Specialistët e shëndetit publik japin alarmin se kanceri do të jetë në një kohë shumë të shkurtër sëmundja që më së shumti do të vrasë shqiptarët. Mjekët onkologë thonë se numri i të diagnostikuarve me tumore të ndryshme vitin e shkuar është dyfishuar në krahasim me 5 vite më parë, duke shënuar mbi 5 mijë raste të reja në vit. Sipas tyre, nëse do të vazhdohet me këto ritme, kanceri do të jetë shkaktari kryesor i vdekshmërisë në Shqipëri, duke lënë pas rastet e të vdekurve për shkak të sëmundjeve të zemrës.
“Në Shqipëri viti që shkoi ka pak më tepër se 5 mijë raste të reja. Përpara 5-6 viteve kemi pasur të paktën 2 000 raste të reja. Mos harroni vetëm për 5-6 vjet janë dyfishuar rastet me kancer. Para disa vitesh kanceri ka qenë në vendin e pestë ose të gjashtë, dhe për 20 vitet e fundit kanceri ka zënë vendin e dytë për nga numri i vdekjeve. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri shumë shpejt ky numër mund të zërë vendin e parë”, tha për mediat Henrik Zotaj, Drejtor i Shërbimit Onkologjik në Banesë.
Për sa i përket vdekshmërisë, kanceri renditet e dyta sëmundje pas atyre kardiovaskulare. Të dhënat tregojnë se në 20 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve që vuajnë nga lloje të ndryshme të tumoreve duke e dyfishuar atë krahasuar me vite me parë.
Ndërkaq studimet më të fundit e rendisin rrezatimin si shkaktarin kryesor të kancerit. Teknologjia dhe përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i pajisjeve që lëshojnë rrezatim, si: kompjuteri apo celulari: po kalon çdo parashikim. Ndërsa faktorët gjenetikë, përdorimi i duhanit dhe alkoolit janë shkaktarë të kancerit, që po kalojnë tashmë në plan të dytë.
“Një ndër faktorët kryesor të saj dihen tashmë që janë rrezatimet e të gjitha llojeve. Ka dhe faktor gjenetik në këtë, po nuk është ai që trashëgon kancerin. Persona të sëmurë ose që kanë pasur të sëmurë me kancer në familje kanë një element tjetër.
Ata kanë predispozicion më shumë se të tjerët, që do të thotë të kenë kujdes më tepër se të tjerët, të kontrollohen më shpesh se të tjerët”, thotë Zotaj. Janë të rinjtë ata që janë përdoruesit më të mëdhenj të pajisjeve teknologjike dhe për këtë arsye, Autoriteti Shëndetësor Rajonal organizoi një aktivitet sensibilizues me gjimnazistë të kryeqytetit. Mjekët u folën atyre për sëmundjet tumorale dhe u dhanë këshilla për rrugët e parandalimit të kancerit. Gjithashtu, edhe mjedisi dhe ajri i ndotur janë faktorë të tjerë që tregojnë rritjen e kancerit te mushkërive, sidomos në zonat industriale ku ka edhe mbetje dhe substanca toksike. Ndërsa femrat që jetojnë pranë zonave me ndotje te tillë rrezikojnë një menopauzë të hershme.
Faktorët nxitës:
Teknologjia dhe përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i pajisjeve që lëshojnë rrezatim
Duhani njihet si një nga faktorët kryesore për shfaqjen e tumoreve në mushkëri
Mbetjet toksike dhe industriale shkaktojnë kancer të mushkërive dhe menopauze tek gratë
Pirja e alkoolit njihet si një nga faktorët kryesore të shfaqjes së kancerit të stomakut
Elementet toksike te ushqimet përbëjnë rrezik për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë
Rrezet radioaktive mbeten një nga shkaktarët kryesorë të shfaqjes së kancerit në lëkurë
Niveli i lartë i hormoneve sjell menopauzë të shpejtë tek gratë dhe tumor të qafës së mitrës
Konsumimi i ujit të ndotur bëhet shkak mutacione të ndryshme dhe shfaqje të tumoreve
Kimikatet që gjenden në shtëpi janë një nga faktorët kryesore të shfaqjes së kancerit në mushkri
Gazi, benzina, vajguri sidomos për punonjësit në këto sektore janë shkaktar për shumë tumore
Produktet farmaceutike nëse janë të pakontrolluara bëhen shkak i shfaqjes së tumoreve të ndryshme
Produktet kozmetike të një cilesie te dobët nxisin shfaqjen e tumoreve të lëkurës