Të nderuar koleg,
Përmes artikullit Akciza mbi Kafenë në Vend; Rajon dhe BE 2014Open Data Albania ka hulumton duke sjellë një historik mbi nivelet e akcizës së kafes në vend dhe një panoramë aktuale në rajon. Referuar legjislacionit shqiptar, akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Akciza e kafes në vendin tonë ka ndryshuar përgjatë viteve:
- Në vitin 1996 akciza e kafes ishte 30% e vlerës së importit të saj,
- Në vitin 2001 akciza u aplikua si shumë fikse për ton, ku 33000 lekë/ton ishte akciza për kafen e papjekur dhe 78000 lekë/ton për kafen e pjekur.
- Në vitin 2003 produktet e kafes ishin të kategorizuar në katër grupe kryesore, si Kafe e papjekur; Kafe e pjekur; Lëkura, lëvoret zëvendësuesit e kafesë; Ekstrakte, esenca, koncentrate kafeje dhe përgatitje prej tyre (neskafe etj.), ku për grupin e parë akciza ishte 40 lekë/kg, për grupin e dytë 80 lekë/kg, për grupin e tretë 40 lekë/kg dhe për grupin e fundit 250 lekë/kg kafe. Akciza për grupin e fundit të kafes nuk ka ndryshuar deri në vitin aktual.
- Në vitin 2006 akcizat u rritën për të tre grupet, ku akciza për grupin e parë u bë 50 lekë/kg, për grupin e dytë 100 lekë/kg dhe për grupin e tretë 50 lekë/lekë. Që nga ky vit akciza për grupin e tretë ka mbetur e pandryshuar.
- Në vitin 2009 akcizat pësuan në rritje të ndjeshme, ku akciza për kafen e papjekur u bë 70 lekë/kg dhe akciza për kafen e pjekur u bë 140 lekë/lekë, pra u rrit me 40%.
- Në vitin 2010 alciza për kafen e papjekur u ul në 30 lekë/kg dhe në vitin 2012 kjo akcizë u bë zero. Pra, që nga viti 2012 nuk paguhet më akcizë për kafen e papjekur. Ndërsa akciza e kafes së pjekur u ul në 60 lekë/kg në vitin 2012 dhe vazhdon të mbetet e tillë dhe në vitin aktual.
Në vendet e Rajonit të marra në shqyrtim zbatohet akciza mbi kafen. Kjo akcizë shprehet në disa vende, përfshirë dhe vendin tonë, si shumë fikse për kilogram, ndërsa në disa vende si përqindje vlerës së importit duke përfshirë shumat për deytrimet doganore dhe taksat e tjera të importit. Në vendet e BE, sipas të dhënave të Federatës Europiane të Kafes dhe të Bashkimit Europian, vetëm Belgjika, Gjermania, Kroacia, Letonia dhe Rumania aplikojnë akcizë mbi kafen. Të gjithë vendet e tjera të BE nuk kanë akcizë mbi kafen, madje vende si Irlanda, Malta, Mbretëria e Bashkuar nuk aplikojnë as tatim mbi vlerën e shtuar për këtë produkt. (Dhjetor 2013) Ndërsa, në vendet e rajonit vetëm Kosova nuk aplikon akcizë mbi kafen. (LIGJI Nr. 03/L-220, Viti 2010)
Ndër vendet e rajonit, Bosnje Hercegovina dhe Kroacia aplikojnë akcizë mbi kafen si një tarifë fikse për kilogram, ashtu si dhe vendi ynë.
- Bosnje Hercegovina aplikon tarifën më të lartë prej 107.2 Lek/Kg për kafen e papjekur, ndërsa Kroacia aplikon tarifën më të lartë për kafen e pjekur, prej 110.2 Lek/Kg.
- Vendi ynë ofron tarifën më të ulët për kafen e pjekur, e cila është 60 Lek/Kg dhe nuk aplikon akcizë për kafen e papjekur.
- Vendet e tjera, siç janë Mali i Zi, Maqedonia, Serbia aplikojnë akcizën mbi kafen si një përqindje mbi vlerën e importit duke përfshirë shumat për deytrimet doganore dhe taksat e tjera të importit.
- Serbia aplikon tarifën prej 30% si për kafen e pjekur dhe atë të papjekur, Mali i Zi aplikon tarifën prej 20% për të dyja llojet e kafeve.
- Maqedonia aplikon tarifën prej 5% për kafen e papjekur dhe tarifën prej 15% për kafen e pjekur.
- Vendet e BE aplikuese të akcizës mbi kafen, e aplikojnë këtë akcizë si një tarifë fikse për kilogram. Akcizën më të lartë për kafen e pjekur e aplikon Gjermania me 306 Lek/Kg, pas saj vjen Danimarka me 133.8 Lek/Kg dhe më pas rënditet vendi ynë me 60 Lek/Kg, duke lënë pas Belgjikën dhe Rumaninë me përkatësisht 34.67 Lek/Kg dhe 31.47 Lek/Kg.
- Për kafen e papjekur, ashtu si vendi ynë as Gjermania nuk aplikon akcizë. Danimarka aplikon tarifën më të lartë prej 111.5 Lek/Kg, pasuar nga Belgjika, Rumania.
Më herët po me të njëjtën metodologji Open Data Albania ka publikuar të dhëna mbi Akcizën për Cigaren dhe Duhanin në Republikën e Shqipërisë dhe BE.
Ju faleminderit