Menaxheri i kombëtares shqiptare, Alban Bushi, ka bindjen se Xhani De Biazi do të vazhdojë të qëndrojë në drejtimin e përfaqësueses kuqezi, edhe pse trajneri gjatë kohëve të fundit nuk e ka fshehur aspak dëshirën e tij për tu ulur në stolin e ndonjë përfaqësueseje të madhe.
"Çdo njeri ka ambiciet e veta për të arritur më lart. Mbase ai ka objektiva të tjera, por është trajner i Shqipërisë, ka kontratën me ne, pavarësisht se ka klauzolën. Ne jemi të hapur, por unë nuk besoj se ai do të lëvizë, sepse jemi gjithë kohën në kontakt me të, po përgatitemi për ndeshjet e Botërorit", deklaroi Bushi për "Top Channel".
Sipas tij, tashmë përgjegjësia e të gjithë stafit dhe lojtarëve kuqezi është më e madhe, pasi ashtu është edhe pritshmëria. "Tani pretendimet janë rritur për kombëtaren shqiptare, kërkohet vetëm fitore. Lojtarët që kanë qenë, do të jenë sërish pjesë e grupit, por besoj se do ketë sjellje të reja të trajnerit" ishin fjalët e tij.
Duke u ndalut te lojtarët, Bushi ka lënë të kuptohet se e priste edhe bllokadën që u është bërë disa futbollistëve nga klubet përkatëse duke i penguar në një transferim të mundshëm. "Klubet ku janë aktualisht lojtarët i kanë ngritur vlerat e tyre në shifra shumë të mëdha, i kanë dyfishuar. Si në shembullin e Sadikut, për të cilin Zyrihu kërkon 4-5 milionë euro. Pastaj duhet marrë parasysh fakti se ne jemi një ekip modest dhe në këtë kampionat nuk shkëlqyem si individë, por si grup", deklaroi Bushi.