“Akademia e ka përfunduar dokumentacionin që duhesh për këtë rast. Ky është një njoftim zyrtar tashmë. Kjo është hera e dytë që Akademia e Shkencave të Shqipërisë e propozon shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin Nobel në letërsi. Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2006, kur ai kishte 70-vjetorin e lindjes,” tha Beqiraj.
“Me marrjen e një kërkese nga Akademia e Nobelit, ne si Akademi, menduam ta bëjmë këtë propozim. Ismail Kadare është akademik dhe e mban këtë titull për jetë. Mua si kryetar më takonte të bëja një propozim në kryesi, e cila u mblodh, e diskutoi dhe më mbështeti për të bërë propozimin e kandidaturës së Kadaresë, duke plotësuar të gjithë kërkesat që kishin ata. Kështu ne ndërtuam një dosje, ku përfshimë motivimin, CV-në dhe të dhëna të tjera për aktivitetin e shkrimtarit, sidomos në këto vitet e fundit, aktivitet, duhet thënë shumë i gjerë dhe i frytshëm,” vijoi ai.