Aktorja Antoneta Papapavli është ndarë nga jeta para pak ditësh. Gjendja shëndetësore e kishte larguar plotësisht nga skena prej 23 vjetësh, por kujtimet për teatrin nuk u shuan kurrë nga kujtesa e saj. Në një intervistë të dhënë para ndarjes nga jeta, Papapavli tregon për rolet e para, për miqtë dhe respektin që ruante për ta, por edhe për sëmundjen e cila e ndau nga salla e teatrit dhe nga sheshi i xhirimit. Në të përshkruhet sesi ëndrra e saj e përnatshme e çonte në të njëjtin vend, me një shpejtësi të tejskajshme, disi skizofrenike dhe fare të përbindshme. Nuk duhet veç gjysma e sekondës, a mos më pak, dhe befas ajo gjendej atje, mes errësirës dhe në dritë, e rrethuar nga imazhe partnerësh të vjetër dhe me rekuizita që ndryshonin papritmas. Ndërsa ajo në vorbullën e një amalgame të pafundme shpërndritjesh, me një magji që vazhdon e s’ndalet, qëndronte drejt, pa u mbajtur kund. Nuk kishte nevojë për karrocë invalidësh dhe as për paterica paraplegjikësh, ajo nuk donte të dinte për këtë. Habia i ishte zhdukur dhe vetë dyshimet e ngritura si piramidë i rrëzoheshin njëherazi.
E ndërsa skenat i ndërroheshin vazhdimisht, ajo interpretonte mbi të e nuk ndjente lodhje. Zëri i rrëshqiste mbi koka spektatorësh në plate dhe ajo vazhdonte të luante e të luante dhe asnjëherë nuk ndjente lodhje. Ishte po e njëjta Antonetë ; paksa si një “Luizë” dramatike, a ndoshta si “Afroviti” tekanjoze, diku si një Klea e dashuruar dhe herë tjetër gjysmë orientalja Hatixhe. Por e gjitha kjo ishte veç një ëndërr, imazhi i së cilës i përsëritej kur donte dhe kur nuk ia kishte ngenë sigurisht. Antoneta Papapavli, kjo aktore e magjishme e skenës dhe kinemasë shqiptare, prej 23 vjetësh jetonte veç në ëndrrën e saj. Ishte tërhequr nga skena dhe teatrin nuk kishte mundësi ta ndiqte, as si spektatorja e radhës së fundit. Ndaj vetëm ‘kënaqej’ me ekranin televiziv, teksa pulti kërkonte pareshtur mes zhurmës aksione e triller hollivudjan, të ngujohej në stampën e njohur të vjetër, e pak të dalë boje; “Kinostudio Shqipëria e Re”. Më poshtë është intervista e fundit e aktores.
Znj. Antoneta, cilat ishin ambiciet, vështirësitë në rolet që keni interpretuar në vite?
Ambiciet, të them të drejtën, nuk kam pasur edhe shumë sepse ishin pedagogët dhe regjisorët që duke më njohur nga vitet e shkollës, më jepnin role kryesore apo dytësore, por që më vlerësonin gjithmonë e më shumë. Unë i arrija rolet dhe konsiderohesha nga stafi si një femër e talentuar dhe tepër logjike në interpretim. Karriera ime filloi në fakt që gjatë jetës studentore. Duke punuar me aktorë të talentuar të teatrit, fitova një përvojë të jashtëzakonshme, e cila e përsosi më tej punën time në skenë. Gjatë viteve ‘60 – ‘70 kam interpretuar role të shumta, por fatkeqësisht këto nuk janë regjistruar sepse në ato vite nuk ekzistonte Televizioni Publik Shqiptar. Me hapjen e kanalit të vetëm televiziv në Shqipëri, u bë e mundur regjistrimi i disa dramave, të cilat gjenden edhe sot në arkiv, si për shembull : “Karnavalet e Korçës”, “Lumi i Vdekur”, “Luiza Miller” dhe “Arturo Ui”.
Ku qëndron ndarja e roleve në teatër e kinema dhe ç’ndryshim ka midis tyre?
Besoj se s’ka aktor që të mos i pëlqejë rolet e teatrit e të skenës së vogël. Sepse të punosh një rol në teatër është një shkollë e madhe e përditshme dhe e pazëvendësueshme. Çdo ditë aktori perfeksionon veten dhe personazhin. Ndërsa të luajë një rol në kinematografi, aq më tepër për ne që sapo kishim dalë nga auditori, ishte një tjetër stres, sepse duhej të ishe tepër e saktë në interpretim. Kujtoj këtu filmin tim të parë: “Komisari i Dritës”. Në kinema, pra në role që kanë të bëjnë me kamerën, duhet të jesh shumë precize sepse filmi xhirohet vetëm një herë dhe mbetesh në celuloid ashtu siç ke vepruar atë çast.
Si e përjetuat ju si aktore periudhën e post-liberalizimit në vitin ‘73 dhe a patët pasoja?
Pas vitit 1973 edhe arti si çdo fushë tjetër e jetës u godit rëndë nga partia në pushtet lidhur me tendencat properëndimore dhe luftën kundër tyre. Unë personalisht nuk pata asnjë problem apo ndryshim të jetës profesionale. Megjithëse shikoja kolegët, të cilët herë pas here merrnin vërejtje e kishin pasoja të ndryshme në karrierë. Fatmirësisht unë nuk pata të tilla gjëra dhe i qëndrova besnike këshillave për të bërë detyrën time sipas parametrave të asaj kohe. Ndërkohë ndonjë kolege, që ishte komuniste, më kritikonte shpesh që të mos mbaja pantallona kauboj apo ndonjë veshje tjetër që nuk ishte e moralshme për kohën.
Po në skenë si do të ndihej kjo frymë e re?
Më kujtohet se atëherë filluam të vinim në skenë edhe shumë pjesë me regjisorë kinezë. Sa çudi?! Të kemi parasysh që në ato vite kishte ndikime dhe nga Revolucioni Kulturor. Por për punën e pantallonave, për të cilat në fakt kritikohesha ca si shpesh, justifikohesha sepse vetëm kështu nuk na dukeshin këmbët, apo shalët (siç thoshnim me shoqet) kur hipnim e zbrisnim nëpër kamionë me të