Alarm te Partizani Hoxha dhe Gomes me probleme

Alarm te Partizani, Hoxha dhe Gomes me probleme

Dëshira e trajnerit Andrea Agostineli ka qenë që Partizani të shkonte në Korçë me një distancë jo më të madhe se tri pikë me Skënderbeun.

10325596_503983013129433_1839642294838737418_nPor të premten të kuqtë do të zbresin në fushën e stadiumit të Korçës me 5 pikë larg kryesuesve, diferencë e cila e bën shumë të vështirë fitimin e titullit kampion.

Sikur të mos mungonte morali i ulët i skuadrës para kësaj sfide, e cila do të luhet të premten në orën 19:00, Partizani pritet të ketë edhe probleme të tjera.

Trajneri Agostineli nuk do ta ketë të plotë grupin, pasi disa mungesa janë të sigurta. Mazrekaj që prej kohësh e ka mbyllur sezonin dhe Stevan Raçiç që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Bylisit.

Por, edhe java stërvitore për transfertën e Korçës nuk ka nisur mirë, ku ka dalë në pah gjendja jo e mirë fizike e disa lojtarëve. Portieri Alban Hoxha dhe mesfushori Filipe Gomes janë në dyshim për aktivizimin ndaj Skënderbeut.

Shkak për këtë janë dëmtimet që po kalojnë dy lojtarët. Kapiteni humbi edhe ndeshjen e kaluar me Bylisin, ndonëse ishte projektuar si titullar, pasi është i lënduar.

Ndërsa braziliani ka dëmtuar gjurin ndaj Bylisit dhe, me shumë mundësi, pritet që të mos jetë i gatshëm për të premten. Dje ekipi ka kryer seancën e parë për transfertën e radhës, përgatitje të cilat janë zhvilluar në fushën e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa".

Hoxha dhe Filipe nuk kanë qenë prezent në këtë seancë, gjë e cila e shton edhe më shumë mundësinë që ata të mos jenë të gatshëm për Skënderbeun.

Lojtarët që luajtën ndaj Bylisit kanë zhvilluar një seancë me ngarkesë më të lehtë se pjesa tjetër e skuadrës. Titullarët kanë kryer kryesisht një përgatitje të karakterit atletik, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është stërvitur normalisht dhe me kohë të plotë.

ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama