Albanologjia me veshtrim nga e ardhmja

Albanologjia me veshtrim nga e ardhmja
Sot ndalim për një çast hapin për të përkujtuar rrugëtimin tonë 100-vjeçar në fushën e Albanologjisë, e për të parë gjithsecili në fushën e vet e të gjithë së bashku ngjarjet më kulmore të këtij rrugëtimi. Por më shumë se për të përkujtuar, siç e do zakoni në raste të tilla, ky çast simbolik shërben njëkohësisht për të reflektuar rreth këtij rrugëtimi e për të analizuar se çfarë u bë mirë e çfarë nuk u bë mirë, çfarë varej prej nesh e çfarë nuk varej prej nesh. Por edhe ky reflektim nuk duhet të shërbejë për të mbetur në të shkuarën, a për të qenë peng i saj.

Ai mund të na shërbejë për të kuptuar e për të krijuar një vetëdije të plotë, e cila mund të shërbente për t’i përqendruar energjitë tona e për të bërë më mirë të tashmen dhe të ardhmen. Më shumë se çdo popull tjetër, për ne shqiptarët, është e domosdoshme të fitojmë kohën e humbur dhe të mos e shpërdorojmë më atë, të ngrihemi dhe të kapërcejmë mbi vetveten, ta çlirojmë atë nga komplekset dhe paragjykimet, të dalim prej kompleksit të inferioritetit dhe gjykimit kolektiv e të ecim drejt rritjes sonë të gjithanshme e krah për krah kombeve të tjerë.

Në këta 100 vjet, ne shqiptarët nuk ishim më të përkëdhelurit e historisë: herë për shkakun tonë e herë për atë të të tjerëve. Pas 1912-s ne patëm një shtet të mbikëqyrur, dy luftëra botërore, një monarki dhe një diktaturë komuniste, pak parlamentarizëm në vitet ’20 dhe këto dy dekadat e fundit një demokraci parlamentare në tranzicion. Kombi u nda në mënyrë të pashembullt në Evropë në 5 shtete, duke i shpërndarë energjitë e tij në gjithë Ballkanin perëndimor dhe, bashkë me prapambetjen ekonomike, politike e shoqërore të trashëguar e politikën asimiluese të shteteve fqinje, ai e kishte të vështirë të ngjallej e të ngrihej shpejt si feniksi nga hiri i vet, pa një mbështetje të fuqishme.

Një aleat i fuqishëm që i qëndroi përkrah në momentet kritike të qenësisë si shtet ishte SHBA-ja. Është rasti të kujtojmë dhe të nderojmë këtu kontributin e vyer të Presidentit Wilson për vendosmërinë e tij në emër të SHBA-së në njohjen e shtetit tonë. Dy aleatët e tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, ish-BS dhe Kina më pas, për vetë pasojat e këtij sistemi ideologjik dhe zgjedhjes që bënë elitat politike të kohës, nuk rezultuan përherë dobiprurëse për shqiptarët.

Ndaj edhe Albanologjia nuk mund të dalë e shkëputur nga ky kuadër historik; ajo ka dritëhijet e veta, arritjet dhe mangësitë, sukseset dhe dështimet.

Studimet albanologjike pas Pavarësisë kanë si tipar hulumtime, si jashtë vendit, ashtu edhe brenda vendit, ku gradualisht do të bëhet profilizimi i shkencave brenda saj dhe krijimi i institucioneve të para të albanologjisë si: Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918), me mbështetjen e austriakëve, e cila përcaktoi disa rregulla të drejtshkrimit të shqipes. Pas viteve ’20 kemi një gjallërim të institucioneve albanologjike me hapjen e Bibliotekës së parë në Tiranë (1922), si dhe filloi puna për Muzeun Kombëtar, i cili u pasurua edhe më shumë pas 1932, kur u bënë festimet e përvjetorit të Pavarësisë.

