TIRANË, 26 Tetor/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës reagoi sot, me anë të një njoftimi për shtyp, pas akuzave të Partisë Demokratike për konçesionin e hekurudhës Vlorë-Fier.
MTI sqaron opinionin publik, se proçedura konkuruese për konçesionin për rehabilitimin e segmentit hekurudhor Fier-Ballsh-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor.
Sipas MTI, deklaratat e bëra nga opozita janë keqinformuese dhe nuk tregojnë realitetin.
MTI jep edhe detaje mbi të dhënat kronologjike në lidhje me këtë konçesion, që tregojnë se Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë botimin për ftesën për ofertë në datën 8 qershor deri në datë 30 korrik 2015, rreth 50 ditë, ndërsa fituese u shpall oferta e vetme, që erdhi nga bashkimi i kompanive "ALB STAR" shpk dhe "Matrix Construction" shpk.
"Nga studime të shumta, infrastruktura hekurudhore në tërësi dhe ajo e këtij segmenti në veçanti, paraqitet tejet e amortizuar dhe kërkon ndërhyrje. Për këtë arsye, MTI, nëpërmjet një politike të hapur zhvillimore për infrastrukturën e transportin në Shqipëri, inkurajon biznese, vendas apo të huaj, të ndërmarrin iniciativa të partneritetit publik privat për realizimin e projekteve infrastrukturore, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët", thuhet në njoftimin e MTI.
Të dhënat për konçesionin e hekurudhës Vlorë-Fier
Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fier - Ballsh dhe Ballsh - Vlorë do të jepet me konçesion për një periudhe prej 25 vjetësh, brenda së cilës do të përfshihen: Periudha për rehabilitimin e segmenteve hekurudhore dhe periudha e operimit.
Investimi parashikon rinovimin e linjës dhe investime për mirëmbajtje dhe mjedisin. Pas shqyrtimit të Draft Studimit të Fizibilitetit, me Urdhër Ministri 54, 10 Prill 2015, është miratuar studimi i fizibilitetit "Për dhënien me konçension të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë".
Në datë 18 maj 2015, Komisioni i Dhënies së Konçensionit, i paraqiti Ministrit relacionin e hartimit të Dokumentave Standarde të Procedurës Konkurruese, në zbatim të Ligjit 125/2013 dhe VKM 575/2013; dhe vendimin e datës 19 maj 2015 për miratimin e këtyre dokumentave.
Me shkresë Nr. Prot. 3178, datë 2 qershor 2015, MTI i dërgoi për botim ftesën për ofertë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Agjencia e Prokurimit Publik bëri botimin e ftesës për ofertë në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 22, datë 8 qershor 2015, që mund të shihet në https://ëëë.app.gov.al/ep/2015_Arkiva_e_Buletineve.aspx .
Në datë 30 korrik 2015, ora 15:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit hapi ofertat për projektin, ku rezultonte vetëm një ofertë.
Në datë 26 gusht 2015, ora 11:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit konstatoi se në sistemin elektornik të prokurimit kishte vetëm një ofertë, nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive "ALB-STAR" sh.p.k. dhe "Matrix Konstruksion" sh.p.k. Në përfundim të vlerësimit të përpuethshmërisë me Dokumentat Standarte të Konkurimit rezultoi se Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive përmbushte kapacitetet dhe kualifikohet për fazën e mëtejshme.
Me vendim të datës 31 gusht 2015, Komisioni i Dhënies së Koncensionit, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i operatorëve "Alb-Star" sh.p.k. dhe "Matrix Konstruksion" sh.p.k., konstatoi se: Koha e zbatimit te punimeve është 46 muaj; Vlera e investimit është 1,394,569,680 lekë (infrastrukturë), 742,000,000 lekë (pajisje); Vlera e "Fee koncesionare" është 2.2% . Aktualisht, palët janë në fazë negocimi të kontratës koncensionare.
PD akuza për konçesonin e hekurudhës Vlorë- Fier
Deputeteja e Partisë Demokratike, Liliana Elmazi, akuzoi më herët kryeministrin Edi Rama se ka vendosur t'i japë mikut dhe donatorit të tij, djalit të Valentina Leskajt, një ekskluzivitet qeveritar, për 25 vite, hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë.
"Çdo mall që do transportohet për 25 vite, çdo pasagjer që do udhëtojë për 25 vite në këtë linjë, do paguajë paratë tek biznesmeni Arian Leskaj, mik i vjetër i Bashkisë së Edi Ramës, djali i nënkryetares së Kuvendit", theksoi deputetja Elmazi.
Sipas saj, "ky koncesion është bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim". "Kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, duke ditur se në hekurudhën Leskaj, do të transportohet nafta që prodhohet në ballsh, e cila shkon në Vlorë për t'u tregtuar më pas në Europë", tha Elmazi.
"Me filozonë pa tender, me fitues të paracaktuar, që janë gjithnjë miqtë e Edi Ramës po jepen çdo ditë ekskluzivitete për dekada të tëra. Çdo ditë, pas çdo tenderi, pas çdo koncesioni, pas çdo pasurie kombëtare po shfaqet një mik i Edi Ramës, që ndan fitimet më të", theksoi deputetja e PD-së. /a.ke/