhe të përpunuara thjesht në formë tabulare. Niveli i studimeve doktorale në këto fusha është i ulët dhe disertacionet doktorale janë shumë poshtë standardeve të universiteteve perendimore. Revistat “shkencore” në këto disiplina janë, gjithashtu, të një niveli mjaft të ulët dhe, me ndonjë përjashtim të rrallë, studiuesit shqiptarë në shkencat sociale dhe në disiplinat humane thuajse nuk i botojnë dot studimet e tyre në revista akademike të indeksuara në Perëndim. Varësia nga Ministria e Arsimit është atrofizuese për shkencat sociale, ndërsa mungesa e burimeve financiare për të stimuluar arsimin universitar dhe, sidomos, kërkimin në këto shkenca një pengesë endemike.
Por, a ka dritë në fund të tunelit? A mund të jemi optimistë? Mendoj se po. Sot ekziston liri e plotë mendimi dhe liri e plotë krijuese në çdo fushë të shkencës sociale (ka pra pluralizëm ideologjik dhe sociologjik). Majft studiues në shkencat sociale janë arsimuar në universitete perëndimore dhe kanë sjellë me vete knoë-hoë (në teori dhe metodë), si edhe atë ethos të shkencës për të cilin fliste Robert K. Merton. Shkencat sociale vazhdojnë të tërheqin studentë dhe vazhdojnë të jenë joshëse për shumë prej tyre. Mungesa e theksuar e traditës në këto fusha krijon jo vetëm vështiresi e pengesa, por edhe oportunitete për zhvillim cilësor e të shpejtë. Mjetet e reja të informimit mundësojnë njohjen me shkollat, autorët bashkëkohore dhe literaturën më të fundit në disiplina të ndryshme sociale e humane. Mundesitë për bashkëpunime akademike me studiues dhe institucione të huaja janë shtuar. Sot është e mundur (dhe shumë e dobishme) që të bashkëpunohet me studiues shqiptarë të shkencave sociale që punojnë në universitetete dhe në qendra kërkimore të huaja.
Ç’mund të bëhet? Mendoj se universitetet tona duhet të pavarësohen nga shteti, por kjo të shoqërohet me rritjen e përgjegjësisë së këtij të fundit për subvencionimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në të gjitha lëmitë. Në kurrikulat universitare dhe pasuniversitare të disiplinave sociale është e domopsdoshme të bëhet një përmbysje rrënjësore; kjo s’duhet të na trembë. Ka ardhur koha, ndoshta, edhe që universitetet shqiptare t’u hapin dyert profesorëve të njohur nga universitete të huaja prestigjioze, mundësisht amerikane dhe angleze, të cilët, (a) t’u mësojnë studentëve shqiptarë kryesisht teoritë sociale dhe metodat moderne të kërkimit në shkencat sociale, (b) të udhëheqin studimet doktorale të studentëve shqiptarë dhe (c) të bashkëpunojnë konkretisht me studiuesit shqiptarë më të talentuar në këto fusha. Duhet theksuar se Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ka në gjirin e saj disa prej figurave botërore më të shquara në shkencat sociale, si Anthony Giddens, Amitai Etzioni, Craig Calhoun, Bryan S. Turner, Pierre Hassner etj, të cilat kanë bërë dhe mund të bëjnë edhe më shumë për zhvillimin e këtyre shkencave në vendin tonë.
Unë mendoj, gjithashtu, se progresi në shkencat sociale kërkon domosdoshmërisht rivleresimin e profesoratit të paaftë dhe joproduktiv (pavaresisht gradave dhe titujve të tyre) dhe, mbi të gjitha, krijimin e nje Këshilli të Kërkimeve në Shkencave Sociale (, pra të një farë Social Science Research Council), pa pjesëmarrjen e Ministrisë së Arsimit dhe jashtë ndikimit te saj, i cili të koordinojë veprimtarinë kërkimore në këto shkenca midis universiteteve më të rëndësishme, Akademisë se Shkencave, Akademise Shqiptare te Arteve dhe Shkencave, Qendrës së Studimeve Albanologjike etj., si edhe të ketë një sërë prerogativash, të cilat mbeten për t’u diskutuar.
***
Anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave janë personalitetet e poshtëshënuara (ne rend alfabetikisht):
Anëtarë të rregullt:
Alajdin ABAZI (fizikant, Tetovë), Bashkim AHMETI (piktor), Arben BABOÇI (mjek), Abdylmenaf BEXHETI (ekonomist, Tetovë), Panajot BOGA (mjek), Luljeta BOZO (inxhiniere), Adrian CIVICI (ekonomist), Basri ÇAPRIQI (shkrimtar, Prishtinë), Pandeli ÇINA (mjek), Alqi ÇULLAJ (kimist), Limos DIZDARI (kompozitor), Dhimitër DHORA (biolog), Timo FLLOKO (aktor), Përparim FUGA (fizikant), Romeo GURAKUQI (historian), Gëzim HOXHA (arkeolog), Ermonela JAHO (soprano), Helena KADARE (shkrimtare), Ismail KADARE (shkrimtar, President Nderi), Isuf KALO (mjek), Eno KOÇO (dirigjent), Ksenofon KRISAFI (jurist), Emil LAFE (gjuhëtar), Xhevat LLOSHI (gjuhëtar), Adelina MAZREKU (mjeke), Piro MILKANI (regjisor), Skënder MINXHOZI (gazetar), Inva MULA (soprano), Mina NAQO (matematicien), Tedi PAPAVRAMI (violinist), Llukan PUKA (matematicien), Skënder RIZA (historian, Prishtinë), Evan ROÇO (agronom), Marenglen SPIRO (fizikant), Sali SHIJAKU (piktor), Fatos TARIFA (sociolog, Sekretar Shkencor), Thoma THOMAI (skulptor), Pëllumb XHUFI (historian, President i radhës), Aleksandër XHUVANI (inxhinier).
Anëtarë nderi:
Lord Anthony GIDDENS (sociolog, Angli), Craig CALHOUN (sociolog, Angli), Amitai ETZIONI (sociolog, SHBA), Pierre HASSNER (filozof, Francë), Bryan S. TURNER (sociolog, SHBA), Victor FRIEDMAN, gjuhëtar/balkanolog, SHBA), Jean-Philippe ASSAL (mjek, Zvicër), Peter LUCAS (shkrimtar, SHBA), Mateo MANDALA (gjuhëtar, Itali), Lucie NADIN (historiane, Itali), Marc POINTET (ekonomist, Francë), Obrad SAVIC (filozof, Serbi).