Në këtë mbledhje, siç bëhet e ditur, janë diskutuar dhe bërë propozime për disa çështje të tjera të drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve në shqipen standarde, si në disa fjalë që kanë zanore ë të patheksuar a të theksuar, togje zanoresh oo, ii, uu, bashkëtingëllore j/nj dhe zanore i, bashkëtingëllore r/rr, l/ll, bashkëtingëllore të shurdhëta a të zëshme, bashkëtingëllore dyshe dh, th, sh, xh, zh, nj, gj. Veç këtyre, u diskutuan edhe disa çështje që lidhen me përdorimin e shkronjave të mëdha. Paraprakisht, Këshillit i ishte paraqitur një material i përgatitur më parë nga dy grupet e gjuhëtarëve specialistë për drejtshkrimin, që funksionojnë pranë tij në Tiranë e në Prishtinë.
“Diskutimet në Këshill u përqendruan në këto çështje konkrete të drejtshkrimit dhe u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të drejtshkrimit në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.
Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.”- kanë konkluduar akademikët. Duke qenë se Këshilli Ndërakademik nuk është një forum vendimmarrës, propozimet e tyre për zgjidhjet konkrete, që patën mbështetje më të përgjithshme të anëtarëve të Këshillit, do t’u përcillen dy Akademive; Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjuha e publicistikës, një tjetër çështje për diskutim
Por në këtë takim janë lënë dhe shumë çështje të tjera të hapura, të cilat nuk kanë gjetur mbështetjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Çështje të tjera të drejtshkrimit që do të diskutohen në muajin qershor në Prishtinë i përkasin fushës së morfologjisë e të sintaksës, që lidhen me gjuhën amtare në shkollë dhe me përdorimin e saj në publicistikë. “Në mbledhje u theksua se disa çështje të tilla të drejtshkrimit janë të gjera dhe të ndërlikuara dhe kërkojnë studim të mëtejshëm, pra, mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve shkencore përkatëse që merren me gjuhën shqipe, të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të shqipes standarde.”