Albpetrol-i ka derdhur sot në buxhetin e shtetit shumën e 5 milionë dollarëve për dividentin e grumbulluar ndër vite. Kjo është shuma më e madhe e kaluar në favor të buxhetit nga shoqëria Albpetrol sh.a, gjatë 10 viteve të fundit. Në grafika paraqitet prodhimi i naftës gjatë 4 muajve të fundit, si dhe prodhimi i naftës në tonë për vitin 2014, i ndarë sipas 3-mujoreve.
Siç shikohet edhe në grafika, prodhimi i naftës gjatë 3 muajve të fundit është rritur me 31.6%. Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga Albpetrol, kjo kompani nga sot ka nisur të paguajë dividentin që i detyrohet shtetit shqiptar për fitimet e viteve të kaluara.
Kësti i parë prej rreth 5 milionë dollarësh është derdhur sot në buxhetin e shtetit për llogari të Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në total dividenti që shoqëria Albpetrol sh.a i detyrohej shtetit shqiptar në fund të vitit 2013 ishte rreth 30 milionë dollarë. Albpetrol deklaron se me pagesën e kryer sot, borxhi ndaj shtetit shqiptar është ulur në rreth 25 milionë dollarë. Bazuar në parashikimin e bërë për vitin 2014, Albpetrol sh.a parashikon shlyerjen e të gjithë detyrimit prej rreth 25 milionë dollarësh brenda këtij viti.