Aksesoret qe nuk duhet t’u mungojne asnjehere vajzave

Aksesoret qe nuk duhet t’u mungojne asnjehere vajzave
Çantat kanë qenë dhe do të mbeten objekti kult, që “çmendin” si femrat ashtu dhe meshkujt. Por cila është tendenca në vazhdim? Po ajo që do të zgjasë deri në vjeshtë e dimër? Po ua shpjegojmë më poshtë, në mënyrë që t’i keni idetë e qarta para se të vendosni të blini çantën tuaj të preferuar. Ja çfarë këshillojnë stilistët për stinën në vazhdim.

E zeza

Është dhe do të mbetet gjithmonë një prej ngjyrave më të forta. Këtë sezon është edhe më shumë në modë. Preferohet në stilin klasik, tendencë e cila nuk del kurrë nga moda. Ajo që e ka bërë edhe më të suksesshme këtë ngjyrë është përdorimi i saj në shumë veshje. Ngjyra e zezë është e aftë të krijojë kontrast me të gjitha ngjyrat e tjera. Kjo ngjyrë përdorej veçanërisht gjatë viteve ‘80 nga yjet e asaj kohe. Ndonjë ikonë? Grace Jones, The Cure, Michelle Pfeiffer. Pra çantat e zeza kanë “një shpirt” të dyfishtë: atë të divës dhe të panterës agresive.

Kombinimi: E veshur kokë e këmbë me të zeza, ose në kontrast me veshje me ngjyra, duke mos lënë pas dore rripin dhe këpucët. Gjithashtu çanta e zezë kombinohet mjaft mirë me xhinse të ngushta, këpucë balerine, xhaketë sportive, shall, kapele… (kuptohet mund të mos i vishni të gjitha bashkë).

Çantat e vogla

Vajzat i përdorin këto lloj çantash kur shkojnë nëpër festa elegante, ose në ndonjë darkë romantike. Fusin brenda çelësat, buzëkuqin dhe celularin. Janë funksionale dhe kryesorja nuk zënë shumë vend në gardërobë (edhe pse për fat të keq, çmimi nuk është kurrë në proporcion me përmasat). Ndonjëherë zgjedhja e tyre është paska e vështirë, sepse fillimisht duhet të të pëlqejë dhe të të bëjë të ndihesh femër, pa marrë parasysh faktin se duhet të kombinohet me të gjitha veshjet elegante. Por nëse jeni një tip i pavendosur, ose mendoni ta shfrytëzoni shumë, mos harroni që ka modele “veshjeje të ndryshueshme”, siç është për shembull çanta “Chamaleon Bag” nga “Aquascutum”.

Kombinimi: Zakonisht shoqërohet me një varëse qafe shumë elegante, veshje me ngjyra të errëta dhe të forta, siç është e zeza. Por mos u frikësoni, mund ta përdorni edhe kur dilni pasdite me miqtë, duke e kombinuar me një palë xhinse dhe një kanatiere të bardhë, siç bën për shembull Rihanna.

Me ngjyra

Nëse do të ndiqnit këshillën e stilistëve, ata ju këshillojnë të fokusoheni më shumë te ngjyrat sesa forma, apo modeli. Këtë vit janë shumë në modë edhe çantat e kuqe, si ato prej cope ashtu edhe ato të lëkurës; ngjyra jeshile është shumë në modë (jeshile e hapur dhe e mbyllur), bluja (elektrike, blumarine, e kaltër). Këto ngjyra do të jenë të pranishme edhe në modën e vjeshtë/dimër 2012, sidomos bluja, kështu që bëni kujdes me zgjedhjet tuaja.

Kombinimi: Imitoni këngëtaren bukuroshe Gwen Stefani. Mund ta kombinoni me “look”-un e viteve ‘80, streçe meshini, ose xhinse të ngushta, taka të larta dhe aksesorë prej floriri. Nëse nuk ju tërheq stili i Gwen Stefani, mund të visheni më thjeshtë, si Eva Mendes dhe Sienna Miller, të cilat i mbajnë çantat e tyre të kuqe “Prada” me çdo lloj veshjeje, xhinse, fustane, pantallona të shkurtra.

Çantat sportive

Nuk do të lodhemi kurrë duke e përsëritur, që së bashku me çantën e zezë prej lëkure, rozën, blunë, duhet të keni në dollapin tuaj edhe çantat sportive për përditë, që kombinohen me të gjitha veshjet e përditshme, pjesa më e madhe e të cilave përbëjnë edhe gardërobën tonë.

Kombinimi: Mund ta kombinoni me xhinse të gjera dhe të grisura, në stilin hipi dhe çdo lloj bluze.

Ekstravagante

Çantat me mbërthecka metalike, copëza pasqyrash, me ngjyrë gri ose të verdhë të shndritshme, duket se këtë vit po bëjnë për vete të gjitha vajzat dhe konsiderohet si një prej aksesorëve më të rëndësishëm pa të cilën nuk bëjmë dot. Por duhet të bëni kujdes, sepse mund t’ju “vjedhin” të gjithë bukurinë.

Kombinimi: Mund të kombinohet me veshjet e përditshme, por edhe ato të pasdites e të darkave. Do të shkonte shumë me një xhaketë sportive dhe një palë xhinse të ngushta, ngjyrë bojëqielli e hapur dhe pa diskutim, këpucë të larta me taka. Do të ishte një kombinim i shkëlqyer.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama