Aktori Reshat Arbana Nuk ndalem deri ne frymen e fundit

Aktori Reshat Arbana: 'Nuk ndalem deri ne frymen e fundit'
Bisedë me artistin e popullit, Reshat Arbana

Reshat Arbana, ndoshta është nder artistët e rrallë të merituar, i cili i meriton të gjitha epitetet e një artisti të madh, si tribuni, orfeu, kapidani, sepse me lojën e tij në teatër dhe në film, ai ka kapërcyer ylberin dhe qëmoti është ngritur në Olimpin e famës dhe të respektit. Reshat Arbana do të kujtohet gjatë për rolet e tij, të cilat kanë bërë histori. Ai, ka një shpirt të madh prej artisti, një ndjenjë të zjarrtë atdhetare dhe një pasion për punë të mbarë (dhe mbaresi) atdhetare! Arbana mbetët një artist i madh, me shpirt human(nist). Një lapidar i gjallë, e krenar, një ikonë e rrallë, që do të shkendijojë përgjithmonë. Ndjenja e tij atdhetare e bën sëcilin krenar, që është shqiptar. Puna e tij e bën jetën tonë kulturore më të dinjitetshme, më të respektuar dhe më të adhuruar. Pas gjithë asaj që ka bërë e vazhdon të bëjë Reshat Arbana, artisti i merituar, e meriton një respekt kolektiv dhe një përgjerim mbarëkombëtar.

I lindur me 15 shtator 1940 në Tiranë, Reshat Arbana shpejt u bë artisti më popullor i kinematografisë shqiptare dhe idhulli i këtij arti suprem. Ai, më zërin e tij të fortë, u dha shpirt roleve, duke i lartësuar e himnizuar artistikisht. Karrierën prej artisti Reshat Arbana e nisi më 1963, duke interpretuar këndej mbi 40 role në teatër dhe në film. Pas mbarimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, Aleksandër Moisiu të Tiranës për aktor, një kohë punoi në Radio Tirana, kurse që nga viti 1977 e derisa doli në pensionin e merituar ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.

SHENJA: Cilët janë hapat e para (vendimtare) në dërrasat e teatrit dhe na i cekni disa nga rolet tuaja më të dashura?

R. ARBANA: Mirë e keni formuluar pyetjen, sepse hapi i parë është vendimtar dhe hapi im i parë ishte hedhur qysh më 1963, kure rolet janë sikur fëmijët, nuk mund t’i ndash. Megjithatë, nëse insistoni, po ua them se rolet që i kam më afër zemrës janë ato të Isa Boletinit te “Nëntori i Dytë”, roli i Samiut në filmin “Fije që pritën”, “Gjeneral Gramafoni”, por ka edhe shumë role të tjera në teatër, film dhe seri televizive. Mirëpo, pengu im më mbetët roli i Dardan Kosovës, i cili nuk u realizua kurrë. Ishte një projekt shumë serioz dhe shumë afër realizimit, por dështoi dhe kurrë nuk i kam kuptuar arsyet dhe shkaqet pse nuk u finalizua. Është fjala për një film mbi luftën në Kosovë dhe roli i Dardan Kosovës (Adem Jasharit) më ishte besuar mua, por nuk u realizua dhe nuk kam shpjegim pse ndodhi kështu. Ky rol do të me mbetët peng tërë jetën time.

SHENJA: Jeni artist komplet në skenë, por edhe në jetë?

R. ARBANA: Faleminderit për këtë. Çka t’ju them?! Jam munduar që me interpretimet e mia ta mbajë gjallë idealin dhe frymën kombëtare – atdhetare, por edhe të përçoj shpirtin krijues të poetëve tanë, duke dashur ta shpalos mesazhin e tyre të madh dhe atë mesazh ta shtrij gjerë e gjatë në popull, për të zgjuar ndjenjat e fjetura eventuale. Jam munduar që mesazheve t’u japë pavdekësinë, pra përjetësinë, por edhe kuptimësinë, por edhe të shpërfaq mllefin e tyre ndaj shumë dukurive të këqija që pllakosnin mbi ne. Kush i vëren më mirë se artisti këto dhe guxon t’i thotë?!

