TIRANË, 12 Nëntor/ATSH/.- Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj hodhi sot poshtë akuzat e opozitës se është në konflikt interesi, pasi djali i saj ka përfituar fonde nga tenderat publikë.
Duke marrë fjalën në parlament pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, znj. Leskaj tha se djali i saj është ndër taksapaguesit më të rregullt dhe në biznesin e tij ka zero para publike.
"Harrojeni se mund të më bëni pis dhe të më intimidoni duke sajuar histori me tendera. Unë jam krenare dhe e lumtur për fëmijët e mi dhe ju me akuzat tuaja nuk mund të më godisni apo të më dobësoni duke më shkaktuar trauma në familje. Djali im ka 20 vjet në biznes, të cilin e ka ngritur në kohën tuaj (të PD-së) dhe nuk ka një qindarkë para publike në punët e Arjan Leskajt. Ai vetëm ka paguar taksa dhe është një nga taksapaguesit më të rregullt. Zero para publike ka në biznesin e tij", pohoi Leskaj./a.s//m.m/