Pas studimeve, Blerimin do ta shohim në një sërë rolesh kryesore apo të dyta në filma gjermanë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. “Me pasion kam arritur të realizojë dëshirën time, ëndrrën për të qenë aktor. Punoj me shumë pasion. Unë jam i lumtur që hapat e parë që hodha në kinematografinë gjermane qenë të sukseshëm. Me këtë m’u hap rruga për t’u ngjitur më lart në këtë fushë. Tani që kam edhe përvojën, mund të them se të ardhmen e kam më lehtë”.
Por Blerimi nuk mjaftohet me kaq. Ai ka ambicje edhe më të mëdha për të ardhmen: “Kinematografia është pasioni im, tani për tani aktrimi para kamerës më përmbush plotësisht, por në të ardhmen mund ta provoj të gjendem edhe pas kamerës. Pra, më intereson filmi si krijimtari”. Blerimi kohë më parë përfundoi xhirimet e filmit “Gone back” në Holandë me regjisorin e ri Erest Meholli. I gjithë filmi është xhiruar në gjuhën angleze dhe ai interpreton së bashku me artistë të tjerë shqiptarë.
Për publikun shqiptar, Blerimi u bë mjaft i dashur me rolin e Shestanit në filmin “Koha e kometës”. Ky film i hapi shumë dyer Blerimit në kinematografinë ndërkombëtare. Boshti i filimit është mrekulia humane, në të cilën mbizotëron dashuria që sfidon pushtetet fetare dhe përjashtimin e izolimin që rrjedhin prej tij. Filmi i kineastit Fatmir Koçi është një prodhim gjermano-shqiptar me imazhet poetike dhe baritore të sjella nga mjeshtri irlandez i kameras, Donal Gilligan.
Blerim Destani nuk e fsheh admirimin që ka për artsitin e njohur shqiptar të skenës ndërkombëtare Bekim Fehmiu. “Për mua ai ka qenë dhe mbetet një frymëzim i pashtershëm. Rrugëtimi i tij drejt një karriere ndërkombëtare që në moshë të re më frymëzoi edhe mua për ta hedhur vështrimin përtej horizontit. Deri tani jam i kënaqur me rrugën që kam ndjekur, por ende ka shtigje në horizonte të reja, që dua t’i shkel”.
Jeta ime
I lindur në Gjermani, në Stolberg në vitin 1981, dhe i rritur në Tetovë, talentin e tij për aktrim Blerim Destani do ta zbulonte qysh në moshën 14-vjeçare ku ai interpretoi në rolin e parë të tij në një film televiziv shqiptar (Atje ku lind dielli). Qysh nga viti 1998 ai jeton dhe punon më shumë mes Gjermanisë dhe Maqedonisë. Studimet e aktrimit ai i kreu në Gjermani dhe në Angli.
Jeta private
Aktori i mirënjohur Blerim Destani është nderuar me çmimin “Gladiatori i artë” për kategorinë e interpretuesit më të mirë në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës. Juria e festivalit e nderoi për interpretimin e rolit të Nazim Tahirit në filmin belg “DOSSIER K”. Ky film u vlerësua me shumë çmime ndërkombëtare, dhe u shit në më shumë se 30 vende, ku përfshihen edhe SHBA (promovuar nga Sony Picture Classics). Pas interpretimit në filmat si “Metropolet”, Kosova-Desperate Search, Ein Fall für Zwei,etj. Blerimi luajti së fundi edhe në filmin e ri, “Pariser Platz-Berlin”.
Djaloshi 30-vjeçar megjthëse mjaft i suksesshëm si artist duket se ende nuk e ka arritur “suksesin” në jetën e tij private. Ai është në kërkim të vajzës që do t’i rrëmbejë zemrën për t’ia ndryshuar jetën prej beqari.