Aksioni te Kryesia e Kuvendit policet femra gjobisin 30 deputete per parkim ne trotuar

Aksioni te Kryesia e Kuvendit, policet femra gjobisin 30 deputete per parkim ne trotuar

Operacioni shtrihet në të gjithë kryeqytetin, masat ndëshkuese edhe ndaj automjeteve me targa zyrtare.
Aksioni i policëve të rinj për parkimet te Kryesia e Kuvendit.
Tiranë, rrugorët gjoba 30 deputetëve.
Sfida e radhës e Policisë, seanca e sotme e Parlamentit

Policia Rrugore e Tiranës theu dje një tabu duke vendosur gjoba ndaj deputetëve që kishin parkuar në mënyrë të parregullt në zonën para Kryesisë së Kuvendit, tek ish-Blloku. Parkimi dysh, mbi trotuar apo në vende ku nuk lejohet qëndrimi i mjeteve, deri dje ishte një privilegj rutinë për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Disa vajza e djem të rinj, të veshur me uniformën me ngjyrë të verdhë fosforeshente të Policisë Rrugore, kanë rrethuar makinat luksoze private dhe ato me targa zyrtare dhe pa asnjë hezitim plotësonin fletën e gjobës. Aksioni u zhvillua në orët e pasdites së djeshme teksa deputetët merrnin pjesë në mbledhje në Kryesinë e Kuvendit. Në ndonjë fletë shënohej vlera prej një mijë lekësh, në ndonjë tjetër prej 3 mijë lekësh, kjo në varësi të shkeljes që kishin kryer dhe vendit ku ishte lënë makina.

 

Në total numërohen rreth 30 gjoba që u ishin vendosur makinave të deputetëve, disa që kishin parkuar mbi trotuar e të tjera që kishin qëndruar dyshe duke penguar edhe qarkullimin e mjeteve të tjera. Disa të tjerë nuk e kishin vrarë mendjen edhe pse para makinës u shfaqej tabela që ndalonte qëndrimin, duke e parkuar automjetin pikërisht ngjitur me sinjalistikën vertikale. Ka pasur edhe nga ata deputetë që i shpëtuan gjobës, pasi i kishin parkuar në rregull makinat e tyre. Një ndër ta ishte edhe deputetja Majlinda Bregu, e cila edhe pse e kishte në rregull makinën “Jaguar”, pasi ka parë prezencën e policëve rrugorë në rrugë, nuk ka kaluar pa i hedhur një sy rreth e rrotull automjetit, nëse kishte apo jo ndonjë fletë gjobe. Por nuk ka pasur të njëjtin fat makina tip “Tauareg” ngjyrë blu, me targë TR 0025 Z, as një “Mercedez ML”, me targë të huaj, një “Honday” me targë TR 8101 R, një “Mercedez” tjetër me targë italiane, apo edhe disa makina të tjera me targa “Z”, të gjitha në pronësi të institucioneve.

GJOBAT E RRUGORES


Të pyetur rreth këtij aksioni të Policisë Rrugore, zyrtarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se është një veprim rutinë, në zbatim të planit të masave që ka si qëllim ndëshkimin e të gjithë kundërvajtësve. Burimet thanë se nuk do ketë asnjë lloj tolerance, qoftë edhe ndaj deputetëve apo zyrtarëve të lartë që shkelin rregullat e qarkullimit, duke filluar që nga parkimi i gabuar. Aksioni i djeshëm i Policisë Rrugore, edhe pse ra më shumë në sy te Kryesia e Kuvendit, ku po merrnin gjoba deputetët, ka vazhduar paralelisht edhe në zona të tjera të populluara të Tiranës. Prezencë e madhe e efektivëve të Qarkullimit, me blloqe në dorë duke shënuar gjoba, u pa edhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, atij “Zogu i Parë”, madje edhe para Parlamentit, tek ish-Blloku, Rruga e Kavajës, përgjatë Unazës së Vogël e para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burimet thanë se përllogariten mbi 100 gjoba të vendosura dje kryesisht për parkim të gabuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama