Aktore te rinj dhe kushte te permiresuara sezonin e ri 2014- 2015 ne Teatrin Kombetar

Aktore te rinj dhe kushte te permiresuara sezonin e ri 2014- 2015 ne Teatrin Kombetar

Me çeljen e sezonit artistik në Teatrin Kombëtar, drejtori i këtij institucioni, z. Hervin Çuli flet për risitë që do të ketë këtë vit

Aktorë të rinj do të vijnë në Teatrin Kombëtar që çeli sezonin ditën e mërkurë më datë1 tetor. “Si asnjëherë në këto 23 vjet, ne kemi deri tani 6 aktorë dhe aktore të reja të kontratuar me Teatrin Kombëtar, që kanë marrë role pasi kanë fituar audicionet, por kemi edhe dy audicione të tjera”, – u shpreh drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli.

Në mbrëmjen e hapjes së sezonit, ku ishin të pranishëm personalitete të artit dhe artdashës të shumtë, në prezencën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, z. Çuli prezantoi programin që përfshin nëntë pjesë, të cilat do të ngjiten në skenën e Teatrit nga muaji tetor deri në maj. Teatri i cili do të hapë sezonin këtë të premte, do të jetë “Udhëtim i gjatë drejt natës”, me regji të Spiro Dunit. Disa prej regjisorëve të tjerë që do të ngjiten në skenë do të jenë Arben Kumbaro dhe Hervin Çuli.

“Janë që nga Sesilia Plasari, e cila është një regjisore e afirmuar, por që e ka për herë të parë vendin në Teatrin Kombëtar, Saimir Gongo me ‘Shtëpia pa dritare’, një tjetër producent i TK, Erion Kame. Kemi ‘Gruaja në dritare’, një vepër e shkëlqyer e dramaturgjisë shqipe nga Arta Arifaj, kosovare me regji të Rovena Lules, por edhe Driada Dervishin”, – u shpreh z. Hervin Çuli për mediat.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë edhe përmirësimin e kushteve të Teatrit Kombëtar. Teatri do të ketë kushte më të mira ngrohjeje, pasi një firmë e njohur merr përsipër të sigurojë naftë me qëllim rinovimin e kaldajës së vjetër të këtij teatri.

“Gjatë periudhës së dimrit teatri do të jetë i ngrohtë. Një firmë shumë e njohur nafte na ka siguruar 10 mijë litra naftë, që e përballon të gjithë sezonin teatral. Ndërkohë jemi edhe me një tjetër kompani në tratativa, për të rinovuar kaldajën e vjetër të këtij teatri. Unë i premtoj publikut kryeqytetas, dhe do ta mbaj këtë, që salla e Teatrit Kombëtar do të jetë e ngrohtë gjatë stinës së dimrit”, përfundoi z. Çuli.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama