Albpetrol 20 milione dollare fitime ne 2014

Albpetrol, 20 milione dollare fitime ne 2014

Kompania publike e prodhimit të naftës, Albpetrol pret të realizojë një fitim 20 milionë dollarë për vitin 2014. Drejtori i Përgjitshëm Endri Puka, në një intervistë për “Top Channel”, thotë se në nëntë muajt e parë të vitit kompania ka një ecuri të fortë në treguesit financiar. “Nëntë muajt e para ka faturuar rreth 9 miliardë lekë të reja, ose rreth 46 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar ku janë faturuar vetëm 4 milionë dollarë. Rezultatet financiare janë të bazuara në rritjen e prodhimit, por edhe në mbledhjen e detyrimeve të papaguara nga kompanitë e hidrokarbureve, apo qoftë në uljen e humbjeve fizike”, deklaron kreu i Albpetrol, Endri Puka. Albpetrol është institucioni përmes të cilit qeveria shqiptare mbikëqyr kontratat dhe vjel detyrimet e konçesionarëve që shfrytëzojnë vendburimet e naftës. Por vitet e fundit shumë nga këto detyrime nuk janë paguar, jo vetëm nga konçesionarët, por edhe rafineria e ARMO-s. Kjo ka bërë që kompania të ketë dhjetëra milionë dollarë borxhe të pambledhura, të cilat duhet të kishin shkuar në buxhetin e shtetit.

“Kjo mbetet një nga objektivat kryesorë të Albpetrol për vitin 2015 që të çojë zero të gjitha detyrimet. Me kompanitë kryesore jemi duke punuar dhe jemi përafruar në shifra të pranueshme, por ende ka detyrime të pambledhura nga kompani apo subjekte të tjera të rëndësishme të industrisë së hidrokarbureve në Shqipëri”, thotë Puka. Muajt e fundit drejtuesit e Albpetrol kanë qenë në një konflikt të hapur me Kontrollin e Shtetit. Vetë drejtori Puka është kallëzuar në prokurori nga KLSH për një marrëveshje me një nga kompanitë konçesionare. Sipas KLSH, Albpetrol i ka njohur në mënyrë të jashtëligjshme kompanisë së huaj zbritjen e holluesit nga detyrimet që ajo duhet të paguajë duke shkaktuar një dëm prej mbi 9 milionë euro. Por, kreu i Albpetrol thotë se shkeljen e ka bërë administrata e mëparshme. “KLSH ka deklaruar që kjo kontratë është bërë në fundin e vitit 2013, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Kontrata është e fundit të vitit 2011 të cilin administrata aktuale e ka shfuqizuar. Por sigurisht në bazë të të drejtave që i jep kontrata kompanisë shoqëria në fjalë i është drejtuar Dhomës së Arbitrazhit të Parisit për caktimin e një eksperti që do japë vendimin përfundimtar nëse pretendimi i Albpetrol për mosnjohjen e kësaj marrëveshjeje do të jetë i vlefshëm apo pretendimi i kompanisë do të konsiderohet i drejtë”, sqaron kreu Puka. Albpetrol është e vetmja kompani e mbetur publike në fushën e naftës, një industri që vitet e fundit ka qenë mjaft fitimprurëse në shkallë globale. Por për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimeve, kontributi i kompanisë në buxhetin e shtetit ka qenë minimal.

Albpetrol shifër rekord faturimesh në 9 mujorin e parë

 Shoqëria Albpetrol sh.a ka zhvilluar analizën e punës së saj për 9 mujorin e vitit 2014, nga e cila rezulton një shifër rekord faturimesh dhe kontributesh në buxhetin e shtetit. Për herë të parë pas shumë vitesh shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga financuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 shoqëria Albpetrol sh.a ka faturuar për shitje dhe shpenzime më tepër se 9 miliardë lekë të reja. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shifra e faturimeve ishte 4 miliardë lekë të reja, ose 46 milionë USD me pak. Rritja e faturimeve dhe të ardhurave të shoqërisë Albpetrol sh.a ka ndikuar drejt për drejtë në rritjen e kontributeve që shoqëria jonë ka derdhur në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe Albpetrol sh.a ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 35 milionë USD, ose 12 milionë USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kjo rritje e faturimeve dhe të ardhurave i ka mundësuar shoqërisë Albpetrol sh.a që, përveçse të rrisë kontributet në buxhetin e shtetit, të arrijë të shlyejë edhe të gjitha borxhet e grumbulluara gjatë viteve të kaluar. Albpetrol sh.a vetëm ndaj OSHEE ka shlyer gjatë vitit 2014 më shumë se 10 milionë USD detyrime dhe kamatë vonesa të krijuara nga viti 2008 deri në vitin 2013. Një tjetër tregues i përmirësuar ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 nga shoqëria Albpetrol sh.a është edhe ulja e humbjeve fizike në Ton. Rezultati i 9 muajve të parë, por edhe rezultati i pritshëm i fundvitit është rezultati më i mirë i 24 viteve të fundit (nga viti 1991 e deri më sot). Në fund të vitit shoqëria Albpetrol sh.a parashikon që niveli i humbjeve fizike të jetë 650 ton naftë në një kohë kur në vitin 2013 humbjet fizike arritën shifrën e frikshme prej 7259 tonëve naftë me një vlerë prej më tepër se 4 milionë USD.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama