Shtatë vjet më parë Albanopolisi ishte sërish i harruar dhe dëmtuar, por tek-tuk dukej nga larg edhe ndonjë fragment monumenti. Sot, të duhet të pyesësh për të gjithë rrugën e shkurtër kur shkon në qytetin që i dha emrin shqiptarëve, se çfarë drejtimi të marrësh. Askujt nuk i intereson, ndërsa përreth tymi i zi i furrave të gëlqeres pushton qiellin. “Duhet me ngrënë, dhe këto budallallëqet e këtyre të televizorit nuk të mbushin barkun me bukë”, më thotë një punëtor i ri, rrethuar me të gjithë plehrat e mundshme, ndërsa ushqen me to një furrë gëlqere ndanë një bunkeri të stërmadh. Kuptoj, më në fund, se nga vjen tymi i zi, që duket prej larg. Është prej gomave që ai i hedh në flakë. Mjedisi? E kush vallë po e çan kokën? Pse nuk hedh më? Lutja ime shkon në eter dhe bashkohet me të tjerat. Jo. Dhe jo...
...
Fshati i Zgërdheshi ose Albanopolisi i famshëm, toponimi, nga i cili njihen shqiptarët prej shekujsh ka ardhur nga ky vend. I lokalizuar në një prej vargut të kodrave, që nisin nga lindja e zbresin butë në perëndim, nga lartësia e identifikon më lehtë. Kodra e qytetit antik, është ajo nga ana lindore dhe ndahet prej të tjerave syresh falë një qafe. Por Albanopolisi ka kohë që ka humbur. Kam ardhur për herë të fundit, shtatë vjet më parë. Tashmë, banorët e kanë rrethuar me gardhet e tyre dhe qytetin e përdorin thjesht...për vend bagëtish. Gardhet përbëhen prej gjëmbaçëve, egërsinë e të cilëve jeans jonë nuk e përballon dot.
Ende sot është e paqartë nëse Zgërdheshi është Albanopolisi. Të jetë Qyteti i Bardhë apo Guri i Bardhë? Me projektimet topografike, qyteti mund të jetë dhe në Presqop afër Petrelës, që do të thotë realisht Gur i Bardhë. Historia e emrit shkon kohë më larg, kur gjeografi i lashtë Klaud Ptolemeu (90-160), për herë të parë e përmendi popullin “alban” dhe kryeqytetin e tij Albanopolis, të vendosur pak prapa Durrësit. Ana Komnena (1083-1146), e bija e perandorit bizantin, Aleksi I, e referonte gati të njëjtin vend dhe banorët e saj, që e quanin veten “Arbanez”. Normanët e quanin ALBANA. Kështu e njihnin dhe të tmerrshmit kryqtarë që zbritën në Durrës për të vazhduar udhën drejt lindjes...
Bariu dhe arkeologjia
Ky burrë i shkurtër me kapele kolonizatorësh, që kullot lopën dhe gomarin në qytetin antik nuk di asgjë nga këto. Është i bindur dhe na heq udhë kudo nëpër qytet. Kushedi sa herë në jetë duhet ta ketë bërë të njëjtën gjë. Çapitet nga mosha, por mua më duket se është i shpejtë, pasi në moshën e tij në qytet, njerëzit janë prej kohësh në Sharrë dhe në Tufinë.“Po të mos ishim ne, këtë vend do e kishin shkretuar dhe gurët do i merrnin, por ne e kemi ruajtur”, më zgjon burri, ndër ngjitemi.Kujtoj një tjetër më të ri, me të cilin ndërroj pak fjalë, pak para se të vij këtu.
Më sqaron me ekspansion: “Ne jemi të parët e ilirëve!!!” Po Iliria s’ka qenë kjo!- i them. Ia ul pak pathosin, kur e kujtoj se pse vjedhin ende dhe tabelat. “Ehuuuu...ç’...”, ia bën me dorë. Që do të thotë: Ç’e ke ngenë ti! Mbetjet e qytetit antik të Albanopolisit janë pak minuta pasi lë Fushë Krujën, ku një tabelë të fton të kthehesh djathtas. Që kur i afrohesh fshatit, ke dy elementë për të cilën këqyresh: O ke ardhur në kaminat e gëlqeres apo qytezën arkeologjike. Nëse nuk je i huaj, askush nuk ta var, por nëse vjen për kaminat atëherë do përballesh me njerëzit e vrenjtur dhe vazhdimisht dyshues. Nuk të mjafton që shikimi mbetet te muret rrethues, që tashmë flenë nën ferrat e stërmëdha, përhapur kudo mbi Zgërdhesh.
Supozohet se qyteti ka qenë kryeqendra e fisit ilir të Albanëve, nga të cilët rrjedh edhe emri i sotëm i shqiptarëve. Sipas studimeve të arkeologut të njohur shqiptar Prof. Selim Islami, qyteti lulëzoi nga mesi i shekullit të IV deri në shekullin e I para erës së re. Pretendohet se u ndërtua fillimisht mbi bazën e një vendbanimi të fortifikuar të fiseve ilire të këtyre trevave gjatë periudhës protourbane. Që nga mesi i shekullit të XIX u identifikua nga shumë dijetarë të huaj ndër të cilët austriaku Georg Hahn, por rilevimin e parë topografik të zonës së qytetit e bënë arkeologët austriakë, që erdhën me forcat ushtarake të vendeve të tyre Praschniker e Schober, aty nga dekadat e para të shekullit XX. Prej tyre kemi vizatime të kujdesshme por edhe rilevimin e sistemit të fortifikimit dhe muret karakteristike rrethuese, ndërtuar me blloqe gurësh kuadratik shumë të mëdhenj, që ne i kemi përballë syve në këtë diell të ngrohtë. Kolegu im shikon për lentet. E ka ‘armik’ diellin.
Selman Hushi, 84 vjeç, na shikon i qetë. Kemi ndalur pas çapitjes, ndërsa ai e shikon nga afër një lopë të stërmadhe, që kullot e qetë. Këtu e kalon? “Po ku të shkoj! S’kam më aq fuqi”-më thotë. Është i vetmi roje, mbetur në të gjallë për qytetin e madh. Në qytet janë gjetur monedha të shumta, të prera në Dyrrah, Apolloni, Lisus, Korkyrë, Maqedoni etj. Më turbullon me qetësinë por më shumë me fjalët: “Këtu nuk do t’ia dijë askush. Ka kohë, që nuk kemi parë arkeolog”, më sqaron. Është e kuptueshme se ajo që u bë në shekullin e XX, si zor të vazhdojë më në këtë vend. Që nga kazma e Tomachek (1893-herët) dhe duke vazhduar me Jiricek (1912) dhe P. Sesteri (1942), Selim Islamit, Gjerak Karaiskajt, Hasan Cekës etj., qyteti ka heshtur dhe tash i bindet ferrave, gjarpërinjve dhe shkatërrimeve kudo. Në një platformë sipër është ruajtur edhe forma absidore e një kishe, ku duket qartë forma gjysmëkonike e altarit.
Mu aty duken vrima të shumta. “Eh, hajdutët, kanë ardh shpesh me gjet flori”, më shpjegon plaku. Si para disa vitesh shquaj qytetin. Një portë nga ana lindore, vargani i mureve dhe disa platforma ende të mbajtura, ndërtuar me gurë kuadratikë tepër të mëdhenj. Plaku ka dëshirë të flasë.“Kam 20 dynym tokë dhe 20-25 rrënjë ullinj dhe jam mirë. Gruaja më la katër vjet më parë. Dy djemtë shohin punët e tyre”. Nuk e heq kapelën e kolonizatorëve dhe një sopatë, që e mban në dorë sikur të jetë ndonjë maor. Dhe, kudo mundohet që me sopatën të hapë udhë. Ferra dhe ferrat nuk mbarojnë.
E shkuara
Një grup turistësh të huaj, që erdhën në erën socialiste, ishin të parët, që i bindën realisht njerëzit e këtij vendi, se ishin ndryshe nga të tjerët. Deri më atëherë, përpjekjet e arkeologëve Ceka (Plaku), Islami e të tjerë, duket se nuk u kishin bërë përshtypje banorëve të Zgërdheshit në Krujë, që punonin të qetë tokën dhe kullosnin mbi qytetin antik bagëtitë e tyre. Por, të huajt, që erdhën atë ditë të vitit ’80 nuk ishin aq indiferentë. Në skajet e fshatit, që tashmë është parcelizuar dhe mbushur me tarraca me shumë ullinj, njësoj si atëherë, flinin pa fund bunkerë.
Shumë syresh aq të mëdhenj (duhet të mbanin topat e kalibrit të rëndë), sa mund të habisnin edhe indiferentin më të madh...Kuptohet, jo fokusin e turistëve, që shpejtuan të materializonin gjithçka, bashkë me kalanë, ku mendohej se mori jetë emri i Albanëve. Ajo që do të ndodhte më pas merret lehtë me mënd. Nuk shkeli më këmbë turisti, por edhe këmbë arkeologu. Ajo që ishte bërë ishte bërë. Banorët ishin zhytur sërish në harresë. Ishte zonë ushtarake, ndërsa historianët e përkthyen më lehtë justifikimin e tyre. Sipas një rregulli të shenjtë në arkeologji, kur nuk di se çfarë të bësh, është më mirë që të heshtësh, pra që të mos gërmosh, rikthej shënimet e para pak vitesh .
“Ky është kryeqyteti i Ilirëve, na thotë patetik një banor që shfaqet më kot-këtu është qyteti më i parë i të gjithë ilirëve. Këtë duhet ta dini mirë”. Ekspertit “të vërtetë” është më kot, që mundohesh t’i shpjegosh, se nuk është bash ashtu.
Në kokën e tij Iliria është një shtet i ngjashëm me sot. Jovan Adami ka bërë një përshkrim interesant. Bash, këtu, ku çapitemi me barin që monologon mes shkurrnajave, e që shpesh më habit me mirësinë e tij dhe gadishmërinë për të pozuar. Adami na ka lënë përshkrim interesant se kodra e qytetit kufizohet prej përrenjsh të thellë, ndërsa “nga ana perëndimore ulet që nga maja me kuotën 252 për në fushë duke arritur gjeri në kuotën 162”. Dikur kam gjetur një pikë topografike. Gërmimet, që bënë në vitin 1949, nxorën së pari mbetjet e disa godinave. Arkeologët panë me kalimin e kohës, se qyteti që zbuluan ata shtrihej deri në fushë dhe rrethonte krejt anën perëndimore dhe veriore të arave. “Nga pastrimi i pyllit doli në dritë jo vetëm i gjithë muri, por u arrit në konkluzion se disa kulla, të cilat dukeshin të vetmuara si godina të veçanta ishin kulla të murit”.
Një kullë anash duket realisht si më e mirëmbajtura. Ka një hark të këndshëm, falë dorës së talentuar të një muratori antik i panjohur. Shumë afër janë rrënojat e një kishe, tek e cila dallohet absida e thjeshtë dhe që arkeologët e kanë fiksuar në shënimet e tyre sipër një kulle të murit tërthor. ”U gërmua rreth e brenda godinës katërkëndëshe që gjendet puq me kullën e rrumbullakët të murit A. U gërmua fundi i kullës katërkëndeshë në jug të kullës së rrumbullakët të murit edhe u bënë disa gërmime rreth godinave. Gjatë kërkimeve dhe gërmimeve u zbuluan tre objekte prej balte të pjekur, një copë tjegull me një vulë me dy shkronja TI dhe 20 copë monedha të ndryshme. Në të dyja anët e kullës së rrumbullakët muret nuk vazhdojnë as nga ana jugore as nga ana veriore pasi si nga jugu ashtu dhe nga veriu formacioni i terrenit është pjesërisht shkëmb dhe pjesërisht formonte mbrojtje natyrale”, shfletoj shënimet e arkeologëve.
Dhe sot
Historianët mendojnë se ky qytet ka qenë i formësuar tamam dhe ruan disa elementë shumë të veçantë, ku midis tyre mendohet se ka qenë rrethuar me mure mbrojtëse po ka pasur tre mure tërthore paralele. Ka fragmente ende që janë deri një metër mbi tokë, ndërsa konstruksionet e tyre zakonisht janë prej gurësh të latuar dhe pjesërisht prej gurësh të papunuar. Në një vend, pak më tutje, duken rrënojat e një fragmenti tjetër që e bëjnë atë pjesë si të vetmuar, ndërsa një gur i qoshes ruan përmasat që i kam hasur në një shkrim profesional për qytetin: 1.93x0.80x0.60 dhe tjetri 4.61x0.84x0.45 m. Pjesa e murit midis këtyre dy qosheve formohet prej gurësh të papunuar. Kjo si biçim kulle vërtetë nuk ka lidhje me ndonjë mur, veçse nga ana veriore ajo mbështetet pas shkëmbit...Plaku më shquan, kur punoj.
Dyshon. I them se më duhen përmasat për të matur peshën. Që në fund nuk ia dal. Ruhem dhe mbrohem nga gjëmbaçë që më çajnë jeans-et e forta. Plaku vazhdon muhabetin. Sipas tij dy fshatra poshtë janë bashkuar. Por fisi i tij Hushët kanë ardhur nga sipër malit, aty ku ka lindur ai, gjyshi i vet që jetoi 105 vjet, babai i tij që e kaloi të 100 vitet. Në fakt, ky vend përbëhet nga dy fshatra të bashkuara me fiset nga më të ndryshmet. Kemi fiset e Karroqve, Farukëve, Seferve, Halilajve, Zogajve.
Një burrë poshtë më ka shpjeguar se Karroqët, Vokët, Seferët, Halilët janë vendalinj, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga Malësia e Krujës dhe nga Dibra e nga Kukësi. Kanë ardhur të gjithë dhe tashmë bëjnë popullatën në fshatin Halilaj. Por, këtu kanë përfunduar, shumë dhe pas shitjes së tokave. “Asnjë investim s’është bërë as në kohë të Enverit dhe as tani. Dhe, jemi fshati më i vjetër në Ballkan”, më thotë një burrë, që pretendon se është vërtet intelektual. Këtë të fundit ma thekson. Po ferrat dhe shkurret? “Po të duan të gjitha bëhen. Më mirë kështu”, ma pret.
...Me plakun ndahem këndshëm dhe rikthehem sërish te një nga kaminat e shumta të gëlqeres. Djali punon sërish, por është shumë dyshues. “Si ia bën-e pyes. “Ç’të bëj-, më gjegjet! Është tokë të varfër, dhe s’ia vlen me e punu. Në Krujë kanë prishur një rezervuar nga ku ujiteshin tokat e këtij vendi dhe ndaj sot nuk prodhohen as gjërat më elementare… as zarzavatet e veta. Ndaj, jetojnë vetëm me gëlqere dhe me punë të zeza, por edhe me emigracion.
Ata të paktit në vend mezi e shesin me çmim shumë të ulët gëlqeren e prodhuar ‘60 lek kilogrami’. Qytetin antik s’e përmend askush. Kujtoj se kohë më parë kujtonin se mund të fitohej si në Butrint. Tani e kanë kuptuar. Po në fakt, a fitohet vallë në Butrint? Ikim. Nga larg shquhej kafshët e plakut që po rrinë te muri antik. Më duhet të pyes për kthimin. Nuk e dimë udhën e kthimit. Disa fëmijë, që dalin nga shkolla na ndjekin me britma gëzimi dhe dalldie. Albanopolisi bëhet më i vogël dhe muret vërtet humbin nga ferrat. Atë që se bënë turqit, normanët, rrjedha e bën koha jonë e indiferencës. Pranverë 2013.