Prej shkurtit hyri në fuqi ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”. Akademia do t’i nënshtrohej reformimit, proces që nuk u prit dhe aq ngrohtë nga akademikët. Institutet në varësi të saj u bashkëlidhën me universitetet dhe Akademia e Shkencave mbeti një kupolë e veçuar. Edhe pse qëllimi i refomës është dalja nga letargjia, që prej hyrjes në fuqi të ligjit, nuk vihet re ndonjë ndryshim në këtë institucion. Në ambientet e saj gjen po atë heshtje si dikur, gjendja e mëparshme vijon për inerci. Në faqen e internetit të akademisë figurojnë 13 institutet me drejtuesit, që ia kanë lënë vendin të tjerëve tashmë. Përveç njoftimit për zgjedhjen e akademikëve të rinj (mënyra e aplikimit, kriteret), aty nuk ka tjetër gjë të re. Madje tek lajmet (të reja), aktiviteti i fundit që figuron është Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, i 26 nëntorit 2005.
Më 26-27 korrik zhvillohen zgjedhjet për anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave. Kryetari aktual, prof. Teki Biçoku, thotë se mes 83 dosjeve të paraqitura do të zgjidhen 20 syresh nga fusha të ndryshme, shkencore e albanologjike. Ndërkaq 7 akademikë të tjerë (nën 75 vjeç) janë anëtarë, ndërsa 3 (mbi 75 vjeç) do të kenë statusin e akademikut të përhershëm. Pra 30 anëtarë të rregullt. Nga këto zgjedhje pritet të dalë kryesia e Akademisë. Në këtë intervistë, kryetari Biçoku tregon për zgjedhjet dhe përparësitë në vijim të Akademisë.
Këto ditë priten të zgjidhen anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave, ç’kritere duhet të përmbushin kandidatët?
Zgjedhjet për anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave bëhen më 26-27 korrik 2008. Kriteret dhe formulari i aplikimit janë bërë të njohura që para tri muajve, edhe në faqen e internetit të Akademisë së Shkencave në adresën ëëë.akad.edu.al.
Kriter themelor është aftësia krijuese e zbatuese, si dhe vizioni i kandidatëve për zhvillimin e shkencës në fushën përkatëse. Kandidati duhet të jetë drejtues i spikatur brenda fushës së ngushtë të kërkimit shkencor; të ketë udhëhequr kërkime në fusha të rëndësishme të shkencës, të kulturës e të ekonomisë; të ketë treguar aftësi në përgatitjen e kualifikimin e specialistëve, të studiuesve dhe të shkencëtarëve të rinj. Duke synuar përzgjedhjen e kandidatëve me cilësitë e mësipërme, me përvojë dhe njëkohësisht dinamikë, brenda ndihmesave të krahasueshme parapëlqehet kandidatura në moshë më të re. Tregues të vlerës së plotë të kandidatit do të jenë botimet shkencore origjinale (artikuj, monografi etj.), të pranuara si të tilla nga opinioni shkencor brenda dhe jashtë vendit; projektet e programe të rëndësishme kërkimi e zhvillimi brenda dhe jashtë vendit. Kërkesë thelbësore në vlerësim është rritja në 10 vjetët e fundit e prodhimtarisë shkencore të kandidatëve në sasi, veçanërisht në cilësi, si tregues i përparimit profesional. Në dobi të kandidimit është ushtrimi i veprimtarisë shkencore në qendra të kërkimeve të përparuara shkencore dhe universitare, si dhe veprimtaria shkencore në këto qendra.
Sa kandidatura janë paraqitur dhe sa akademikë të rinj do të zgjidhen?
Gjithsej kanë paraqitur dokumentet 83 kandidatë, nga këta do të zgjidhen me votim të fshehtë nga Komisioni Përzgjedhës 18 vetë nga fushat shoqërore, albanologjike, natyrore e teknike, si dhe dy personalitete të shquar nga fushat e krijimtarisë kulturore. Shpallja e anëtarëve të rregullt të Akademisë që kanë fituar mund të bëhet më 28 korrik.
Ç’raporte mbani me akademikët që kanë dalë në pension, sidomos pas reformimit të institutive që nuk varen më prej jush?
Me akademikët që kanë mbushur moshën 75 vjeç e kanë dalë në pension, kemi raporte të mira. Pavarësisht se kanë dalë në pension, ata aktivizohen në veprimtari shkencore të Akademisë, si dhe studime të ndryshme. Në këshillin e botimeve janë miratuar dhe do të botohen disa nga studimet e tyre. Para disa ditësh përfundoi tenderi me shtypshkronjat për botimet e Akademisë. Siç e përmendët edhe ju, Akademia e Shkencave nuk ka më institute, kështu që anëtarët e Akademisë veprimtarinë e tyre shkencore do ta zhvillojnë pranë qendrave përkatëse të punës dhe në lidhje të ngushtë me seksionet e Akademisë.
Ku do të përqëndrohet puna e Akademisë së Shkencave në vazhdim?
Përparësitë e Akademisë së Shkencave gjatë këtij viti janë zhvillimi i mëtejshëm i reformës dhe plotësimi i detyrave të tjera, si hartimi i statutit të Akademisë së Shkencave, zgjedhjet e akademikëve të asociuar e të përhershëm, zgjedhjet e Kryesisë së re, e të kryetarëve të seksioneve; përfundimi i redaktimit dhe botimi i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, përfundimi i redaktimit të Enciklopedisë së Artit Shqiptar dhe përgatitja për shtyp; zhvillimi i dy konferencave shkencore ndërkombëtare me rastin e 100-vjetorit të lindjes së personalitetit të shquar, akademikut Eqrem Çabej që do të mbahet më 10 tetor 2008 në Tiranë, si dhe me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit që caktoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe që do të mbahet më 21 nëntor të këtij viti, po në Tiranë. Veprimtaritë shkencore të Akademisë së Shkencave janë të përbashkëta me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Universitetin e Tiranës dhe universitete të tjera të Shqipërisë, me Institutin Albanologjik dhe Universitetet e Prishtinës, Tetovës, etj.
A do të mundet me kaq sa thatë që Akademia e Shkencave të jetë lider në zhvillimet shkencore dhe albanologjike?
Akademitë e Shkencave në të gjithë botën janë lider në zhvillimin e shkencës, kështu që edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk bën përjashtim.
Karta e fundit
Të largojmë 75-vjeçarët, por edhe t’iu bëjmë qejfin. Akademia e Shkencave ndodhet mes dy zjarresh. Prej 30 anëtarëve aktualë të Akademisë së Shkencave, vetëm 7 syresh nuk i kanë mbushur 75 vjeç. Të tjerët duhet të dalin në pension. Mes tyre emra si Shaban Demiraj, Hamit Beqja, Kristo Frashëri, Arben Puto, Luan Omari, Ylli Popa, Jorgo Bulo, Andromaqi Gjergji, Alfred Uçi, Farudin Hoxha, etj. Madje edhe Dritëro Agolli është mes atyre që dalin në pension. Ismail Kadare, tashmë 72 vjeç i takon të shtatëve. Kur në fillim të ndryshimeve u fol për moshën kufi, 70 vjeç, akademikët “luajtën” me emrat e Kadaresë apo të Agollit. Me vendosjen e kufirit 75 vjeç, Kadare mbetet në Akademi, por jo Agolli, i cili i ka kaluar të 75-tat. Po ka edhe një mundësi për këtë të fundit. Përpos të shtatëve është parashikuar që në radhët e akademikëve të jenë edhe 3 të përhershëm që e kanë kaluar moshën 75 vjeç.
Alma Mile : Gazeta Shekulli