Këtë gusht Kaba është kthyer përsëri në Prishtinë. Njëlloj sikurse vitin e kaluar, arsyeja është Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. E në ditën e tretë të seminarit, Kaba, me referimin e tij, është kthyer pikërisht në historinë e shqiptarëve në Turqi. “Shqiptarët në Perandorinë Osmane” ka qenë titulli i referimit të tij, që ka mbajtur për shqiptarët në atë periudhë dhe ndikimin e tyre në politikë, letërsi, art, arkitekturë dhe në kulturën osmane-turke, siç transmeton 'Koha ditore' në Prishtinë.
“Në periudhën Osmane, ndikimi i shqiptarëve është aq i madh sa nuk mund të diskutohet”, ka thënë Kaba, duke lexuar referimin e tij. Sipas Kabas, vetëm në pallatin osman kanë qenë 32 vezirë shqiptarë. Ai ka përmendur emrat si Abdyl Frashëri, Abdullah Hysni Beu, Ahmet Pasha e shumë të tjerë si personalitete politike me ndikim në atë kohë. Por ndikimi i shqiptarëve në letërsi ka qenë edhe më i madh, mendon Kaba. Sipas tij, shkrimtari Shemsedin Samija e Sami Frashëri janë emrat më të respektuar në Turqi edhe sot.
“Në librat e historisë dhe letërsisë turke mësohet për këto personalitete si figura që kanë bërë hapat e parë në formimin e letërsisë turke”, ka thënë Kaba. Edhe Mehmet Akif Ersoj, i cili ka shkruar himnin e Turqisë, sipas Kabas, është një shqiptar me të cilin krenohet Turqia. Shqiptarët pas politikës dhe letërsisë, sipas Kabasë, kanë pasur ndikim të madh edhe në arkitekturë. Arkitekt Sinani është njëri prej më të njohurve. Sipas Kabasë, ndikimi i tij në arkitekturën turke është i njohur me pallatin Osman që sot njihet si “Ministria e Urbanizmit”. Gjurmët e ndikimit shqiptar në Turqi, sipas Kabasë, shihen sot gjithandej e kësisoj edhe në leksikun dhe kulturën turke. Ai ka përmendur fjalën “arnaut” si më të përdorurën.
“Shembull, kur dëshirojmë të themi për dikë se ka inat të fortë, themi ‘arnaut inadi’ ose për dikë që është kokëfortë, themi ‘arnaut lashmak’”, ka thënë Kaba. E pikërisht këto fakte i ka përdorur edhe kolegu i Kabasë, albanologu tjetër Tolga Dilioglu, i cili ka referuar mbi “Shqiptarët e Turqisë Moderne”.
“Shqiptarët që jetojnë në Turqi e ndiejnë veten si turqit. Islami shërben si një institucion shoqëror, që bashkon dallimet etnike”, ka thënë Dilioglu në referimin e tij. Sipas Dilioglut, shqiptarët në Turqinë moderne kanë ruajtur fenë dhe traditat. Ai nuk ka folur, nëse sot ka një elitë shqiptare, e cila ndikon në jetën shoqërore të Turqisë. Ai ka përmendur inatin e fortë dhe kulturën e solidaritetit ndërmjet shqiptarëve si tipare përmes të cilave njihen sot shqiptarët në Turqi. “Në kuptimin e ngushtë, nacionalizmi lokal është ruajtur në pikat më të larta”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas tij, shqiptarët kanë tradita përmes së cilave mund të luajnë rol në përcaktimin apo formimin e shoqërisë turke në të ardhmen. Teksa e ka përmendur faktin se gjuha shqipe nga të rinjtë me prejardhje shqiptare përdoret shumë pak, Dilioglu ka përmendur hapjen e Katedrës së Albanologjisë në Turqi para gjashtë viteve, si shpresë që shqipja nuk do të harrohet.
“Ndikimi i shqipes mund të jetë më i madh në të ardhmen”, ka thënë ai, teksa ka përmendur pasionin shqiptar dhe profesionalizmin e tyre për të gatuar byrekë. “Ky lloj ushqimi është ndër më të njohurit në Turqi. Janë pesë lloje të tyre”.
Por dita e dytë e Seminarit XXXI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nuk ka qenë e koncentruar vetëm te “vëllazëria shqiptaro-turke”.
Mesdita ka sjellë ligjëratën e gjuhëtarit Shkumbin Munishi, i cili ka folur për sociolinguistikën. Sipas tij, shqipja ka mungesë të madhe të gjuhëtarëve të cilët merren me ndikimin shoqëror në gjuhë. Për Munishin shtytja e studentëve që të specializohen në këtë fushë do të ishte zgjidhje e duhur. Në fakt, Munishi ka qenë i vetmi që ka folur për gjuhën shqipe në ditën e dytë të Seminarit.
Të tjerë referues kanë folur për “shenja” shqiptare në vende dhe periudha historike të ndryshme. Historiani Jahja Drançolli ka qenë njëri prej tyre. Ai ka referuar për shkollën e Arbërorëve në Venedik. Përkatësisht ai ka folur mbi Shkollën Arbërore ose “Scula degli Albanesi”, e themeluar në tetor të vitit 1442, godina e së cilës ishte ndërtuar tek në vitin 1489 afër kishës së Shën Mauricit.
Drançolli ka shtjelluar në detaje për mënyrën e funksionimit të kësaj shkolle dhe për mënyrën sesi është dukur ajo. Këtë e ka bërë edhe nëpërmjet fotografive që i ka paraqitur. Ai ka shprehur shqetësimin mbi atë sesi shumë piktura të kësaj shkolle nuk gjenden dhe sesi do të duhej që të ishin të ruajtura në ndonjë muze në Shqipëri apo gjetiu. E pak më larg në shekuj kanë shkuar dy profesorë të tjerë që janë paraqitur me një referim. Referimi i Muhamet Malës dhe i Muhamet Qerimit ka shpërfaqur ndikimet e ndërsjella kulturore të Bizantit dhe të shqiptarëve në mesjetë. Sipas këtyre dy referuesve, kultura materiale, flet për elemente të veçanta etnike arbërore brenda sfondit politik e kulturor bizantin.
Ata kanë potencuar që përmes këtij referimi nuk po pretendohet të barazohen ndikimi apo vlera e ndikimeve të arbërve në Bizant, por, sipas Malës dhe Qerimit, po potencohet fakti se kontributi që kultura lokale arbërore ka begatuar kulturën bizantine dhe kësisoj është bërë edhe pjesë e kulturës mesjetare. Më shumë se kaq, të dytë kanë thënë të kenë dashur të dilnin nga klishetë që arbrit i portretizojnë si luftëtarë dhe baritorë. Për Perandorinë Romake ka referuar Naser Ferri, i cili ka folur për politikat fetare në Perandorinë Romake. Gjatë ditës së mërkurë seminaristët kanë bërë edhe një vizitë në Institutin e Albanologjisë.