SHENJA: Recitimet tuaja ishin njëfarë amaneti ose kumt atdhetar?

R. ARBANA: Është e vërtete kjo që thoni, por jo vetëm për atdhe, por edhe për flamur, që shqiptarët të mos mund t’i sundojë askush dhe asnjëherë. Mjaft ishim të sunduar, të përçarë e të (vetë)vrarë, anipse ne, denbabaden ishim në tokën tonë dhe kurrë nuk kemi qenë pushtues e gllabërues.

Unë i kam temat në tabanin kombëtar, rolet i përjetoj me emocione të forta, por kësaj i kam paguar tagër të lartë me shëndet, sepse çdo rol e marr seriozisht me devocion, emocion dhe vullnet e sakrificë deri në, do të thosha, (vetë)flijim!

SHENJA: Ju keni marrë pjesë në të gjitha manifestimet e Kosovës kushtuar Lirisë së saj?

R. ARBANA: Ashut është dhe këtë e bëj me qejf dhe vullnet të madh. Kam qenë disa herë në Prekaz, në Gllogjan, në Kleçkë, në Reçak, Gjilan etj. Kudo jam ndier i pikëlluar, i nderuar, por edhe krenar e “i vrarë” në shpirt. Përmes recitimeve të mia kam shpalosur sakrificën e djemve tanë trima, të cilët në lulën e rinisë dhanë gjënë më të shtrenjtë – jetën, për Lirinë e Kosovës, e cila pas një sakrifice të madhe, erdhi, kurse se sa jemi të kënaqur me pasluftën, kjo është çeshtje që kërkon shumë mund, por kryesorja është se Liria ka ardhur dhe atë duhet ta ujisim përditë, mu sikur lulen, në mënyrë që ajo të rritet dhe të kuptimësohet. Ëndrra shekullore për liri dhe pavarësi është realizuar dhe kjo ka shumë rëndësi.

SHENJA: Sikur lëshoni kushtrimin që mos të harrohet historia jonë dhe katrahurat tona nëpër kapërcyell të kohës…

R. ARBANA: Kjo është shumë e vërtetë. Ai popull i cili e harron të kaluarën, është i predispozuar që historia e dhembshme t’i përsëritet, madje në forma më të ashpra. Ne duhet të falim, sepse të falësh është burrëri, por nuk duhet harruar. Po ashtu duhet të punojmë fort e mirë që ta ndërtojmë atdheun, sepse vetëm më punë arrihet çdo gjë, ndërsa pa punë s’ka. Duhet evituar anarkinë, dembelinë, hasmërinë, xhelozinë e shumë vese të keqija, që fatkeqësisht vështirë po çrrënjosen nga mendjet tona. Pra, duhet t’i gëzojmë frytet e lirisë së shumëpritur, për të cilën dhamë aq shumë gjak. Kosova është lirë, por ende e ka plagën e hapur në trup, sidomos me të pagjeturit. Lufta e jonë ishte e drejtë, e shenjtë, prandaj e tillë duhet të jetë edhe paslufta. Të punojme dhe të dimë të ndërtojmë, e jo të rrënojmë…

SHENJA: Keni dëshmuar se arrtisti nuk ka moshë, arti nuk njeh pensionim…

R. ARBANA: Jo, jo, nuk ndalem deri ne frymën e fundit. Por, ja që rrethanat nuk janë gjithaq të favorshme për kulturën dhe artin. Arti është ndjenjë, por edhe sakrificë. Unë ende kam vulnet, pasion, ide, por…vështirë të realizohen. Ç’ti bësh, ky është fati i artistit, tjetër fat nuk presim, së paku jo ne gjenerata që po ecim, kurse shpresoj që gjeneratat e ardhshme ta kenë më mirë, sepse një popull matet me kulturë, e jo me patate. Mesazhi im sublim është: kulturë dhe vetëm kulturë, por edhe punë dhe vetëm punë, sepse pa punë nuk ka asgjë; është sikur puna e moçalit: nëse nuk rrjedh, ndotet.

Bisedoi: Shaqir Foniqi, Prishtin

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama