Kompania shtetërore Albpetrol ka aplikuar për të rezervuar një sasi prej 1.2 miliardë metër kub gaz natyror në vit, duke pasur parasysh se kërkesa e Shqipërisë për furnizim me gaz natyror nga viti 2020, lidhja me rrjetin rajonal të gazit, do të jetë rreth 1.2 bcm në vit. Aplikimi i Albpetrol Sh.a për rezervimin e kapaciteteve në gazsjellësin TAP, do të shqyrtohet nga kompania TAP AG në përputhje me metodologjinë dhe procedurat që përcaktohen në procesin e vlerësimit të aplikimeve.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Komisionin Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës për projektin e gazsjellësit TAP që u zhvillua nën drejtimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Axhenda e takimit kishte të bënte me diskutimin mbi progresin e arritur dhe hapat që duhen ndërmarrë në drejtim të çështjeve të tilla si prenotimi i kapaciteteve të gazit natyror nga projekti TAP (booking capacities); krahasimi i HGA Greke me atë shqiptare; autorizimi i ndihmës shtetërore; krijimi i një komisioni për menaxhimin e çështjes së blerjes/marrjes me qira të tokës ku do të kalojë projekti TAP dhe hartimi i dy marrëveshjeve në zbatim të Benchmark Agreement.
Komisioni diskutoi edhe për punën e bërë në drejtim të hartimit të dy marrëveshjeve në zbatim të marrëveshjes mbështetëse mes Këshillit të Ministrave dhe kompanisë TAP AG. Marrëveshjet kanë të bëjnë me angazhimin për zhvillimin e tregjeve të gazit dhe marrëveshja për përfitimet vendase. Nga ana e MEI është kërkuar dhe po punohet me shumë impenjim lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve. Një tjetër pikë e diskutuar kishte të bënte me krijimin e një Komisioni për menaxhimin e çështjes se blerjes/marrjes me qera te tokës ku do te kalojnë rrugët hyrëse të projektit TAP.
Me miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit të Lejes Zhvillimore Komplekse të përgjithshme për punimet ndërtimore për projektin TAP (Vendimi i KKT nr. 1, datë 08.04.2014), i është hapur rrugë vazhdimit të procesit për ndërtimin e rrugëve hyrëse për projektin TAP, që përbën edhe Fazën e Parë në realizimin e punimeve ndërtimore për këtë projekt. Në këtë kuadër kompania TAP AG ka paraqitur në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI), kërkesën për vazhdimin e procedurave në procesin e ndërtimit të rrugëve hyrëse, përsa ka të bëjë me: përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM ''Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që do të përdoren nga shoqëria TAP AG për ndërtimin e rrjetit rrugor'', dhe përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM ''Për ndryshimin e statusit nga tokë bujqësore në tokë truall për ndërtim, për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi prej shoqërisë TAP AG të rrugëve të kalimit (ndihmëse) të projektit TAP''. Procedimi i mëtejshëm do të vazhdojë me përgatitjen dhe miratimin e dy projekt-VKM-ve lidhur me sipërfaqet e tokave (pyjore, kullosore dhe bujqësore) që do të përdorin për ndërtimin e rrugëve ndihmëse për projektin TAP, si dhe me përcaktimin e hapave për blerjen/ shpronësimin e sipërfaqeve nga ana e kompanisë TAP AG me ndërmjetësimin e strukturave shtetërore.