Një sinjal alarmi paralajmëroi hapjen e Festivalit të Librit dhe Arteve Pamore për të pasionuarit pas leximit, artit dhe muzikës. Një sirenë shurdhuese lajmëronte se diçka e madhe po ndodhte në qendër të kryeqytetit. Përmes sirenave të alarmit që dikur lajmëronin se “armiku ishte te dera” për turmat e frikësuara që u drejtoheshin me vrap bunkerëve dhe bodrumeve, artisti Vladimir Myrtezai provokonte njerëzit që të kishin ngasjen të hynin e të shihnin ç’bëhej brenda Muzeut Historik Kombëtar.
Sinjali në fakt ishte thirrje për indiferentët që kalonin në rrugën kryesore pa e prishur terezinë se për çfarë ishin mbledhur në shkallët e Muzeut Historik gjithë ata njerëz.
Zëri i Rudina Xhungës vinte i largët për ta, teksa lexonte pjesë nga romani “100 vjet vetmi”, për të kujtuar në këtë ditë të librit shkrimtarin Gabriel Garcia Marquez, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Ceremoniali vijoi me përshëndetjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, “kumbarja” e kësaj ngjarjeje të paralajmëruar, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, kryetares së Shoqërisë së Librit Shqip, Arlinda Dudaj etj, për t’u lënë vend njerëzve të shumtë që prisnin disi të paduruar për të vizituar ngjarjen e madhe që prej ditësh reklamohej në kryeqytet. Një ceremonial që nuk u mbyll siç ndodh zakonisht me prerje shiritash të kuq. Në vend të shiritit dhe gërshërëve, simbolika e Myrtezait funksionoi. Shumë prej indiferentëve të detyruar disi dhunshëm nga ai sinjal i fortë alarmi, kthyen kokën drejt posterave të mëdhenj që ishin vendosur në hyrje të Muzeut, të cilët paralajmëronin hapjen e Festivalit të Librit dhe Artit 2014 (23-27 prill).
Në atë hapësirë që në fakt i rrinte ngushtë këtij eventi, organizatorët kishin shfrytëzuar çdo cep të mundshëm për të promovuar kulturë. Stendat e 45 shtëpive botuese, institucione, universitete, shoqëri, kompani etj., kishin zënë gjithë hapësirën e oborrit të pasmë të Muzeut Historik dhe të sallës së vogël në hyrjen dytësore të tij. Salla kryesore shërbente si skenë e dytë e festivalit dedikuar vetëm arteve pamore. Është ende herët të flasësh për vizitorë apo për shitje në ditën e parë të këtij festivali, megjithatë, njerëzit e shumë që hynin e dilnin premtonin se ky festival do të lërë shenjë në jetën kulturore të kryeqytetit.
Çmimet e Festivalit
Festivali do gjenerojë në fund edhe dy çmime për dy fusha të rëndësishme, siç është libri dhe artet pamore. Autori më i mirë i vitit do të vlerësohet nga një juri, që mbahet sekret deri në ditën e shpalljes së fituesit, me çmimin “Ardian Klosi”, për shkak se ky festival është deri diku dhe një amanet i publicistit dhe përkthyesit të ndarë nga jeta tragjikisht. Për punën më të mirë në artet pamore, do të jepet sërish nga një juri e specializuar, emrat e të cilëve nuk bëhen publike, çmimi “Danish Jukniu”. Këto çmime mbështeten nga rrjeti “Traduki” dhe nga Galeria Kombëtare e Arteve.
Kafenetë letrare të kryeqytetit
Në stendën e Ministrisë së Kulturës po ngjiteshin posterat e fundit vetëm pak minuta para fillimit të ceremonisë së hapjes së Festivalit të Librit dhe Artit, ku ky dikaster ka tashmë stendën e vet. Në anë të stendës, një djalosh servirte kafe për të gjithë vizitorët. Këtë mënyrë ka zgjedhur Ministria e Kulturës për të shpallur nismën më të re “Një kafe & një libër”,që ka synim krijimin e hartës së kafeve letrare në kryeqytet.
Siç dhe është promovuar më parë, synimi i vërtetë është nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive e sidomos të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, editorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë. Kjo do të rriste potencialisht edhe rolin e kafeve të tilla si streha lexuesish dhe shkrimtarësh të rinj premtues, që mund të nxiten, sikundër e ka treguar përvoja europiane dhe botërore e letërsisë, nga një klimë e tillë pozitive ndaj artit dhe letërsisë.
Thanë për Festivalin
Mirela Kumbaro: Edukim përmes kulturës
E bukura e këtij festivali është se fjala bashkohet me vështrimin. paMUR është skena e dytë e këtij festivali që unë do t’ju lë ta zbuloni vetë. Njollat artistike do të gëzojnë gjithë shqisat tona, duke i shërbyer kështu asaj që është prioritet i kësaj qeverie: Edukimin përmes Kulturës. Përgëzime Shoqërisë së Librit që hap sot këtu e në vazhdim skenën për ‘fëmijët nga mosha 5 deri në 95 vjeç’, me imazhin, fjalën dhe portretet e njerëzve të shquar të letrave e artit, duke filluar me shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare. E gjitha kjo festë zhvillohet në një institucion shumë të rëndësishëm të kulturës sonë, Muzeun Historik Kombëtar. Nuk është një rastësi kjo, por një mesazh për të gjithë publikun që të kthejë vëmendjen drejt një qendre jo me hapësira pasive, por me skena të gjalla, jo vetëm me dëshmi të së shkuarës, por edhe me jetën e sotme.
Vladimir Myrtezai: Një erë e re po fryn në favor të kulturës
Edicioni i parë i Festivalit të Librit dhe Artit Pamor, si dhe disa domeneve të tjera, si akt kulturor i një lloji të ri, parashikon një lëvizje në bazë të shtresës kulturore shqiptare, përmes shkrimësisë dhe formave të tjera të zbulimit të ndërgjegjes krijuese në vend. Një prezantim korentesh dhe hapësirash arti, ku përkundër një atmosfere të ndezur do na lejojë të këqyrim në kthinat e ndërgjegjes me një formë të hapur e të lirë komunikimi me publikun. Një stacion lëvizës në kohë e në hapësirë për tërheqjen e mendjeve të kulturuara nëpërmjet gjeofizikës si kushti i parë i hapësirës, që tregon se edhe në Shqipëri po rinis një erë në favor, krahasuar kjo me lëvizjet globale kulturore. Kjo lëvizje e re, që krijon praninë fizike në këtë objekt muzeor të kryeqytetit, është sinjali i parë i lëvizjes së periferive të mendimit krijues të postuar në qendër; një qendër që e konsideroj si periferi të lëvizjes drejt qendrave të reja të shfaqjes, në një komunikim më të gjerë e më kompetitiv në hapësirat e mendimit global mbi kulturën, ku në rastin tonë e nisur si një lëvizje rajonale, me mundësinë për t’iu bashkuar lëvizjeve dhe korenteve tej kufijve, drejt një komunikimi pa mure.
Arlinda Dudaj: Shqipëria lexon…ky është mesazhi që duam të përcjellim
“Shqipëria lexon… ky ishte titulli që më erdhi në mendje sapo nisa të shkruaj këto rreshta që do të duhet të shpjegojnë se çfarë është kjo ngjarje që po përurojmë në këtë 23 prill, në zemër të një pranvere të re të një vendi që po ndryshon. “Festivali i Librit dhe Artit quhet ngjarja e madhe kulturore që hap siparin e saj në datën kuptimplotë të Ditës Ndërkombëtarë të Librit, në mjediset e Muzeut Kombëtar. Ky festival shpresojmë që të afrojë sa më shumë vizitorë nga qytetet dhe trevat shqiptare dhe jo vetëm”.