Bija e aktorit të njohur, Nikolin Xhoja dhe artistes Meropi Xhoja, Aksinja, me profesion pianiste jeton prej vitesh në vendin e origjinës së të atit. Por asnjëherë nuk e ka parë veten të ndarë nga Shqipëria e veçanërisht nga Durrësi ku kohë më kohë kthehet për të organizuar aktivitete.
Më i fundit ka qenë ai për prindërit e saj, por plot të tjerë janë programuar së shpejti…
Ju jeni organizatorja e “Nuovi Talent Festival”. Çfarë është ky festival dhe çfarë synon?
“Nuovi Talenti Festival” është një konkurs nacional i Italisë për talentet artistike të ndryshme si: këngëtarë, balerinë, aktorë, modele, kabaretista, iluzionistë. Unë jam zgjedhur nga agjencia e Romës për të bërë seleksionimin e talenteve të rajonit të Puglia-s. Më 28 shkurt në maksikinemanë “Andromeda” u zhvillua finalja për krahinën e Puglia-s. Fituesit do të shkojnë në Golden Star Akademi të Romës për përgatitjen e finales nacionale që do të zhvillohet më 21 maj 2011 në teatrin “Parioli” të Romës dhe fituesve të çmimeve të para për çdo kategori i bëhet kontratë pune me produksione të ndryshme televizive e kinematografike.
Keni pasur kontakte me artistë të rinj shqiptarë? Keni menduar të organizoni një festival të ngjashëm për ta?
Talentet shqiptare do t’i inseroj në festivalin e tretë “Terra degli imperiali” të Francavilla Fontanes, që do të zhvillohet nga 28 prilli deri më 19 maj. Të rinjtë shqiptarë që duan të marrin pjesë mund të më shkruajnë në e-mail, të telefonojnë ose të lidhen me mua në facebook.
Vetë Aksinja, si e sheh veten të ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë?
Do të desha të vija më shpesh në Shqipëri, por është e vështirë sepse jam në aktivitet të vazhdueshëm. Megjithatë, në muajin maj do të vij në Durrës së bashku me një kompozitor-dirigjent italian që ka shkruar një musical për ta përgatitur me orkestrën e Durrësit. Këngëtarët do të jenë italianë dhe do të kryejmë një turne prej një muaji, në korrik, në Puglia.
Vetëm pak kohë më parë ju ishit në Shqipëri për “të përkujtuar” prindërit tuaj në një aktivitet. Sa “pranë” ndiheni me ta edhe pas kaq vitesh?
Kam qenë në Nëntor në Shqipëri, pikërisht në Odeonin “Nikolin Xhoja” të Durrësit, ku në bashkëpunim me drejtorin e teatrit, Bashkim Hoxha, organizuam “Mbrëmje Gala” dedikuar prindërve të mi, Nikolin e Meropi Xhojës. Ishte një mbrëmje shumë e bukur, ku të gjithë sa ishim në sallë u mallëngjyem, buzëqeshëm duke kujtuar momente të ndryshme nga veprimtaria artistike, si dhe jeta bashkëshortore e tyre nëpërmjet videove që kisha përgatitur për këtë rast, si dhe me kujtimet e Gjergj Vlashit, Piro Milkanit, Bashkim Hoxhës etj. Në raste të tilla i ndiej më shumë pranë prindërit e mi. Gjithashtu vazhdoj t’i ndiej pranë pothuajse çdo ditë edhe përmes miqve të mi, të cilët komentojnë pareshtur në facebook me shumë respekt dhe dashuri, kudo që gjenden, duke më falënderuar për materialet fotografike, si dhe videot e tyre që herë pas here inseroj në faqen time dhe atë dedikuar “Meropi and Nikolin Xhoja”. I falënderoj me gjithë zemër të gjithë dashamirësit e prindërve të mi kudo që janë nëpër botë duke i uruar lumturi!
Çfarë ruani më të çmuar prej tyre?
Janë disa gjëra të çmuara që ruaj prej tyre: dashurinë që kishin për ne tre fëmijët e tyre: Ugon, Aleksandrin dhe mua, si dhe për nipin, Eltonin dhe mbesën, Rominën. Gjithashtu ruaj edhe respektin që kishin për spektatorët dhe miqtë e tyre, pasionin e jashtëzakonshëm për artin dhe dashurinë e pakufishme për Durrësin, për Shqipërinë.
Cilat janë aktivitetet tuaja të afërta krahas “Nuovi Talent Festival”?
Krahas festivaleve kam koncerte të ndryshme si në Itali dhe në Angli, koncerte solo, si dhe me tenorin e famshëm anglez Gari Glaysher, të cilin do ta sjell edhe në Shqipëri për koncert.
Së shpejti do të vij në Shqipëri me Al Bano Carrisin, sepse me rastin e një binjakëzimi që koordinova me Bashkinë e Lushnjës dhe të Cellino San Marcos (qyteti ku ka lindur dhe jeton Albano), Bashkia e Lushnjës i akordoi atij titullin “Qytetar Nderi”. Gjithashtu jam në përfundimin të koordinimit të një sërë binjakëzimesh ndërmjet disa qyteteve shqiptare me disa qytete të Puglias.
Më datë 13 mars pranë sallës së komunës së Brindisit do të shfaqet filmi “Radio Egnazia”, një pjesë e të cilit është regjistruar në Itali, Shqipëri, Greqi e Turqi dhe ku flitet edhe për veprimtarinë artistike, si dhe jetën e babait tim, Nikolin Xhoja. Në këtë film, nëna ime Meropi Xhoja interpretoi për herë të fundit dhe po te ky film ka marrë pjesë dhe vajza ime Marilyn Scardiçhio, si dhe kam bashkëpunuar edhe unë.
Në fund të marsit kam një koncert recital të organizuar nga “Rotary”. Të ardhurat e mbledhura nga ky koncert do të dërgohen në ndihmë të ndërtimit të një spitali pediatrik në Afrikë.