Akuza e ofendime Jashanica Ju rrefej golin ndaj Partizanit

Akuza e ofendime, Jashanica: Ju rrëfej golin ndaj Partizanit

Nuk ka paqe për Bajram Jashanicën pas humbjes 0-1 me Partizanin.jashanica Mbrojtësi kosovar i Skënderbeut është kryqëzuar më së shumti nga tifozët duke e sulmuar me komente në rrjete sociale, madje edhe me mesazhe private dhe me ofendime nga më të ndryshmet.

Akuzat e tyre kishin të bënin me vendosjen e Jashanicës te rasti i pësimit të golit, që për tifozët ishte "i pakuptimtë". I dëshpëruar nga humbja dhe nga sjellja e një pjese të tifozëve, që e kanë sulmuar me pa të drejtë, Jashanica me zë të dridhur flet ekskluzivisht për "Panorama Sport" duke treguar sulmin e padrejtë të tifozëve, si dhe ka shpjeguar se përse ndodhej në atë pozicion në momentin e golit.

Jashanica, dukeni i mërzitur një ditë pas ndeshjes.

Jo pak, por jam shumë i mërzitur. Jam shumë i mërzitur për humbjen ndaj Partizanit në shtëpinë tonë, sepse mund ta kishim kthyer në festë duke e mbyllur që dje kampionatin. Mbi të gjitha, jam shumë i mërzitur dhe mjaft i nervozuar për sjelljen e disa prej tifozëve të Skënderbeut që po më sulmojnë pa fund. Një sjellje jo e mirë kjo karshi meje.

E keni fjalën për komentet në rrjetet sociale për pozicionimin tuaj në aksionin e golit?

Po, pikërisht për atë.

I keni parë komentet?

I kam parë thuajse të gjitha ato çfarë janë thënë nëpër komente. Këta pseudotifozë, që nuk janë shumicë te Skënderbeu, kanë vijuar duke më ofenduar edhe në mesazhe private në profilin tim në "Facebook". Më kanë sulmuar pa fund dhe pa të drejtë. Kam qenë shumë i mërzitur pas ndeshjes, më shumë për tifozët, por pas kësaj sot nuk jam duke menduar për ata.

Ju kanë akuzuar shumë?

Po, pa fund. Jo vetëm akuza, por edhe ofendime nga më të ndryshmet janë drejtuar karshi meje. Mendoj se një gjë të tillë e bëjnë disa që as tifozë nuk mund t'i quaj, pasi nuk marrin vesh nga futbolli dhe vijnë vetëm për të sharë e ofenduar. Nuk dua të përgjithësoj dhe ruaj respekt për pjesën më të madhe të tifozëve të Skënderbeut, që na kanë mbështetur pa fund. Por kjo pjesë e vogël harron djersën që kemi derdhur ne si lojtarë të Skënderbeut për të bërë krenarë veten tonë, klubin dhe tifozët. Sulmojnë pa të drejtë dhe harrojnë se jemi ne ata që ishim në grupet e Europa Ligës.

Si e keni pritur këtë breshëri akuzash në adresë tuajën?

Nuk i kam pritur mirë normalisht. Më kanë shqetësuar shumë jo vetëm ato që më adresoheshin mua, por edhe ato në adresë të shokëve të mi. Kanë qenë mjaft ofenduese. Nuk dua t'i kujtoj dhe as t'i përmend. Por më duket e ekzagjeruar. Ne japim shpirtin në fushë.

Mendoni se ato akuza janë të padrejta?

Normalisht që janë të padrejta. Janë akuza që vijnë nga disa persona, të cilët nuk ia kanë idenë futbollit. Jam shumë i zhgënjyer. Gjithçka erdhi për atë vendosje te goli.

Pse zgjodhët të ishit në atë pjesë të zonës në atë moment?

Ata që nuk marrin vesh nga futbolli mund të flasin çfarë të duan. Unë po jua shpjegoj juve, pasi e di që do të më jepni të drejtë, sepse e njihni futbollin. Që në fillim të takimit, na është dhënë urdhër nga trajneri, mua dhe Arapit, që të mos aplikonim mbulim zone. Unë do të mbuloja një për një Ibrahimin dhe Arapi do të markonte Sukajn në çdo goditje këndi apo standarde. Gjatë gjithë takimit, ky ka qenë pozicioni im në faulle dhe korne. Në këtë moment, Ibrahimi ishte jashtë zone, disa metra larg meje. Unë qëndrova atje për t'i paraprirë një krosimi për atë, pra bëra punën time siç m'u ngarkua ta bëja. Kjo është e gjitha.

Keni një përgjigje për ata që ju kanë ofenduar?

Jo. Falënderoj tifozët e Skënderbeut që vijnë të na mbështesin gjithmonë. Për pjesën tjetër, që nuk dinë se çfarë është futbolli, do t'u tregoj medaljen dhe kupën në fund të kampionatit.

Keni besim që do të shpalleni kampionë?

Natyrisht që po. Jemi në vend të parë dhe kemi edhe një ndeshje për të luajtur. E dimë mjaft mirë se si duhet ta luajmë këtë takim të fundit dhe do t'ia dalim mbanë.

Pas kësaj humbjeje, ngarkesa psikologjike ka qenë e madhe...

Po, kemi qenë të ngarkuar psikologjikisht sot (dje) në seancën e parë. Kemi qenë pak me moral të rënë, por nga sot do të zhvendosemi në Durrës dhe do të jemi më të qetë larg presionit. Nuk duhet të vajtojmë këtë humbje, por të ringrihemi për ndeshjen e radhës dhe ta fitojmë. Lojtarët më me eksperiencë, si Shehi, Shkëmbi, Osmani dhe Salihi janë motivuesit tanë, po na japin zemër dhe po na ngrenë moralin.

Përgatiti: LLAZI SARO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama