Kushtet që duhet të plotësohen
Qeveria është e vetëdijshme që universitetet private të cilësisë së lartë japin kontribut për plotësimin e nevojave kombëtare për arsim të lartë. Këtyre universiteteve, në qoftë se operojnë për qëllime jofitimprurëse, ajo duhet t’u japë mundësinë që të aplikojnë për fonde publike. Në të njëjtën mënyrë që përfitimet publike ofrohen nga të diplomuarit në universitete publike, edhe të diplomuarit nga universitete private të cilësisë së lartë ofrojnë përfitim publik. Procesi i ri dhe më strikt i akreditimit do të përcaktojë nëse një institucion privat i arsimit të lartë është i cilësisë së lartë dhe i aftë të quhet “universitet”. Universitetet private do të thërriten të aplikojnë që të vlerësohen sipas standardeve të reja të akreditimit, ndoshta gjatë vitit 2012 dhe, me siguri duke filluar nga viti 2013.
“Duke njohur kontributin që universitetet private (të cilët kanë qenë akredituar nëpërmjet procesit të ri) i japin vendit përmes edukimit të të rinjve, qeveria është gati të konsiderojë dhënie fondesh edhe për këta të fundit, mbi baza të ngjashme me ato të universiteteve publike. Afati më i shpejtë që kjo të bëhet e mundur do të ishte për vitin financiar 2013”, thuhet në projektvendim.
Ky afat reflekton përgjigjet e bëra në dokumentin konsultativ –Green Paper - për financimin, i cili argumenton që procesi i ri i akreditimit nevojitet të jetë operacional përpara se fondet publike të konsiderohen për universitetet private.
Që një universitet privat të konsiderohet për fonde publike, qeveria do të kërkojë që universiteti të operojë mbi baza “jofitimprurëse” dhe do të caktojë një firmë private auditi për ta verifikuar këtë fakt.
Çdo universiteti privat që plotëson të dyja këto kushte, qeveria do t’i pranojë një aplikim, për të cilin do të caktohen kuota për vendet e studentëve që financohen.
Financimi
“Ka shumë të ngjarë që të japë kuota për studentët që financohen në universitetet private, në degët me prioritet kombëtar (shkencë, matematikë, inxhinieri, diploma profesionale dyvjeçare). Kuota të tilla do të caktohen mbi baza të njëjta si ato të universiteteve publike”, thuhet në projektvendim. Financimi për të tilla kuota do të jetë i njëjtë me atë të universiteteve publike, megjithëse universitetet private do të lejohen të vendosin tarifa studimore më të larta për studentët e tyre, pasi kostot e këtyre universiteteve janë më të larta. Studentët e rekrutuar sipas “kuotave” të tyre do të nevojitet të plotësojnë standardet minimale kualifikuese që aplikohen në universitetet publike. Qeveria nuk sheh ndonjë arsye që të kufizojë numrin e studentëve në universitetet private që nuk janë të financuar prej saj.