Akademia e Shkencave Kadare i denje per Nobel

Akademia e Shkencave: Kadare, i denje per Nobel
Zbulohet ftesa e suedezëve dhe letra e plotë e ASH. Me kërkesë të Akademisë Suedeze, Akademia Shqiptare e Shkencave bën propozimin e saj për kandidatin e mundshëm për Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2012. Përmes një njoftimi për shtyp, Akademia Shqiptare bëri me dije se këshilli ekzekutiv i kësaj akademie i propozoi Akademisë Suedeze që ky çmim prestigjioz t’i shkojë shkrimtarit Ismail Kadare. Qysh në muajin tetor, Akademia Suedeze i ka dërguar Akademisë Shqiptare ftesën zyrtare që brenda datës 31 janar 2012 të dërgohej emri, ose emrat e kandidatëve për çmimin “Nobel”. Në ftesën e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e Komitetit të Nobelit thuhet se të drejtën e zgjedhjes e kanë të gjithë anëtarët e akademisë, apo seksioni i posaçëm letrar. Ftesa ishte e dërguar në gjuhën suedeze, angleze, franceze e gjermane dhe rekomandohej të shpërndahej tek të gjithë ata akademikë që kishin si fushë interesi pikërisht letërsinë moderne. Në ftesën, një kopje të së cilës ne kemi siguruar, shkruhet si më poshtë:

“Në emër të Akademisë Suedeze, ne të nënshkruarit, që përbëjmë Komitetin e Nobelit, kemi nderin t’ju ftojmë ju të nominoni, me të shkruar, një kandidat (ose kandidatët) për Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2012. Një paraqitje e arsyeve për nominimin është e dëshirueshme, megjithëse jo esenciale. Me qëllim që të merret në konsideratë, propozimi juaj duhet të dorëzohet pranë Komitetit të Nobelit, të cilit i është besuar përgjegjësia për të përgatitur diskutimin e Akademisë për çmimin, jo më larg se 31 janari i vitit 2012. Komiteti i Nobelit do të shqyrtojë nominimin tuaj, i cili duhet të jetë firmosur nga nominuesi, në konfidencialitet të plotë dhe pritet që dhe ju të respektoni konfidencialitetin që kërkon”.

Në përgjigje të kësaj ftese, Akademia Shqiptare dërgoi propozimin e saj për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i saj. Në propozimin e firmosur nga kryetari Gudar Beqiraj, jepej edhe motivacioni përkatës në lidhje me këtë kandidaturë. “Sipas këndvështrimit tonë, ai është i denjë për të merituar çmimin “Nobel”, i cili gëzon një prestigj kaq të lartë ndërkombëtar”, shkruhej në këtë letër. Bashkëngjitur ishte edhe jetëshkrimi i shkrimtarit dhe lista e gjatë e veprave të tij të botuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe e përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Kjo nuk është hera e parë që ASH i dërgon propozimin e saj Komitetit të Nobelit dhe sërish për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili prej vitesh qarkullon si një ndër kandidatët kryesorë për të marrë këtë çmim.

Akademia e Shkencave propozon Kadarenë
Subjekti: Propozimi për Çmimin Nobel në Letërsi

Të nderuar zotërinj!

Në emër të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kemi nderin t’i propozojmë Komitetit të Çmimit Nobel që Çmimi Nobel për Letërsinë për vitin 2012 t’i shkojë shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare. Duke njohur vlerat e tij të veçanta si një njeri i artit dhe i kulturës, ky shkrimtar i madh është zgjedhur si anëtar i jashtëzakonshëm i Akademisë sonë dhe është nderuar me një numër të madh çmimesh ndërkombëtare për një numër të madh veprash, të shkruara në një stil brilant dhe të pasur shqiptar, dhe tashmë i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Sipas këndvështrimit tonë, ai është i denjë për të merituar çmimin “Nobel’, i cili gëzon një prestigj kaq të lartë ndërkombëtar.

Po bashkëngjisim një vlerësim të arritjeve të Ismail Kadaresë dhe një bibliografi të veprave të tij letrare.
Me shpresën që propozimi ynë të merret parasysh, ju shprehim respektin tonë të thellë.

Akademik Gudar Beqiraj
Kryetari i Akademisë së Shkencave

Ismail Kadare

Poeti, prozatori dhe eseisti Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, në Shqipëri, në 1936. Ai është shkrimtari më i madh bashkëkohor dhe përfaqësuesi më i shquar i kulturës shqiptare në botë. Ai është anëtar i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe prej vitit 1996 është anëtar i Akademisë Shkencave Politike dhe Etike në Francë. Ai është doktor Honoris Causa i Universitetit të Prishtinës (Kosovë) dhe i Universitetit të Europës Juglindore (Tetovë, Maqedoni), ka marrë gjithashtu “Prix Mondial Cino Del Duca” në 1992, çmimin ndërkombëtar “Man Booker International prize” në 2005 dhe “Princi i Asturias” në 2009. Vepra e tij ka luajtur një rol vendimtar në krijimin e një fizionomie bashkëkohore dhe universale të letërsisë shqiptare. Fuqia e talentit të Kadaresë, kërkimi i tij për forma të reja dhe mënyra shprehjeje dhe shpirti i tij opozitar ndaj ngurtësimit social, historik dhe artistik ka njohur dhe ka hapur horizonte të reja për letërsinë shqiptare, duke u bërë pjesë e letërsisë botërore.
  
Veprat e Kadaresë janë një shprehje se sa mund të pasurohet kultura universale nga traditat artistike kombëtare të popujve të vegjël me një qytetërim të lashtë, si shqiptarët, që janë një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit. Ai ofron një enciklopedi artistike të jetës shqiptare, një afresk të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore dhe është një udhëtim në hapësirë, histori dhe shpirtin njerëzor.
   
Vepra e tij ilustron gjerësinë dhe thellësinë e gjuhës shqipe dhe aftësinë e saj për t’iu përgjigjur kërkesave më të holla të kulturës letrare moderne.
   
Vepra e Kadaresë portretizon filozofinë, mentalitetin, dramat dhe traditat historike dhe kulturore të popullit shqiptar, të kaluara në filtrin e imagjinatës artistike të shkrimtarit. Ato shprehin identitetin e fortë kombëtar, kulturën e gjallë shpirtërore, rezistencën dhe mbijetesën historike të popullit të shkrimtarit.
   
Kadare krijon një prozë moderne, duke përdorur gjerësisht paralele historike, udhëtime dhe lidhje me legjenda e mitologji kombëtare e ballkanike. Vepra e tij shquhet nga një poetikë që rrjedh nga bashkimi i aspekteve të ndryshme të narracionit, nga një miksim i reales me irealen dhe fantastiken dhe nga karakteret mozaike të fragmentarizuara të strukturës së tij.

Me lidhjen e tij të veçantë me historinë antike të Gadishullit Ballkanik dhe ringjallja e mitologjisë së tij të vjetër, veprat e Kadaresë kanë sjellë në letërsinë europiane dhe botërore një atmosferë karakteristike mesdhetare, duke e pasuruar atë me ngjyrat dhe atmosferën e veçantë të origjinës etnike dhe kulturore. I lindur mes një bote epike legjendash dhe baladash mesjetare, proza moderne e Kadaresë kapërcen barrierat e kohës, duke bërë që të rezonojnë ndërgjegjja dhe mendimi artistik i lashtë dhe mesjetar me mendimin e ndërgjegjen e kohës sonë. Me ripunimin e thellë dhe krijues të lëndës që vjen nga një traditë e lashtë popullore, mesazhi i prozës së Kadaresë në të njëjtën kohë fiton në thellësinë historike dhe merr nota universale njerëzore.

Mesazhi i veprës së Kadaresë është ai i humanizmit, i paqes dhe miqësisë mes popujve.

Kadare, një artist me një vetëdije të fortë kritike, jo vetëm që ka bërë poezi me vlerat shpirtërore të kombit të tij, po ka lënë mënjanë traditat anakronike, mënyrat e vjetruara të mendimit, psikologjinë provinciale, konvencionet e dala mode në jetën e shoqërisë shqiptare.

Me një shpirt disidence kundrejt diktaturës, gjatë së cilës janë shkruar veprat e tij, Kadare ka ndihmuar gërryerjen e themeleve të regjimit komunist në Shqipëri. Ekzili i tij në Francë në vitin 1990 u dha një impuls të menjëhershëm lëvizjeve demokratike në Shqipëri. Për këto cilësi veprat e Kadaresë kanë fituar shumë popullaritet dhe janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, mes të cilave anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, spanjisht, italisht, arabisht etj.
   
Kritikët në gjithë botën e kanë vlerësuar Kadarenë si një nga shkrimtarët më të shquar të kohëve tona.

ALMA MILE

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama