E shkruar në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit. Ndryshe nga pjesa më e madhe e veprave të tij (duke përfshirë të gjitha komeditë), në krijimin e kësaj historie Shekspiri nuk u mbështet drejtpërdrejt në ndonjë pjesë ekzistuese, poezi narrative, kronikë historike apo në ndonjë burim tjetër, por krijoi një pjesë vërtet origjinale. Shumica e kritikëve janë të mendimit se edhe në qoftë se Shekspiri i ri nuk ishte në formën më të mirë të tij në këtë komedi, ai sigurisht është zbavitur gjatë kohës kur e ka shkruar atë. “Ëndrra e një nate vere” shpreh në mënyrë jashtëzakonisht lirike disa prej temave më të shkëlqyera shekspiriane, ku më të dukshmet janë ato të dashurisë të ëndrrave dhe të imagjinatës krijuese.
John Blondell është profesor i teatrit në Westmont College. Ai është drejtor dhe themelues artistik i kompanisë teatrore “Lit Moon”, dhe drejtor i Festivalit Botëror të Shekspirit. Ai është diplomuar në një master për artin dramatik në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe është kryetar i Departamentit të Arteve të Teatrit në Westmont College. Ai është fitues i gjashtë çmimeve në teatër. Më poshtë në një intervistë për gazetën “Shqip”, Blondell flet për mënyrën sesi e sheh teatrin dhe aktorët shqiptarë dhe si do të vijë në skenën shqiptare “Ëndrra e një nate vere”…
Sa e njihni teatrin shqiptar? Keni parë ndonjë pjesë teatrale të një regjisori shqiptar?
Nuk e njoh shumë teatrin shqiptar. Kam parë fragmente të shumta të pjesëve të Teatrit Kombëtar në DVD. Kam parë veçanërisht “Henry VI” pjesa 2, të shfaqur nga Teatri Kombëtar në “Globe”. Jam informuar kryesisht nga kolegët e mi në Teatrin Kombëtar, Adonis Filipi dhe Kristaq Skrami, si dhe aktorët që kam pasur nderin t’i takoj gjatë dy vizitave të mia në Tiranë.
Përse zgjodhët Shekspirin, e pikërisht një nga veprat e tij më të ndjeshme “Ëndrrat e një nate vere” për ta ngjitur në skenën shqiptare?
Pasi unë dhe Kristaqi diskutuam për zgjedhjen e një vepre, ai sugjeroi që unë të vija në skenë Shekspirin. Pranova menjëherë. Kam përvojë të madhe me Shekspirin, si në gjuhën angleze, ashtu edhe në gjuhët e tjera. Gjatë karrierës sime 30-vjeçare kam qenë regjisor i shumë veprave shekspiriane. Kam sugjeruar që të drejtoj një komedi, saktësisht “Ëndrra e një nate vere”. E kam bërë këtë zgjedhje për shumë arsye. Së pari, unë mendoj se është një nga komeditë më të shkëlqyera të shkruara në gjuhën angleze, dhe është padyshim një nga komeditë më të mira të Shekspirit. E adhuroj gërshetimin mes realitetit dhe fantazisë, elemente që janë pjesë të rëndësishme të veprës; i vlerësoj jashtëzakonisht personazhet dhe situatat; dhe atmosfera poetike e ëndërrimtare e komedisë përshtatet më së miri me aftësitë e mia regjisoriale. Më vonë, më kanë informuar se do të ishte hera e parë që kjo komedi do të ketë produksion të plotë në një teatër profesionist shqiptar – një mundësi e mrekullueshme! Ndihem tejet i emocionuar dhe i nderuar teksa do të punoj me aktorë shqiptarë dhe do ta gatis një vepër të tillë për audiencën shqiptare. Nëpërmjet lojës së aktorëve do të përpiqem të vë në pah humorin, veçantinë dhe lirikën që përbëjnë komponentët kryesorë të komedisë.
Ju jeni në fillimin e punës suaj me aktorët shqiptarë, megjithatë doja t’ju pyesja se si ju duken ata?
Përderisa do të filloj të punoj së shpejti me aktorë shqiptarë, është e vështirë të përgjigjem se ç’mendoj për ta në këtë fazë. Do të mund të përgjigjem qartazi pas një jave. Për momentin mund të them: mendoj se aktorët kanë nevojë për një zemër të madhe dhe një shpirt të madh; dhe ndër aktorët që kam takuar, e ata që kam ndjekur në skenë, mund të pohoj se sigurisht që ata e kanë në gjak teatrin. Në fakt, përderisa “Ëndrra e një nate vere” pasqyron perspektiva e qëndrime të ndryshme, si dhe përvoja të dashurisë, mendoj se aktorët shqiptarë i përshtaten përsosmërisht kësaj komedie. – Unë mendoj se ata do t’i krijojnë një dimension të ri të veprës, një dimension që do të jetë tepër i ndjerë, i thellë, i ngrohtë, i përzemërt, shpirtëror. Besoj se ata do të ndjekin kornizën kryesore të veprës, por edhe do të depërtojnë në hapësira të paeksploruara më parë që do ta bëjnë aktrimin mjaft poetik dhe transformues. Me siguri që do të kem shumë gjëra të tjera për të thënë ndërkohë që procesi vijon, por për momentin kaq kam. Me pak fjalë, mendoj se komedia, njerëzit e aktorët që kam takuar, përshtaten në mënyrë të përkryer, ndaj mezi pres të vërej dimensionet që do t’i sjellin komedisë aktorët, gjë që nuk e kam shtjelluar akoma. Në fakt, mezi po pres!
A vazhdon teatri të jetë vendi i mesazheve të mëdha dhe fillesa e ndryshimeve që përfshijnë më pas situata të ndryshme të një vendi?
Mendoj se teatri mund të jetë një terren dhe destinacion për shumë gjëra, të cilat mund të jenë shpresa, kënaqësia dhe një vizion të ri i ekzistencës njerëzore. Sa herë që e çoj ndërmend këtë oportunitet (është një privilegj i madh për mua), ndihem i nderuar t’ia prezantoj këtë pjesë audiencës dhe kulturës shqiptare. Kam studiuar kulturën e Shqipërisë vitin e kaluar (si edhe historinë e saj), ndaj edhe dua të bëj diçka që lidhet thellësisht me të, diçka që reflekton të shkuarën dhe të tashmen e saj. Jam i mendimit se çdo pjesë e arrirë teatrore – dhe vepra shekspiriane në veçanti – është pjesë e historisë së një populli, është pjesë e miteve të një populli, është pjesë e realitetit aktual të një populli. Shekspiri është njëherazi i përjetshëm dhe mitik. Ai i përshtatet çdo epoke. E në këtë mënyrë, vepra e tij mund të bëhet pjesë e transformimeve të jetës së njerëzve, të cilët pastaj mund të ndihmojnë në transformimin e kulturës.
Sa jeni njohur me kulturën shqiptare dhe a do të ketë elemente të saj në vepër?
Më parë kam punuar edhe në të tjera gjuhë, edhe me të tjera kultura. Çka më pëlqen më shumë nga puna në gjuhë e kultura të tjera është kuptueshmëria (ndonjëherë edhe vetëm një pasazhi, ideje apo fragmenti) e asaj që është e rëndësishme për një grup apo kulturë, një kuptueshmëri që pasi e përvetësoj, më ndihmon në produksion. Mendoj se vepra do të jetë një kombinim i përsosur mes ndjeshmërive shqiptare dhe amerikane.
Patjetër që kështu do të ndodhë! Përderisa do të shkrihen artistë të këtyre dy kulturave. E më pëlqen një gjë e tillë. Nuk mund ta arrij kurrë këtë që po bëj këtu me aktorë amerikanë dhe regjisorët shqiptarë nuk mund t’i sjellin produksionit atë që mund të bëj unë si amerikan. Do të jetë një kombinim unik. E adhuroj këtë mënyrë pune drejt të panjohurave që nuk mund t’i ndriçoj për momentin, por mund t’i imagjinoj imazhet dhe skenat.
Si njohës i mirë i dramaturgjisë shekspiriane. Çfarë u jep magji veprave të tij?
Dashuria ime për Shekspirin është e ngulitur thellë në zemrën time. Ai u krijon mundësi të jashtëzakonshme aktorëve, regjisorëve, publikut. Çka më pëlqen më shumë nga Shekspiri është se ai krijon një atmosferë vazhdimisht dinamike dhe të ndryshueshme. Është një artist që harliset mes kontrasteve – mes ndryshimeve të shpejta të atmosferës, jo vetëm ndërmjet skenave dhe momenteve më të zgjatura të komedisë, por edhe mes vargjeve të veçanta. Është mjaft ngacmuese për aktorët që t’i hipin kalit të gjuhës së tij dhe ta ngasin atë drejt shtigjeve të saj të ndërlikuara – gjithnjë në ndryshim. Më pëlqen të punoj me aktorët për të gjetur këtë dimension të gjuhës, për të gjetur pulsin, ritmin dhe dinamizmin që shtrihen në zemër të veprave të tij. Më pëlqen t’i jap jetë një akti teatral tepër tronditës, vizualisht bindës dhe jashtëzakonisht emocional. Dua që, kur njerëzit të dalin nga teatri, të përshkohen nga të tjera ndjesi – Shekspiri është në gjendje ta bëjë këtë dhe unë personalisht jam vazhdimisht duke u përballur, duke u provokuar, duke u ushqyer nga vepra e tij.