Akciza e re rriten cmimet e karburanteve dhe te cigareve

Akciza e re, rriten cmimet e karburanteve dhe te cigareve

Viti i ri 2014 erdhi bashkë me rritjen e paralajmëruar të çmimeve të karburanteve dhe cigareve. Dje, në kryeqytet, në disa pika të shitjeve me pakicë të karburanteve, një litër benzinë shitej maksimalisht me 195 lekë, ndërsa nafta 193 lekë për litër. Por reagim të menjëhershëm ndaj rritjes së taksës qarkulluese për karburantet nga qeveria, nuk kanë pasur të gjitha kompanitë operuese në vend. Shumë të tjera e kanë mbajtur të pandryshuar çmimin për litër të naftës dhe benzinës, por jo dhe për shumë gjatë. Gjithashtu rritje të çmimit kanë pësuar edhe cigaret. Pothuajse të gjitha dyqanet, shitësit e vegjël dhe ambulantët që janë jo të paktë në numër, e kanë shitur një paketë cigare me 20 lekë më tepër.


Karburantet



Rritja e taksës së qarkullimit për karburantet me 10 lekë e parashikuar në paketën fiskale 2014, e miratuar në fund të vitit që lamë pas, ka dhënë efektet e para në xhepat e konsumatorit. Disa pika tregtimi në kryeqytet e kanë pasqyruar menjëherë këtë rritje në tabelat e çmimeve për benzinën dhe naftën. Por ka pasur dhe mjaft pika të tjera, të cilat kanë vijuar të tregtojnë karburante me çmimet “e vjetra”. Por kjo nuk pritet të zgjasë. Dje u dhanë “shenjat” e para, pasi një litër naftë u shit me 193 lekë nga 183 që ishte thuajse pak ditë më parë, ndërsa një litër benzinë u shit me 195 lekë për litër, me të njëjtën vlerë rritjeje. Në disa pika të tjera vijon të tregtohet nafta me 179-180 lekë dhe benzina me 180-182 lekë për litër. Ndërsa në pika të tjera rritja ka qenë e lehtë me dy ose tre lekë. Gjithsesi, sipas punonjësve të këtyre pikave, ky çmim nuk do të zgjasë dhe shumë, pasi firmat ende po punojnë me furnizimet e fundvitit 2013. Gjithsesi vlen të theksohet se në Tiranë çmimet kanë pësuar rritjet e para, pasi në qytetet e tjera të vendit nuk vërehet valë shtrenjtimesh. Po kështu, i pandryshuar ka mbetur dhe çmimi i gazit, ku pothuajse në të gjitha pikat e shitjeve nuk ka pasur lëvizje, një litër gaz është shitur me 92 lekë.



Cigaret



Një paketë cigare pothuajse në çdo dyqan apo ambulatore të kryeqytetit, por jo vetëm, shitet me 20 lekë më shtrenjtë. Në fakt shitësit nuk hezituan “ta fusnin në fuqi” rritjen e akcizës për këtë mall që para datës 1 janar. Ambulantët dhe kioskat e vogla që gjatë festave të fundvitit shitën cigare me minimumi 10 lekë më tepër. Ndërkohë dje çmimi u zyrtarizua. Një paketë cigare do të na kushtojë 20 lekë më shumë, ndonëse nën zë shumë shitës thonë se rritja është dhe paksa abuzive, pasi ende po tregtohet me furnizimet e vjetra, ndërsa distributorët e mëdhenj ende nuk kanë filluar të shpërndajnë. Por aq shumë u përfol rritja e çmimeve saqë tregtarët nuk ngurruan të shisnin paketa cigaresh me 20 lekë më tepër ende pa u prekur realisht nga rritja e akcizës. Ndërkohë askush nuk reagoi, tek e fundit disa ditë më parë apo më pas të gjithë do të blinim me atë çmim…

Me sa duket zhurma nuk u bë aq e madhe për pijet alkoolike apo ato energjikë, pasi pikat e tregtimit vijojnë të shesin me të njëjta çmime. Disa shitës shprehen se kërkesa nuk është aq e lartë, veçanërisht për pijet alkoolike, kur bëhet fjalë sidomos disa ditë pas festave, çka nuk u ka nxitur nevojën për të rritur çmimet. “Ende vazhdojnë të shesim me të njëjtin çmim, por besoj deri nga fundi i muajit, sepse më pas na kanë paralajmëruar furnitorët për çmime të reja më të larta për këta artikuj”, thotë një shitës në Rrugën e Elbasanit.

Çmime më të larta pritet të kenë edhe pijet energjike. Disa ditë më parë, propozimi i bërë nga anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për vendosjen e akcizës dhe për pijet energjike u pranua, çka do të çojë efektin zinxhir të rritjes së çmimit final. Gjatë diskutimit në këtë komision, zv.ministri Ervin Mete pohoi se kjo nuk mund të arrihet që më datë 1 janar. Por, deputeti Erion Braçe sugjeroi që ligji të vendoset me fuqi prapavepruese, pasi tregtarët mund të furnizohen me shumicë me këtë produkt në muajin janar për të gjithë vitin. Deri tani, pijet energjetike nuk paguanin akcizë, pasi ato hynin në kategorinë e pijeve freskuese. Propozimi është që akciza e këtij produkti të jetë 50 lekë për litër. Sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, shqiptarët vetëm gjatë 10 muajve të parë të vitit kanë konsumuar mbi 9 milion tonë pije energjike. Vendosja e akcizës për këtë produkt pritet të japë efekt mjaft pozitiv në buxhetin e shtetit.

Dje u dhanë “shenjat” e para të rritjes, pasi një litër naftë u shit me 193 lekë nga 183 që ishte thuajse pak ditë më parë, ndërsa një litër benzinë u shit me 195 lekë për litër, me të njëjtën vlerë rritjeje

Një paketë cigare pothuajse në çdo dyqan apo ambulatore të kryeqytetit, por jo vetëm, shitet me 20 lekë më shtrenjtë. Në fakt shitësit nuk hezituan “ta fusnin në fuqi” rritjen e akcizës për këtë mall që para datës 1 janar

Disa shitës shprehen se kërkesa nuk është aq e lartë, veçanërisht për pijet alkoolike, kur bëhet fjalë sidomos disa ditë pas festave, çka nuk u ka nxitur nevojën për të rritur çmimet. Ndërkohë paralajmërohet për një valë të re çmimesh në fund të janarit

Çmime më të larta pritet të kenë edhe pijet energjike. Disa ditë më parë, propozimi i bërë nga anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për vendosjen e akcizës dhe për pijet energjike u pranua. Akciza për këtë produkt do të jetë 50 lekë për litër

Konsumi

Rritja e taksës, 40 milionë euro më shumë në arkën e shtetit

Shtrenjtimi i çmimeve vjen teksa më 1 janar hyri në fuqi ligji i ri për taksën e qarkullimit, e cila u rrit me 10 lekë për litër (nga 7 në 17 lekë për litër). Sipas Ministrisë së Financave, efekti në buxhet i kësaj takse pritet të jetë 40 milionë euro, që do të paguhet nga konsumatorët, duke qenë se ajo do të transferohet në çmim. Tregu me pakicë i karburanteve është një prej sektorëve më të mëdhenj në Shqipëri për nga volumi i qarkullimit, me një xhiro vjetore të vlerësuar prej rreth 900 milionë eurosh. Nga kjo shumë, mbi 45 për qind vlerësohet se shkon në buxhetin e shtetit në formën e TVSH-së, akcizës dhe taksave të tjera. Më shumë se 410 mijë mjete transporti furnizohen me naftë e benzinë e gaz në mbi 1000 pika tregtimi me pakicë në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të marra nga doganat, gjatë vitit 2012 janë importuar rreth 431 mijë tonë karburante.

 

Tatimi mbi të ardhurat personale

Si do të tatohen pagat, kush përfiton dhe kush preket



Qeveria “Rama” ka parashikuar dhe ndryshim në sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale. Sipas paketës fiskale 2014 është parashikuar taksim progresiv me tri nivele, ku niveli i parë, ai i pagave deri në 30 mijë lekë, do të ketë fashë mbrojtëse zero taksim, nga 30 mijë deri në 130 mijë taksa do të jetë 13 për qind i vlerës përmbi 30 mijë lekë. Ndërsa pagat mbi 130 mijë lekë do të kenë edhe taksën më të lartë, rreth 23 për qind të vlerës së mbetur nga paga me fashë mbrojtëse. Financat parashikojnë që të gjithë punonjësit që kanë paga nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë do të përfitojnë në fakt nga sistemi i ri i taksimit. Për këto paga do të ketë ulje të taksës në vlerë monetare po të krahasohet me taksimin aktual, ku paga më e ulët do të përfitojë më shumë, pasi taksimi do të fillojë nga 300 mijë lekë e sipër. E thënë më ndryshe, një pagë 400 mijë lekë do të taksohet me 13 për qind, ose e thënë në shifra vetëm 1300 lekë, nga 4000 lekë që taksohet aktualisht. Vlera e përfitimit në lekë nga sistemi i ri i tatimit vjen duke u ulur deri në pagën 130 mijë lekë, ku ndryshimi mes taksimit të vjetër me atë që parashikohet nga qeveria “Rama” është zero.

 

Të ardhurat (lekë)   Është      Bëhet      Ndryshimi



40 mijë                    4 000      1300       -2700

50 mijë                    5 000      2600       -2400

60 mijë                    6 000      3900       -2100

70 mijë                    7 000      5200       -1800

80 mijë                    8 000      6500       -1500

90 mijë                    9 000      7800       -1200

100 mijë                   10 000     9100       -900

120 mijë                   12 000     11 700     -300

130 mijë                   13 000     13 000     0

140 mijë                   14 000     15 300     +1300

150 mijë                   15 000     17 600     +2600

160 mijë                   16 000     19 900     +3900

200 mijë                   20 000     29 100     +9100



Tatimi mbi fitimin



Xhiro nën 8 milionë lekë, 7.5 për qind

Xhiro mbi 8 milionë lekë, 15 për qind

Biznesi i vogël taksim zero

Bizneset mikro me xhiro deri në 2 milionë lekë, tatim 25 mijë lekë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama