Lideri i ‘Vetëvendosjes’ zhvillon një bisedë të lirë me studentët e Universitetit Europian të Tiranës, në zyrën e tij në Prishtinë. ‘Vetëvendosja’ nuk ka qenë asnjëherë kundër bashkësisë ndërkombëtare, por kundër sundimit të tyre.
Albin Kurti: duhet të kalojmë nga ndërkombëtarizmi në kombëtarizëm
Një ndër takimet e studentëve të Shkencave Sociale në UET gjatë turit të tyre në Kosovë ishte edhe ai me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti. Takimi u zhvillua në një formë bashkëbisedimi, ku Albini tregoi në fillim për krijimin dhe historikun e Lëvizjes Vetëvendosje!, e më pas iu përgjigj pyetjeve të studentëve. Sikurse tregon Albini, ajo që LVV ka kërkuar të bëjë është shtrimi ndryshe i problemit. Sepse në lidhje me situatën në Kosovë para dhe pas pavarësisë problemi është shtruar gabim, duke e konsideruar Kosovën si problem. Dhe, ajo në të cilën ka insistuar VV ka qenë se ka një mënyrë tjetër të shtrimit të problemit, se problemi nuk mund të jetë Kosova. Nuk mund të flitet për zgjidhjet përderisa problemi shtrohet gabimisht, përderisa diskutohej për statusin pa diskutuar për lirinë e Kosovës. Në Kosovë nuk mungonte statusi, por liria. Gjithashtu VV konsideron se nuk mund të bëhet aksioni politik vetëm nëpërmjet konferencave për shtyp apo zgjedhjeve një herë në katër vjet, por kryesisht nëpërmjet aksionit direkt. Duke iu referuar Mishel Fukosë, Albini thotë se vetëm ndaj subjektit mund të ushtrosh dhunë, sepse subjekti është i aftë të tregojë rezistencë. Dëmtimi i pronës së regjimit është përdorim force, por nuk është dhunë. Kështu, njeriu duhet parë si subjekt politik që ka aftësi për veprim. Pra, dy pika kryesore të punës së VV që prej krijimit të saj kanë qenë bërja e popullit subjekt dhe problematizimi ndryshe i çështjes së Kosovës, si dhe fokusi tek aksioni direkt në sferën publike.
Gjatë këtyre viteve janë bërë qindra aksione simbolike, dhjetëra protesta e demonstrata e mijëra takime e tubime publike nëpër të gjithë Kosovën. Nëpërmjet këtyre tubimeve nëpër të gjithë Kosovën, shumë më tepër është mësuar prej popullit sesa ka mësuar populli prej nesh. Pra, VV ka shërbyer si një ndërlidhje mes qytetarëve të Kosovës, një ndërlidhje e diturive dhe jetës së njerëzve në fshat e qytet. Sipas Albinit, “VV ka ofruar teorinë, konceptet dhe idetë. Ndërsa përvojën konkrete dhe shembujt i kemi marrë prej njerëzve. Kemi mësuar prej njerëzve dhe i kemi inkurajuar për veprim”. Aktualisht VV ka 27 mijë anëtarë, prej të cilëve 10 mijë janë aktivistë. Ka 28 qendra të VV në Kosovë, 6 në diasporë, si dhe 422 pika të VV (që do të thotë që VV është e shtrirë deri në nivel fshati e lagjeje). Një çështje tjetër e rëndësishme e trajtuar nga Albini është se “për t’u bërë Sovran, duhet të kalojmë nga ndërkombëtarizmi në kombëtarizëm. VV nuk ka qenë asnjëherë kundër bashkësisë ndërkombëtare, por ndaj sundimit të tyre. Ne e kundërshtojmë Eulex-in në emër të vlerave të BE-së, ashtu siç kundërshtonim UNMIK-un në emër të vlerave të OKB-së, apo siç e ka kundërshtuar algjeriani okupimin francez në emër të vlerave të revolucionit francez: liri, barazi, vëllazëri. BE-ja shtetndërtimin në Kosovë nuk e konceptualizon si ndërtim i shtetit, por si ndërtim të shtetit anëtar në BE. Peter Feith ka thënë që Kosova do të ketë vetëm një ditë sovranitet, ditën kur duhet të integrohet në BE; pra një ditë, e cila në fakt do të jetë dita e delegimit të sovranitetit. Ndërsa ne mendojmë se sovraniteti ynë s’mund të zgjasë vetëm një ditë. Duam që të jetë Kosova shtet sovran, me integritet territorial, e që të kemi të drejtën e vetëvendosjes. Dhe, sa më të fuqishëm të jemi kur të hyjmë në BE, aq më mirë do t’i kemi punët aty brenda pastaj.”
Në lidhje me çështjen e bashkimit kombëtar, Albini iu referua edhe rezultateve të sondazhit të Gallup-it në Shqipëri e Kosovë dhe faktit se populli e do bashkimin, dhe për këtë arsye duhet bërë referendum dhe duhet të jenë liderat që të ndjekin popullin në këtë rast. Në lidhje me këtë çështje Albini tha gjithashtu se disa njerëz duket sikur përdorin shprehjen që përdorej gjatë majit të 1968-s kundër studentëve asokohe: “jo këtu, jo tani, jo ju!”, me idenë se bashkimi kombëtar është i mirë e do të ndodhë një ditë, por jo tani, jo këtu, por në kryeqytetet e fuqive të mëdha, dhe jo nga kjo gjeneratë, por le ta bëjnë brezat e ardhshëm”. Sipas Albinit, nuk duhet të fillojmë të rendisim vështirësitë, sepse në këtë rast duket sikur gjithçka është e pamundur, por duhet të nisemi nga vullneti i mirë, e atëherë është e mundur edhe ajo që s’na e priste mendja më parë. Në lidhje me faktin se shpesh herë thuhet se do të integrohemi e bashkohemi në BE, Albini tha se “BE-ja nuk është zëvendësim për bashkimin kombëtar, por komplementar. Nuk mund të integrohemi në Europë në mënyrë joeuropiane.” Gjithashtu, ai shtoi se “emancipimi vjen duke pasur pyetje në fillim e më pas kërkim e analizë për të gjetur përgjigjet, e jo të jepen përgjigje të pamenduara. Në Tiranë e Prishtinë ne kemi shumë polemika e pak debate. Debati e diskutimi e kanë pyetjen para përgjigjes, dhe e kërkojnë të vërtetën përmes analizës së pyetjes dhe dyshimit rreth përgjigjeve të mundshme. Ndërsa te ne, e vërteta na vjen prej autoritetit si përgjigje pa pyetje paraprake, si përgjigje kundër pyetjes dhe për ta bllokuar mundësinë e saj.”
Takimi me Albin Kurtin u bë ditën kur qeveria e Kosovës kishte dërguar me helikopter doganierët në pikat doganore 1 e 31, dhe kur strukturat paralele serbe kishin bllokuar urën e Ibrit me zhavorr, duke e bërë të pakalueshme. Dhe një pjesë e pyetjeve dhe diskutimit gjatë takimit me Albinin u bë rreth kësaj çështjeje.
“Abetarja dhe Historia nuk i lihen tregut, nuk janë si berberët”
Marin Nikolli – Çfarë do të ndodhë nesër?
Albini – Po përpilojmë një tekst me titull “marifeti me helikopter”, mbi atë që nuk po ndodh sot. Ka dy probleme të mëdha që lidhen me problematizimin e gabuar. Po flitet vetëm për një bandë, sikur është veç një grup kriminelësh, dhe gjithashtu flitet vetëm për dy pikat kufitare. Në fakt, nuk janë vetëm dy pika doganore, por është një e pesta e territorit të Kosovës. Dhe, nuk bëhet fjalë për një bandë kriminelësh, por për struktura ilegale. Duket, pra, që qeveria nuk është e interesuar të vendosë kontrollin në veri të Ibrit, por vetëm në dy pika doganore.
Fjolla Spanca – Do të doja t’ju pyesja mbi atë që po ndodh shpesh këtu në Kosovë, sikurse është shpërqendrimi i vëmendjes nga një çështje te një tjetër. Lexova artikullin me titull “Mbulesa” dhe krijova mendimin se ajo që bën qeveria është një marketing për të mbuluar të këqijat e veta. A mendoni se ka një plan qeveria për Veriun, për të vendosur kontrollin në pikat 1 dhe 31?
Albini – Kjo është metoda e zëvendësimit. Po e mbulojnë një temë me një temë tjetër. Qeveria ka bërë shumë gabim me paralajmërimet që kanë bërë herë pas here për Veriun dhe i ka mobilizuar strukturat ilegale të Serbisë në Veri. Nëse i pyet qytetarët, thonë se problemet e mëdha janë siguria, sovraniteti, papunësia, varfëria dhe jo çështja e fesë, e cila u bë një çështje e madhe diskutimi këto kohë. Ne jemi kundër edukatës fetare si instruksion fetar, por jemi pro arsimit mbi fetë. Është mirë që në shkollë të merren njohuritë mbi fetë e ndryshme, zhvillimet e specifikat e tyre.
Tonin Gjuraj – Gjithashtu çështja e fesë, është dhe një fenomen sociologjik në Shqipëri e Kosovë, dhe është shumë mirë që njohuritë mbi fenë të merren në shkollë. Ndërkohë që unë kam një pyetje tjetër për ju: Ju tani jeni parti parlamentare, po a keni ju si Lëvizje një program konkret që t’ia propozoni qeverisë për çështjen e Veriut, një plan masash që ju t’i shtroni në Parlament, apo do të jeni kritik ndaj çdo veprimi?
Albini – Që në shtator 2008 ne kemi paraqitur një sërë masash për Veriun. Është shumë e rëndësishme p.sh. që në lagjet e shqiptarëve në Veri të ketë nënstacione policore. Gjithashtu, shqiptarëve në Veri u duhet dhënë përparësi në shkollim, punësim dhe gjithashtu të jetë transporti falas veri–jug dhe anasjelltas. Tashmë kanë mbetur vetëm rreth 4 000 shqiptarë, si pasojë e një pastrimi etnik të bërë pas luftës atje, në vitin 2000. Gjithashtu, çdo shqiptar duhet të ketë të drejtën të shesë pronën, por atë le t’ia blejë qeveria e Kosovës, por jo ajo e Serbisë. Mitrovica sot ka afër 80 000 banorë e më 1981 ka pasur rreth 105 000. Është i vetmi qytet të cilit i është zvogëluar popullsia pas tri dekadash. Sepse Mitrovica nuk është më qytet industrial, dhe për këtë arsye Trepça duhet rivitalizuar. Gjithashtu, pikat 1 dhe 31 duhet të merren, duhet të arrestohen krerët e strukturave ilegale në Veri, duhet t’u priten financat atyre. Një pikë tjetër në të cilën ne insistojmë është që FSK të shpallet e të bëhet ushtri. Dhe sidomos duhet bërë dallimi midis serbëve civilë e strukturave ilegale. Ndërsa ajo që po ndodh me qeverinë është se këtu ka vetëm taktika për pushtet e jo strategji për shtet.
Evi Veliu – Në radhë të parë dua t’ju falënderoj, sepse u frymëzova shumë nga simbolet në zyrën tuaj (në sallën e takimit me Albin Kurtin kishte dy flamuj kombëtarë kuq e zi). Gjithashtu, doja të thosha se ne i përkasim një universiteti që ka pasur si slogan “E bën dot” dhe tani ka sloganin “E vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha”. A mendoni se arsimi i përbashkët Shqipëri-Kosovë është hapi i parë drejt bashkimit kombëtar?
Albini – Sot në Kosovë arsimi është më i keq se më parë. Sot duhet të kemi të njëjtat abetare, libër leximi, historie etj., por këtë s’mund t’ia lëmë tregut të lirë, që të zgjidhet abetarja apo libri i historisë sikur zgjedhim mes berberëve të ndryshëm. Arsimi, ekonomia industriale dhe ushtria janë shumë të rëndësishme për identitetin tonë kombëtar. Nëse racizmi është shprehje e kolonializmit të mbijetuar, nepotizimi është shprehje e feudalizmit të mbijetuar. Zhvillimi i industrisë dhe ushtria do të mundësonin që njerëzit të njihen më shumë me njëri-tjetrin. P.sh. kur ka 500 vetë në një uzinë, ka edhe komb përveç shoqërisë; por nëse nuk ka shoqëri, atëherë ka vetëm individualizëm.
Një mënyrë sesi mund të shtohej bashkëpunimi në fushën e arsimit do të ishte që vitin e fundit të shkollës së mesme studentët nga Kosova të shkojnë në Shqipëri dhe studentët e Shqipërisë të shkojnë në Kosovë, pra nxënësit e “Ismail Qemalit” në Tiranë të vijnë te “Sami Frashëri” në Prishtinë e anasjelltas.
Megi Llubani – Nëse merrni pushtetin tuaj, cili do të ishte vizioni tuaj?
Albini- Programi ynë politik është zhvillimi dhe shtetndërtimi. Është shumë e rëndësishme që ne t’i kthehemi prodhimit. Kur kemi qenë në një fshat, në një tubim ku kishte shumë persona edhe me mastera e doktoratura, doli një pyetje: “ku do të jesh pas një viti?”. Të gjithë po mendoheshim për të dhënë përgjigje se ku do të ishim pas një viti, dhe i vetmi që e dinte ishte një plak i moçëm, Ali Hoti, i pashkolluar, i cili e dinte shumë mirë se ku do të ishte pas një viti: do të mbillte tërshërë në këtë arë, grurë në atë tjetrën, pastaj do të korrte etj. Ali Hoti ishte i vetmi që kishte vizion, sepse ishte i vetmi që prodhonte. Kush prodhon planifikon, kush nuk prodhon nuk e bën dot. Ndërsa në lidhje me shtetndërtimin, ne e shikojmë shtetndërtimin si sovranitet dhe si e drejtë për t’u bashkuar me Shqipërinë.