Aktoret nuk firmosin kontratat Bashkia u mbyll teatrin

Aktoret nuk firmosin kontratat, Bashkia u mbyll teatrin
Mosmarrëveshjet për nënshkrimin e kontratave të punës mes aktorëve profesionistë në qytetin e Gjirokastrës dhe kompanisë teatrore në varësi tëBashkisë së qytetit,  kanë regjistruar  përplasjen e radhës mes palëve. Mëngjesin e së hënës të 12 aktorët e trupës profesioniste, me urdhër të drejtuesve të kompanisë teatrore, nuk janë lejuar të hyjnë në godinën e teatrit “Zihni Sako” të qytetit. Grupi i aktorëve gjirokastritë, mes të cilëve edhe emra të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si Viktor Çaro, Irena Pilo, Liljana Ristani, Klement Konomi, Andon Pilo, Vasillaq Çuklla etj.

Kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me këtë veprim të drejtuesve të teatrit të Gjirokastrës. “Ne u paraqitëm në orarin e caktuar për të nisur punën, por pamë se dera e teatrit ishte mbyllur, ndërkohë që punonjësit e mirëmbajtjes së godinës na pohuan se kjo gjë ishte bërë me urdhër të drejtuesve të teatrit”, thotë regjisori Vasillaq Çuklla. Megjithëse aktorët kanë pritur disa orë në të ftohtin e dimrit, përpara godinës së teatrit, sërish ata nuk janë lejuar të hyjnë në mjediset e brendshme të godinës.

Drejtori i kompanisë teatrore, Thimio Fili, thotë se “aktorët nuk u lejuan të hyjnë në godinën e teatrit pasi ata nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratat  e punës me kompaninë ku janë punësuar, e cila është në varësi të bashkisë së qytetit”. “Asnjë prej aktorëve nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë individuale me kompaninë, çka bën që ata të mos jenë të punësuar në bazë të ligjit”, thotë Fili. Nënshkrimi i kontratave të punës nga ana e aktorëve gjirokastritë është  kthyer në  “mollë sherri ” mes tyre dhe bashkisë së Gjirokastrës.

“Pjesa më e madhe e jona ka rreth 30 vite karrierë në skenat artistike dhe nuk mund të pranojmë të nënshkruajmë kontrata punë me afate të ndryshme, pasi  kjo mënyrë është fyese për artistët”, pohon aktori Viktor Çaro, i cili njihet prej publikut të gjerë nëpërmjet rolit të patriotit Idriz Guri në filmin “Liri a vdekje” si dhe mjaft roleve të tjera në skenë dhe kinema. Nga ana e tyre aktorët gjirokastritë vazhdojnë të protestojnë në mënyrë të heshtur duke mos pranuar t’i nënshkruajnë kontratat  e punës të ofruara nga drejtuesit e kompanisë teatrore.

“Pjesën më të madhe të jetës unë e kam kaluar në skenën artistike të këtij teatri dhe nuk do të pranoj asnjëherë të nënshkruaj një kontratë pune me afat të caktuar, pasi teatri është jeta ime dhe do të vijoj të jem në skenë sa të kem frymë dhe jetë”, thotë aktorja Irena Pilo, e cila me bashkëshortin e saj, aktorin Andon Pilo, për rreth 30 vjet kanë interpretuar në skenën e teatrit të Gjirokastrës.

Ndërkohë drejtues të kompanisë teatrore, e cila është krijuar vitin e fundit me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, vazhdojnë të insistojnë në vendimin e tyre për të lidhur kontrata pune me secilin artist. “Megjithë respektin që kemi për karrierën e tyre artistike, sërish kontrata e punës përbën një akt zyrtar për punësimin e aktorëve. Në të kundërt, nëse nuk i  nënshkruajnë këto kontratë, minimalja atyre nuk mund t’u paguhen as sigurimet shoqërore”, pohojnë drejtuesit e kompanisë teatrore në Gjirokastër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama