Albanologia Lucia Nadin nderohet nga Presidenti Nishani me Dekoraten Gjergj Kastrioti Skenderbeu

TIRANË, 10 Nëntor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, çmoi të martën me një ceremoni të veçantë albanologen, studiuesen, historianen dhe shkrimtaren e shquar italiane, Lucia Nadin, me Dekoratën "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" me këtë motivacion: "Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm shkencor dhe promovues në zbulimin e rrënjëve dhe lidhjeve europiane të Shqipërisë gjatë kohës së Republikës së Venedikut, për veprimtarinë e saj të paçmuar akademike dhe pedagogjike në fushën e albanologjisë, për shpirtin e saj altruist dhe angazhimin e drejtpërdrejtë në forcimin e lidhjeve kulturore e akademike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane".
Në përshëndetjen e tij në prani të autoriteteve vendore, përfaqësuesve të klerit katolik, akademikëve, profesorëve dhe historianëve, Kreu i Shtetit shprehu "mirënjohjen e pamat për historianen dhe albanologen par excellence", e cila, tha ai, "jo vetëm afroi edhe më tepër dy vendet dhe popujt miq e fqinjë të përjetshëm, por rizbuloi dhe nxori në dritë mjaft nga lidhjet e pazgjidhshme historike, kulturore, politike e fetare mes tyre".
Presidenti Nishani vlerëson albanologen e shquar italiane, Lucia Nadin me Dekoratën Duke vënë në dukje se zonja Nadin ka jetuar dhe punuar në vendin tonë gjatë viteve '90-të, Presidenti theksoi rolin e pazëvendësueshëm të saj prej amvise të përkryer historie dhe qëmtuese plot durim e pasion.
"Veprimtaria e saj si lektore e letërsisë italiane, si promovuese e palodhur studimesh dhe kërkimesh shkencore, shtrihej që nga Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës, nga Tirana duke bashkëpunuar me Arkivin e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar, nga Elbasani e deri në Korçë" tha Presidenti.
Fokusi i saj, vijoi ai, kanë qenë marrëdhëniet shumëtrajtëshe mes shqiptarëve dhe Republikës së Venedikut para dhe pas periudhës së lavdishme të Skënderbeut, duke na lënë si trashëgim mes shumë të tjerash edhe një vepër tejet interesante siç është ajo e titulluar 'Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552´´, shtoi Nishani.
"Luçia Nadin ka meritën e saj të jashtëzakonshme dhe kontributin e pamohueshëm në të gjitha këto arritje shkencore, akademike, historike dhe letrare. Ajo punoi, sakrifikoi, hulumtoi, botoi dhe u përpoq pareshtur duke derdhur djersë e mund si e vetmja albanologe e gjallë e periudhës së Skënderbeut, gjithmonë e karakterizuar nga shpirti i saj altruist, pas asnjë lloj përfitimi material, por vetëm e shtyrë nga interesi shkencor për të provuar me dokumente historike rrënjët vërtet evropiane të kombit shqiptar", nënvizoi Presidenti i Republikës në ceremoni. /a.s/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama