Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste deputetët kanë firmosur ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar mbi akuzat e opozitës për përdorimin e infrastrukturës ushtarake në trafikun e drogës. Ky propozim u bë nga mazhoranca pak ditë më parë dhe duket se sot kanë nisur procedurat konkrete. Akuzat e opozitës hedhin dyshime për ngritjen e avionëve me drogë edhe nga pistat e fluturimit të bazave ushtarake.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe sot kërkoi zbardhjen e dyshimeve, nëse infrastruktura ushtarake është përdorur apo jo për trafik droge.
“Ky nuk është një problem që e krijuam ne. Ky problem ka lindur nga informacionet zyrtare që posedojmë ne dhe qeveria. Ujkun nuk e krijuam ne. Ne kemi dhënë alarmin dhe nuk ndalemi derisa të qartësohet i madh e i vogël për të vërtetën. Kundërshtarët tanë lodhen kot me propagandën e tyre të dalë boje sikur ne po dëmtojnë imazhin e Forcave të Armatosura. Nuk po vëmë njolla, por po luftojmë të heqim njollat që sipas informacioneve që kemi, të dyja palët kanë lënë aty trafikantët e lëndëve narkotike”, deklaroi Basha.
Opozita nuk e vlerësoi si serioze nismën e socialistëve për ngritjen e një komisioni hetimor dhe ende nuk është e qartë nëse demokratët do të jenë apo jo pjesë e këtij komisioni.