Një alarm fals për bombë në një gjimnaz te Drejtoria Arsimore e qytetit të Durrësit, alarmoi policinë mëngjesin e sotëm.
Një telefonatë në sallën operative të policisë, dha alarmin për bombë në këtë institucion. Menjëherë pas sinjalizimit, policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ku bllokoi kalimin e qytetarëve. Në vendin e ngjarjes, u gjend një celular mbi një pako të vogël mbështjellë me letër natriban dhe fije plastike.
Pakoja ishte vendosur në derën e gjimnazit. Policia vendosi perimetrin e sigurisë dhe ndaloi qarkullimin e mjeteve pranë kësaj zone, nga rreziku i shpërthimit të mundshëm. Aktualisht po punohet për identifikimin e personit që telefonoi në sallën operative, ndërsa dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë nxënës.
Forca xheniere nga Tirana mbërritën në Durrës, për të bërë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë. Gjimnasi ku është gjendur pakoja ndodhet në mesin e një kompleksi gjimnazesh të tjerë pranë Drejtorisë Arsimore. Aktualisht, mësimi në kompleksin e shkollave të mesme është ndërprerë. Po ashtu janë evakuuar të gjithë punonjësit e Drejtorisë Arsimore.