Konstantin Xhuvanit iu komunikua sot akuza e Prokurorisë së Tiranës, si i dyshuari kryesor për vrasjen e katër shtetasve. 26-vjeçari Xhuvani dyshohet si autori kryesor për vrasjen e Enea Xhaj, Arbër Demiraj, Edison Jaho dhe shtetasit italian Giampaolo Azzolo, 10 ditë më parë në lokalin e natës “Ante Grand”.
Akuza iu komunikua këtë të premte në paraburgimin e Fushë-Krujës, ku Xhuvani qëndron pas masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës.
“Vrasja me dashje e dy apo më shumë personave” dhe “armëmbajtja pa leje” janë akuzat që rëndojnë mbi Xhuvanin, të firmosura nga dy prokurorët Erion Pano dhe Enklit Gjini, të cilët udhëhoqën hetimet që prej orës 4:30 të mëngjesit të 4 nëntorit kur ndodhi krimi.
Sipas burimeve të grupit hetimor mësohet se, gjatë komunikimit të akuzës Xhuani nuk kanë pasur kundërshtim, teksa sërish nuk pranoi të fliste asnjë fjalë lidhur me ngjarjen.
Kjo akuzë bashkë me faktet dhe provat që rëndojnë mbi 26-vjeçarin, do të dorëzohen të hënën në gjykatë, pasi hetimet për të janë të mbyllura.
Gjithashtu pritet që për shokun e tij Erald Sida, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit mbrëmjen e masakrës, të qëndrojë në fuqi ende masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi prokurorët kanë ende për të hetuar në lidhje me dëshmitë e dhëna prej tij.