Më 8 prill 1940 u formua Instituti mbretëror i Studimeve Shqiptare, i cili përbëhej nga 4 komisione ekuivalente me departamentet si: 1. Komisioni i shkencave morale dhe historike, 2. Komisioni i shkencave të natyrës, 3. Komisioni i gjuhës dhe i letërsisë, 4. Komisioni i arteve. Kryetar u zgjodh Mustafa Kruja e, më vonë, ai u zëvendësua nga Hasan Dosti kurse, më 22 prill 1944 Instituti ndryshoi emrin në Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte. Gjithashtu, në vitet ’35-‘40 u bë një punë e jashtëzakonshme për kohën, në fushën e toponimisë për shqipërimin e saj, që lidhej me nevojat për ndarjet administrative.

Një rol të veçantë luajtën në këtë periudhë në SHBA Shoqëria “Vatra”, si dhe një numër i rëndësishëm periodikësh si: “Kombi”, “Dielli”, revista “Albania”, që trajtonin probleme të albanologjisë në aspekte të ndryshme të saj. Qysh më parë, në këtë drejtim vlen të vihet në dukje edhe revista “Fiamuri i Arbërit” tek arbëreshët në Itali. Po kështu deri vonë një rol të rëndësishëm në trajtimin e dukurive filologjike luajti edhe revista “Hylli i Dritës”.

Gjatë viteve 1945-1990 u ngritën institucionet e para të albanologjisë shqiptare: Universitetit i Tiranës me Institutet e Historisë, të Gjuhësisë dhe Arkeologjisë si pjesë e tij. Më vonë u krijua Akademia e Shkencave (1972), dhe këto institute u bënë pjesë e saj. Hap pas hapi do të ngriheshin në Kosovë Universiteti dhe Akademia e Kosovës me institutet e veta, disa universitete në Shqipërinë politike dhe së fundmi, pas Marrëveshjes së Ohrit u krijuan në Tetovë USHT-ja dhe UEJL-ja. Një rol të rëndësishëm në fushën e albanologjisë ka luajtur edhe Biblioteka Kombëtare dhe Arkivi i Shtetit. Sot veprojnë në botë disa qendra të rëndësishme albanologjike jashtë vendit si: Kozenca, Palermo, Mynihu, Shën Petërburgu, si dhe është hapur mësimi i gjuhës shqipe në një numër të madh vendesh.

Në fushën e gjuhësisë një vend të rëndësishëm zunë studimet historike mbi origjinën e shqipes, marrëdhëniet e saj me gjuhët në kontakt, studimi i arritjeve të albanologëve në funksion të qëllimeve të mësipërme. Nga ana tjetër, studime me vlerë pati në fushën e dialektologjisë, që kulmuan me formimin e gjuhës standarde, me të cilën lidhen edhe vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, si dhe hartimi në vijim i fjalorëve, gramatikave dhe fonetikave mbi shqipen standarde dhe marrëdhëniet e saj me dialektet, si dhe një numër i konsiderueshëm monografish për çështjet në fjalë.

Në fushën e letërsisë proceset letrare të zhvilluara brenda harkut kohor të shekullit të fundit, kanë dëshmuar një rritje të dukshme nga pikëpamja sasiore dhe cilësore, duke përcjellë te lexuesi vepra të profileve të larmishme gjinore dhe stilistike, mjaft prej të cilave janë skalitur tashmë si pjesë përfaqësuese e historisë së letërsisë shqipe. Mbi të gjitha, letërsia e këtij shekullit të pas Pavarësisë, u përcaktua me lëvizjet e saj të brendshme, në aplikimin e jo pak prirjeve novatore e moderne të kohës, duke qenë e përcaktuar kështu si një letërsi e pashkëputur nga lëvizjet letrare europiane. Rruga e kësaj letërsie, kudo ku ajo është lëvruar e ka qarkulluar, brenda Shqipërisë politike, në Kosovë dhe hapësirat e tjera etnike, ashtu si dhe në diasporë, ka pasur doemos arritjet, por dhe sfidat e veta, të natyrës letrare dhe jashtëletrare, ka pasur pengesa të natyrës politike e nacionale.

Në fushën e historisë mund të përmendet hartimi i Historisë së Shqipërisë në disa faza (1958, 1965, 1984), ajo më e plota e pas viteve ‘90, si dhe disa dhjetëra monografi që shërbyen në këtë drejtim.

Mirëpo albanologjia e kësaj periudhe ishte një shkencë në mjaft raste dogmatike, e mbushur shpesh me mite dhe e ndërtuar sipas disa skemave të paracaktuara. Si shkrimi i historisë dhe mësimdhënia e saj, në të gjitha nivelet e shkollave, iu larguan qëllimit shkencor dhe atij pedagogjik dhe u vunë në shërbim të politikës dhe propagandës komuniste.

Deri në prag të viteve ’90, mund të themi se zhvillimet e albanologjisë jashtë trevave tona shquheshin për një qasje më shkencore, por në mjaft raste studiuesit e huaj i studionin dukuritë albanologjike së jashtmi, në kuadrin e dukurive ballkanike a më gjerë, duke u munguar në mjaft raste njohja nga afër dhe e detajuar e fakteve të shqipes. Por edhe studimet albanologjike të studiuesve vendas, me pak përjashtime, nuk kishin nivelin e duhur teorik, pasi mungonte tradita akademike; vendi ishte i varfër (sidomos deri në vitet ’40) dhe nuk e kishte mundësinë për të mbështetur studime bazë, apo për shkak të mbylljes dhe mungesës së kontaktit me arritjet teorike gjatë regjimit komunist.

Nga ana tjetër, studimet e kësaj periudhe i vunë shkencat albanologjike nën trysninë e në shërbim të dy ideologjive, të cilat ua deformuan këtyre shkencave objektin, metodën dhe vetë ligjësitë. Këto dy ideologji ishin: nacionalizmi dhe komunizmi. I pari nuk ishte thjesht shqiptar. Ai ishte dhe është, edhe sot e gjithë ditën, ballkanik, kurse i dyti ishte shqiptar dhe përgjithësisht ballkanik. Këto dy ideologji e ideologjizuan albanologjinë; i larguan shkencat nga “ideologjia“ e tyre, e cila buron nga vetë natyra e tyre. Këto ideologji shfrytëzuan dhe përdorën shpesh njëra-tjetrën për të glorifikuar një nacionalizëm emocional, në shumë raste mitizues, që nuk kishte lidhje me patriotizmin racional. Në këtë garë ziake mediat u kthyen në një sistem propagande, dhe u vunë nën kontrollin e censurën e rreptë ideologjike.

Studimet historike në fushë të historisë, gjuhësisë, etnologjisë, arkeologjisë, letërsisë etj., ashtu si në një pjesë të mirë të Ballkanit edhe te ne e lidhën objektin e kërkimit në funksion të këtyre ideologjive. Hera-herës ato ranë edhe në kurthin doktrinar nacionalist të hedhur si karrem prej akademive të disa vendeve ballkanike, të cilat përfituan nga disa burime të hershme dhe e kthyen këtë “kërleshje akademike” duke e bërë kalin e tyre të betejës. Në funksion të kësaj doktrine u ndërtua një filozofi edukimi rreth imazhit të fqinjit. Testet shkollore kombëtare në Ballkan u mbushën dhe vazhdojnë ende (sidomos në disa vende rrotull nesh) të kenë informacione të deformuara për fqinjët.

Pas viteve ’90, shkencat albanologjike u ndodhën para sfidës së shkëputjes prej kësaj doktrine ambivalente. Studiuesit shkuan në Perëndim për të njohur arritjet teorike dhe për t’i zbatuar ato në trajtimin e dukurive historike, gjuhësore, letrare, etnologjike, arkeologjike, mediologjike etj. Mirëpo zëvendësimi i një procesi e metodologjie formimi me një formim e metodologji të re nuk është thjesht e vetëm çështje sistemi dhe vullneti. Ai kërkon doemos kohën e duhur dhe ecën paralelisht edhe me edukimin e brezave të kërkuesve.

Sot, në departamentet tona po krijohet një bashkëjetesë formimesh e prurjesh nga shkolla të ndryshme perëndimore, duke sjellë qasje nga këndvështrime të ndryshme prej objekteve të shkencave albanologjike. Kontakti me arritjet teorike perëndimore, me arkivat dhe me studiues të huaj, që merren me problemet e albanologjisë, kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejt në studimet albanologjike.

Kontaktet me bibliotekat e universiteteve apo të Qendrave Studimore të Europës dhe të Amerikës, si dhe përkthimi i disa kryeveprave të shkencave teorike perëndimore ka pasur rezultate të prekshme për sa i përket mënyrës së konceptimit dhe të trajtimit të shkencave albanologjike, duke sjellë botime me vlerë në fushat përkatëse.

Megjithatë, duhet theksuar se një pjesë e këtyre botimeve vuajnë ende nga një ngushtim perceptiv e deri në retorika propagandistike dhe folklorizma. Ende ato shfaqin një varfëri të theksuar të burimeve teorike e faktike, si dhe vuajnë nga një mungesë këndvështrimesh të reja metodologjike e teknikash rigorozisht shkencore. Në gjithë Ballkanin, në frymën globale të integrimit disa tekste shkollore dhe monografi duhet ende të çlirohen nga efektet e nacionalizmit emocional e provincial ballkanik.

Ndaj edhe departamentet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë po i kushtojnë një rëndësi të veçantë edukimit nëpërmjet cilësisë së informacionit teorik dhe përvetësimit të metodës së kërkimit. Nga ana tjetër, departamentet tona e kanë bërë më të larmishme kurrikulën universitare në përputhje me sfidat që ka vetë shoqëria jonë për të sotmen dhe të ardhmen e saj.

Në mënyrë më specifike, departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ka hartuar një kurrikul të re, e cila ndjek zhvillimet në shkencat e sotme të komunikimit dhe të informimit në Perëndim, të cilat, në këto pesë dekadat e fundit, kanë bërë një hop të pakrahasueshëm. Ato janë tashmë pjesë përbërëse e shkencave albanologjike me të njëjtin status metodologjik sikurse edhe shkencat që kanë përbërë trashëgiminë e tyre teorike.   Shkencat e komunikimit sot po kërkojnë gjithmonë e më fort vendin e tyre jo vetëm si një përqasje teorike për të menduar historinë, por edhe si një nga alternativat e reja epistemologjike të sistemit të shkencave të sotme sociale dhe humane.

Mbi të gjitha, duke u nisur nga përqasjet teorike të Shkollës së Torontos dhe analizat e Mac Luhanit, është bërë e mundur që mediat të shihen jo vetëm si pasqyruese e zhvillimeve shoqërore, por edhe si krijuese e në shumë drejtime edhe përcaktuese të tyre. Ideja e Mac Luhanit se “Mesazhi është vetë mediumi” jep mundësinë që brezat e rinj të të diplomuarve në këtë fakultet të ndriçojnë anë të veçanta të zhvillimit tonë shoqëror, si edhe trajektoren historike sintetike të vendit, edhe nga pikëpamja e infrastrukturave mediatike, që kanë njohur një evoluim të shpejtë në këto njëqind vitet e fundit.

Departamenti i Historisë ka ndërtuar një kurrikul mjaft të larmishëm dhe në përputhje me kërkesat që shtron tregu, duke filluar nga studimet historike e deri te studimet mbi trashëgiminë kulturore, arkeologjinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Një vend të rëndësishëm ka zënë studimi i autorëve të traditës, veprat e të cilëve ishin dikur të ndaluara. Afrimi një profesorati të përgatitur në shkolla të ndryshme perëndimore ka sjellë një larmi këndvështrimesh. Këtij profesorati i janë bashkuar edhe historianë të huaj, të cilët po sjellin të reja nga arkivat e vendeve të tyre.

Ndërkaq, vetë studiuesit tanë për vite me radhë po shkojnë në arkiva për të zbuluar të dhëna që e ndriçojnë më mirë historinë tonë dhe raportet me fqinjët, si dhe për të njohur më nga afër teoritë e reja. Botime të rëndësishme kanë parë dritën e botimit. Pyetjes mbi domosdoshmërinë e botimit të Historisë së Shqipërisë, që artikulohet hera-herës, studiuesit po i përgjigjen hap pas hapi se Historia e Shqipërisë do të jetë fryt i këndvështrimeve të ndryshme mbi bazën e të cilave po shkruhen histori Shqipërie dhe fakteve të rejave që po dalin nga hulumtimet e tyre. Gradualisht vendin e politizimeve po e zënë këndvështrimet shkencore me objekte dhe metoda kërkimore e jashtë qëndrimeve nacionaliste emocionale.

Në gjuhësi studiuesit kanë bërë përpjekje të pashembullta për t’i njohur këto drejtime teorike dhe për t’i zbatuar në kushtet e shqipes. Botimi i teksteve të reja universitare dhe monografive, përkthimi i veprave madhore, përvojat studimore të studiuesve të moshuar dhe të rinj në vendet perëndimore, rritja e cilësisë së mësimdhënies kanë ndikuar për mbarë në rritjen e nivelit kërkimor te ne.

Megjithatë, zhvillimet teorike të gjysmës së dytë të shekullit XX në Perëndim, njohja e plotë e tyre mund t’u japin kërkimeve tona orientime në fusha të tilla si: komunikimi, marrëdhëniet folës-gjuhë-kontekst-referent, kërkime më të shumta dhe më rigoroze në fusha të tilla si: sociolinguistika, psikolinguistika, etnolinguistika, filozofia e gjuhës, të cilat doemos do të sjellin rezultate në studimin arketipik e sinkronik të shqiptarësisë, për të ndriçuar së brendshmi më mirë probleme të autenticitetit, marrëdhënieve me fqinjët etj.

Ndërkaq, janë ndërmarrë disa studime me vlerë, që trajtojnë çështje të zhvillimeve gjuhësore si pasojë e zhvillimeve politike, demografike, lëvizjeve migratore, marrëdhënieve brendaetnike dhe ndëretnike, si dhe në fushën e edukimit.

Për sa i përket standardit, si shumë studiues të tjerë, mendoj se një verifikim i ecurisë së tij në gjithë shtrirjen shqipfolëse, si dhe një debat dobiprurës për çështje të caktuara për standardin, larg shigjetimeve, i mbështetur kryesisht në studiues dhe në institucione, mund të na shpjerë drejt dhënies së disa zgjidhjeve përmirësuese, pas të cilave lipset një politikë planifikuese gjuhësore mbarëkombëtare.

Problemet në fushën e leksikut, për shkak të natyrës së tij, janë më të lehta. Ai është sistem i hapur e kësisoj nuk ka pengesë parimore për përfshirje në standard nga leksiku i gjithë gjuhës (kryesisht ai i gegnishtes), por disa ndreqje normëzuese drejtshkrimore mund t’ia lehtësonin rrugën e përfshirjes në standard. Kurse sistemi gramatikor, me gjithë ndryshimet, mbetet në themel ai që është, me bazë toskërishten.

Nga ana tjetër, kam mendimin se, me gjithë diskutimet e debatet, standardi e mbrojti gjuhën shqipe prej “krisjes gjuhësore”, ipso facto edhe “krisjes kombëtare”, që po realizohej volendo dolendo, për shkak të copëtimit gjeopolitik të kombit në disa shtete, e ku shqipja, sikundër vetë shqiptarët po formonin një arkipelag gjuhësor pa mundësi komunikimi brendaetnike prej një ishulli gjuhësor te tjetri.

Njësimi i gjuhës nëpërmjet një gjedheje standarde për shqipfolësit ishte antidoti më i efektshëm për të parandaluar zhvillime gjuhësore në kahe diverguese e me gjasa që, në një kohë të pritshme, diversiteti gjuhësor, kulturor, ekonomik e politik mund të sillte, kryesisht aty ku shqipja ishte nën ndikimin e gjuhës së shtetit tjetër (serbishtes, maqedonishtes, malaziasen) një përzierje gjuhësore të tipit kreol a pidxhin.

Prandaj del si nevojë e natyrshme liberalizimi dhe jo ngurtësimi i rregullave të standardit për t’ua bërë të mundshme, sidomos njësive leksikore dhe frazeologjike dialektore, të bëhen pjesë e përhershme e standardit të shqipes. Gjuhëtarët, sidomos normëzuesit e gjuhës, duhet të hulumtojnë rrugë për eliminimin e rregullave të ngurta dhe zbutjen e rregullave të ndryshme drejtshkrimore, që do të ishin në funksion të përhershëm të pasurimit të gjuhës standarde shqipe.

Nisur nga sa u tha më sipër, hapja e një debati për të përgjithësuar sa më shumë çështje të lëna hapur në Kongresin e Drejtshkrimit, kryesisht për rastet kur e njëjta rregull gjen zbatim në dy mënyra dhe kur praktika ligjërimore gojore e mundëson, do të kishte për rezultat pakësimin e përjashtimeve dhe zgjerimin e hapësirës së rregullave të përgjithshme, gjë që do të ndikonte që këto rregulla të jenë shumë më funksionale dhe të përvetësohen me sukses nga masa e gjithë shqipfolësve.

Departamenti i Letërsisë, krahas qendrave të tjera universitare dhe shkencore të botës shqiptare dhe në bashkëpunim të ngushtë me to, ka luajtur rolin e vet të vlerësuar në interpretimin dhe klasifikimin e këtij procesi kompleks – për nga dinamika e zhvillimit dhe për nga larmia e tipologjisë stilistike. Është krejt e natyrshme që kjo letërsi të mos shihet e izoluar nga letërsitë e gjuhëve të tjera, mes të cilave ajo mban të ngritura ura komunikimi e kontakti të përhershëm.

Rritja e nivelit të mësimdhënies dhe botimeve shkencore, ka qenë objektivi themelor i këtij departamenti. Planet mësimore dhe programet e lëndëve mund të thuhet se kanë pasur përmirësime të thella konceptuale, duke synuar në përafrimin e tyre me konceptet bashkëkohore, që të arrihet të shqyrtohet procesi letrar së brendshmi e me metoda aplikimi të zgjedhura e jo të orientuara apo të urdhëruara, si dikur.

Një varg botimesh studimore e monografike, materialesh dhe kontributesh nga konferenca shkencore, të organizuara drejtpërdrejt nga departamenti, apo në bashkëpunim me qendra të tjera shkencore, brenda e jashtë vendit, përbëjnë sot një bibliotekë të dobishme pune, në raport me studentët, por dhe më gjerë, me lexuesin e interesuar. Pjesë e këtij departamenti është bërë dhe themelimi i një reviste e kritikës letrare, të emërtuar Letra, e cila mbahet me fondet e fakultetit dhe me bord drejtues e redaksi shkencore nga Departamenti i Letërsisë. Urojmë që pas numrit të dytë që sapo ka dalë, kjo revistë të ketë jetë të gjatë dhe të zërë vendin e vet të denjë, krahas botimeve të tjera periodike, nga fusha e albanologjisë.

Po e mbyll këtë qasje me një mirënjohje ndaj të gjithë korifenjve të shqipes studiues, krijues e lëvrues të gjuhës shqipe në këta 110 vjet, duke përmendur vetëm disa prej tyre si: Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, Branko Merxhani, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi, Lumo Skëndo, Anton Pashku, Ali Podrimja, Martin Camaj, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Jakov Xoxa, Petro Marko, Jup Kastrati, Vebi Bala, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Androkli Kostallari, Francesko Solano, Dhimitër Shuteriqi, Ibrahim Rugova, Antonio Guzzeta, Shaban Demiraj, Muzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Idriz Ajeti, Besim Bokshi, Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Rexhep Ismajli, Kolë Ashta, Kristo Frashëri, Jani Thomai, Francesko Altimari, Mateo Mandala etj. Por një mirënjohje të madhe për gjithë studiuesit e tjerë të këtij fakulteti, të cilët me dashuri e përkushtim, pavarësisht nga kushtet e mundësitë, i kanë çuar përpara arritjet në fushat që mbulojmë, duke krijuar në rrjedhë të kohës një trashëgimi njerëzore dhe krijuese, së cilës atdheu duhet t’i jetë mirënjohës.

*Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama