Ka një kategori artistësh për të cilët prezantimi "artistë me origjinë shqiptare" sa vjen e zbehet. Disa prej tyre e kanë pranuar se shqiptaria është një përmasë s'ka të bëjë me vlerën e artit, siç nuk ka të bëjë as përkatësia në grupe pakicash etnike, seksuale etj.. Shkolla që e përdor biografinë e krijuesit si çelës për t'i lexuar artin, është një shkollë e vjetër, thuajse e mbyllur.
Edhe dritat e medias kanë ndriçuar më tepër këtë modë gjykimi mbi artistët shqiptarë, ata që në këto 20 vjet u larguan në Evropë për t'u shkolluar dhe konkurruar në skenën botërore të artit.
Sukseset e tyre individuale janë parë si barka të vogla shpëtimi për imazhin e komuniteteve shqiptare në emigracion. Po zbehen edhe këto qëndrime, sepse klisheja ka një kulm nga i cili vjen edhe rënia. Përtëritja herë pas here e stereotipive mbi origjinën ndodh nga familjarizimi me një metodë amatore të informimit. Në këtë rast prezantimi i disa artistëve shqiptarë ka të bëjë me praninë e tyre në këtë kohë, të ndërrimit të viteve në skenat ndërkombëtare.
Zërat e Inva Mulës dhe Ermonela Jahos, nuk mund t'i gjurmosh në udhëtimet nga Evropa në Amerikë. Axhenda e koncerteve të tyre gjatë gjithë vitit është e ngjeshur siç ishte për gjithë muajin dhjetor.
Me interes janë rastet kur artistët që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë i hyjnë një kërkimi në fenomene shoqërore dhe natyrën e krijimit. Ka ndër ta që origjinën e këtyre shqetësimeve për veprat e ardhshme e gjejnë në vendin ku janë lindur.
Fillimi i vitit 2011 e gjen Anri Salën në Kanada.
Sala që i përket një grupi artistësh shqiptarë të artit pamor që jetojnë dhe krijojnë jashtë, prej së paku një dekade, prezantohet për herë të parë me një ekspozitë personale në Musée d'art contemporain në Montreal. Për Qendrën, ekspozita që hapet më 3 shkurt dhe mbyllet më 25 prill, është një rast unik për të zbuluar veprën e artistit shqiptar që jeton dhe punon në Berlin. Në qendër të vëmendjes së 12 instalacioneve filmike, po edhe fotografike dhe muzikore, është filmi i tij "Përgjigjmu" (Answer Me, 2008) që trajton një kuptim të ndarjes, vetmisë, ftohjes: një burrë dhe një grua ndërmjet Berlinit Lindor dhe Perëndimor.
Debutimi me sukses në skenën evropiane i Anri Salës (1974) ndodhi me një videon "Intervista", në fokus është nëna e tij.
Sot, shumë vjet pas realizimit të asaj pune, ka pasur komentatorë që thonë se një vepër e tillë vetëm në Shqipëri nuk mund të shfaqej. Në të vërtetë, vepra që e bëri Salën, nuk është shfaqur në Shqipëri, sepse leximi i saj në një kontekst shqiptar do të provokonte debat.
Sala dhe pothuaj gjithë artistët e brezit të tij që përmenden në këtë shkrim, u lindën dhe u formuan pjesërisht në regjimin komunist në Shqipëri. Koha e studimeve në Akademinë e Arteve i përfshiu në ndryshimet e mëdha politike, proces që e reflektuan fillimisht në artin e tyre, e dalëngadalë, duke u shkëputur prej vendit të origjinës e duke u përpjekur të mbërrijnë skenën ndërkombëtare. Ka artistë si Adrian Paci që i ka të ambientuara në Shqipëri, disa punë video. Në mos qoftë Shqipëria, diskutimi i tij pamor nuk e lë jashtë vendin e tij, konkretisht Shkodrën, qyteti i lindjes.
Puna e tij në video "Centro di Permanenza temporanea" (2007) prezantohet prej 20 dhjetorit deri më 27 mars 2011 në ekspozitën kolektive "Community. La ritualità collettiva prima e dopo il ueb". E hapur në Katanxaro të Kalabrisë, kjo panoramë e kuruar nga Alberto Fiz dhe Luca Panaro, i kushtohet kujtesës kolektive nga neorealizmi në epokën e facebook-ut. Marrin pjesë edhe artistë italianë që nuk jetojnë në Itali, si gjenovezja e famshme nga Los Anxhelos, Vanessa Beecroft, Olivo Barbieri, Gabriele Basilico, Nino Migliori. Vepra e Pacit është komentuar poetike dhe provokuese, "një goditje e fortë në stomak": Një grup njerëzish në shkallët e një avioni, në pistë, por avioni mungon. Pezull në ajër, njerëz të dëshpëruar, pa atdhe, duhet të marrin rrugën për diku.
Helidon Gjergji që jeton dhe punon në Nju Jork ditët e fundit të vitit 2010 e gjetën në ekspozitën e përbashkët "Plus Ultra" në Romë kuruar nga Francesco Bonami. Nga punët e fundit të Gjergjit kujtojmë projektin mbi fasadat e Tiranës, të cilin pas Bienales më 2009, e prezantoi në disa ekspozita dhe universitete në Evropë. Territori i vogël i vendit prej nga vijnë këta artistë, merr nganjëherë përmasën e një shqetësimi të madh, madje ky territor vetëm sa përligj gjendjen e njeriut kudo që të jetë.
Bashkë me Migjenin, Ornela Vorpsi në El Aleph
"El Aleph" është një revistë e letërsisë bashkëkohore themeluar më 2005 nga Universiteti i Studimeve në Milano. Ka intervistuar zëra të rëndësishëm të panoramës letrare bashkëkohore, nga Michele Mari te Tiziano Scarpa, nga Vincenzo Consolo te Edoardo Sanguineti. Numri 12 i "El Aleph"-it, i hedhur në qarkullim në dhjetor 2010 i kushtohet "diversitetit", një pretekst për të folur për probleme sociale dhe qytetare, për të huajt dhe ksenofobinë.
Në fokus është një intervistë me tre shkrimtarë të huaj që shkruajnë në gjuhën italiane: Pap Khouma nga Senegali, shqiptarja Ornela Vorpsi dhe gjermania me origjinë polake Helena Janeczek. U bënë 5 vjet tashmë që Vorpsi e cila vjen nga artet pamore, shkruan letërsi dhe në fokus ka pasur "njeriun shqiptar", më vonë gjendjen e njeriut në një shoqëri ku ai ndihet i ardhur. Dy speciale të El Aleph-it i kushtohen respektivisht shkrimtarit portugez që ndërroi jetë së fundi Josè Saramago dhe të panjohurit Migjeni, shkrimtari shqiptar pak i përkthyer në Itali, që ka vdekur në Torino.
Kledi Kadiu dhe Eno Peçi më 1 janar
Koncerti i vitit të ri në Teatrin La Fenice të Venecias më 1 janar, nën drejtimin e Daniel Harding, krahas repertorit me pjesë nga Bellini, Donizetti, Rossini, Verdi dhe Puccini, pati edhe pjesë koreografike nën drejtimin e Mvula Sungani. Interpretuan Isabelle Ciaravola, Emanuela Bianchini, Alessio Carbone dhe balerini shqiptar Kledi Kadiu.
Koncerti i Vitit të ri në Sallën e Artë Musikverein të Vjenës u mbajt edhe ai në mesditën e 1 janarit. Wiener Philharmoniker nën drejtimin Franz Welser-Möst, i bëri homazh Franz Liszt, me rastin 200 vjetorit të lindjes, me ekzekutimin e Mephisto Walzer I. Gjatë koncertit pati pjesë koreografike ekzekutuar nga balerinë Staatsballet të Vjenës, me solistë Maria Yakovleva dhe shqiptarit Eno Peçi, kuruar nga Jean Guillaume Bart, balerin i Operës së Parisit. Vallëzimet kishin për sfond sallone pallatesh historik të Vjenës.