Akademia e Arteve kthehet ne nje qytet te vogel artistik

Akademia e Arteve, kthehet në një qytet të vogël artistik
Fakulteti i Artit Skenik, ai i Muzikës dhe Arteve të Bukura kanë performuar mbrëmjen e djeshme, duke e përdorur këtë festë si një pikënisje për të shkuar më tej te provimet e radhës dhe te mbrojtja e diplomës për studentët e vitit të fundit. Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve, duke folur për gazetën, tha se është një moment kur të gjithë kemi nevojë për pak adrenalinë.

"Shkolla jonë ndryshon nga shkollat e tjera të larta për sa i përket mënyrës së ndërtimit të punës në laborator, në studio, në atelie, pasi pedagogu njësoj me studentët shkrihet në këtë punë dhe është gjatë gjithë kohës i pranishëm me komunikimet e tij profesionale, duke shkuar deri te finalja në paraqitjen e punës së diplomës së studentit", u shpreh ai. Për këtë arsye, prej disa ditësh, rreth 70 studentë të Fakultetit të Muzikës, së bashku me profesorin e tyre, Fatos Qerimi, janë përgatitur për të dhënë një koncert me pjesë muzikore të gëzueshme, mjaft interesante për të pasur një moment të gëzuar me njëri-tjetrin.

"Është një muzikë shumë e mirë, e cila do të shpërfaqë më së miri përgatitjen e studentëve tanë. Skena është e rëndësishme për ta, ndaj edhe ne e përkrahim shfaqjen e tyre. Në asnjë mënyrë nuk duam t‘i mbyllim ata nëpër klasa që të mos kenë kontakt me publikun dhe kjo mënyrë që kemi zgjedhur sigurisht që ua jep këtë mundësi", vazhdon më tej rektori Malaj. Ndërkaq, edhe studentët e Artist Skenik do të ngjiten në skenë për të përcjellë një monolog e poezi të zgjedhura. Studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura u përfaqësuan në këtë mbrëmje festive me studentët e pikturës dhe me atelierin e multimedias, ku në fasadën kryesore të Akademisë, si dhe në ambientet e hapura të amfiteatrit janë shfaqur një pjesë e mirë e punëve të tyre. Secili prej studentëve e ka kurorëzuar në këtë mënyrë punën dhe dijet e marra përgjatë një viti akademik. Ata së bashku, për herë të parë, janë mbledhur në një festë të kësaj natyre.

"Ideja për ta mbyllur kështu këtë vit shkollor më lindi gjatë një bisede që pata me dekanët e fakulteteve. Ne pranuan ta nisnim me një festë këtë fundvit që sigurisht do të jetë i vështirë për studentët, por edhe për pedagogët për të vijuar më pas me ceremoninë e dorëzimit të diplomave për studentët e viteve të fundit. Duke u fokusuar në ceremoninë e diplomave të studentëve të Akademisë së Arteve, më duhet të shtoj se edhe në këtë rast ne nuk do t‘i qëndrojmë vetëm anës akademike të mbajtjes së tyre. Studentëve do t‘u krijohen hapësira për t‘u shprehur lirshëm.

Ata do t‘u japin jetë me krijimtarinë e tyre gjithë sa do të zhvillohet, sigurisht duke vënë në zbatim sa kanë mësuar dhe përfituar nga Akademia", thotë Petrit Malaj, i cili nënvizon se të gjithë të interesuarit, dashamirësit e artit janë të ftuar të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të mbahen në kuadrin akademik. "Për këtë arsye, ne kemi ndërtuar edhe një uebsajt www.artacademy.com, ku të gjithë të interesuarit mund të shikojnë online datat e provimeve dhe të bëhen pjesë e shfaqjeve nëse do ta dëshirojnë këtë", thekson ai. Por aktivitetet e studentëve të ndërmarra prej rektoratit të Akademisë së Arteve duket se nuk do të përfundojnë me kaq.

Rektori Malaj, i prekur prej vrullit përgatitor të studentëve dhe pedagogëve për këtë festë, me rastin e ceremonisë së fillimit të sezonit të provimeve, u shpreh se duke nisur prej këtij muaji, pasi të ketë kërkuar leje në instancat përkatëse, i njëjti formacion prej 70 studentësh së bashku me pedagogun Fatos Qerimi do të zhvillojnë koncert në qendër të Tiranës. "Jam i sigurt se kushdo që do të kalojë pranë tyre, do të ndalë hapat për t‘i dëgjuar".

Më vonë, pritet që të organizohen edhe disa koncerte, kryesisht me muzikë dhome, të cilat, përveçse në Tiranë, do të spostohen edhe në rrethe të vendit, në mënyrë që të gjallërohet disi jeta artistike edhe aty. "Kjo është një mënyrë e mirë që studentët të përballen me publikun. Sepse dihet që pas përfundimit të shkollës, ata do të përballen me një realitet të vështirë, për shkak se vetë tregu i artit nuk funksionon në parametrat e duhur. "Ky përbën një moment delikat, jo vetëm për ta por edhe për ne si pedagogë", përfundon rektori Petrit Malaj. Akademia e Artit synon të kthehet në një "qytet të vogël artistik", e aftë dhe e denjë për të ofruar produkte artistike në vend me nivel të lartë në muzikë, në artet skenike si dhe në artet pamore, duke përfshirë të gjitha mediumet artistike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama