Al Jazeera Shitet shtepia e Nenes Terezes

Al Jazeera: Shitet shtepia e Nenes Terezes

Një shtëpi mallrash së shpejti do të ngrihet mbi themelet e shtëpisë së vjetër të humanistes dhe nobelistes shqiptare Nëna Tereza. Një reportazh special i televizionit “Al Jazeera”, përshkruan se si qyteti i lindjes së humanistes shiti vendin ku gjendej shtëpia e familjes Bojaxhiu. Me këtë veprim shuhet edhe prona e fundit e familjes së humanistes Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezës.

Së shpejti do të largohet edhe pllaka përkujtimore që vazhdon të qëndrojë pasi do të nisin punimet për ndërtimin e një qendre tregtare. Autoritetet qeveritare dhe të komunës Qendër, disa vite më parë vendosën transferimin e shtëpisë së humanistes, duke ngritur një shtëpi përkujtimi në një vend tjetër. “Kjo është një trashëgimi kulturore dhe historike. Një nga fidanet këtu, ku është pllaka është mbjell nga vetë Nënë Tereza kur ishte në Shkup.

“Është punë e kryer kjo që po ndodhë dhe s’ka kthim prapa”, thekson Dimçe Petrusevski, anëtar i shoqatës “Shkupjania Nënë Tereza”.  Edhe nipi i humanistes, Alojz Gombar është i pakënaqur dhe i shqetësuar nga vendimi i autoriteteve dhe ai kërkon kthimin e pronës. “Unë nuk dua të ndjek rrugët gjyqësore, por dua që qeveria të vendos se a do të më dëmshpërblej për këtë pronë, apo do të më jap një pjesë të saj si trashëgimi”, ka theksuar Gombar.

Ministri i Transportit, Mile Janakievski ka rrëzuar pretendimet e Gombar, duke theksuar se, emri i tyre nuk përmendet në dokumentacionet e pronësisë dhe sipas dokumenteve të kadastrës së vitit 1929. Kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski ka theksuar se në këtë situatë komuna nuk ka fuqi për të ndryshuar asgjë.

Një kompani private ka blerë tokën për 1,6 milionë euro dhe se në këtë lokalitet do të ndërtojë një qendër tregtare,  për t’iu përshtatur projektit “Shkupi 2014”. Shumica e qytetarëve kërkojnë që të mbetet vendi i shtëpisë së Nënës Terezës, duke kundërshtuar ndërtimet e vazhdueshme në sheshin e Shkupit. /INA/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama