Kompania Albetrol ka përmirësuar performancën në thuajse të gjithë treguesit e punës së saj. Kjo del nga rezultatet që u evidentuan në analizën vjetore për vitin e kaluar. Treguesi kryesor është rritja e prodhimit të naftës nga shoqëria Albpetrol sh.a, e cila më datë 1 tetor u gjet në shifrën 80.5 tonë/ditë, por deri më datë 31 dhjetor 2013 u arrit të rritej prodhimi ditor në shifra 104 tonë/ditë, ndërsa më datë 20 Shkurt 2014 prodhimi ditor ka arritur në shifrën 110.2 tonë/ditë.
Shifrat janë bërë të ditura në analizën vjetore të punës së kompanisë, e cila për vitin 2013 realizoi një fitim në shumën 17, 640, 000 USD. Të ardhurat e shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2013 ishin 60, 340, 000 USD dhe shpenzimet e shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2013 ishin 42, 560, 000 USD. Gjatë vitit 2013 shoqëria Albpetrol sh.a ka realizuar investime në shumën 1, 960, 000 dollarë amerikanë.
Vendimet
Një nga veprimet e para ishte evidentimi i problematikës dhe marrja e masave për mos degradimin e mëtejshëm të shoqërisë, ndërsa personeli u detyrua të paraqitej rregullisht në qendrat e punës. U vunë në eficiencë puset e naftës duke bërë që prodhimi të rritej me 31.6%. U vendosën roje dhe masa mbrojtëse në godinat ekzistuese për të parandaluar vjedhjet.
Rezultatet ishin të menjëhershme dhe numri i vjedhjeve pësoi rënie drastike. U morën kontakte me kompanitë e marrëveshjeve hidrokarbure duke kërkuar pagesën e detyrimeve të prapambetura si dhe duke ushtruar kontrolle mbi deklarimet e shpenzimeve dhe prodhimit të naftës. Për herë të parë filloi monitorimi në terren i veprimtarisë së kompanive koncesionare.
Detyrimet
Për vitin 2013, shoqëria Albpetrol sh.a ka paguar ndaj buxhetit të shtetit shqiptar detyrime në shumën 33, 922, 000 dollarë amerikanë. Nga këto: sigurime shoqërore janë paguar në vlerën 4, 620, 000 dollarë, tatim mbi pagën është paguan në vlerën 2, 240, 000 dollarë, TVSH janë paguar 14, 140, 000 dollarë, tatim mbi fitimin, në shumën 4, 480, 000 dollarë, rentë minerare 6, 762, 000 dollarë dhe taksa të tjera janë paguar në shumën 1, 680, 000 dollarë. Veç kësaj është paguar edhe divident në shumën 5 milionë USD, në një kohë kur gjatë gjithë periudhës 8 vjeçare 2005-2013 është paguar divident vetëm 3 milionë USD. Albpetrol është zotuar që gjatë vitit 2014 të shlyejë 20 milionë USD nga shumat që i detyrohet buxhetit te shtetit ndër vite për dividentët e papaguar.
Debitorët
Albpetrol ka debitorë në masën 88 milionë dollarë, nga të cilët 79 milionë USD detyrime janë krijuar ne 10 vitet e fundit. Që prej muajit tetor 2013 janë nënshkruar marrëveshje për likuidimin me këste të borxheve për më shumë se 50 milionë dollarë dhe janë në ndjekje procese gjyqësore ose administrative për rikuperimin e rreth 29 milionë dollarëve.
Gjiknuri: Albpetrol për herë të parë kontribues për shtetin
Ministri Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i pranishëm në analizën vjetore të Albpetrolit, ka vlerësuar punën që është bërë nga kompania. “Është një gjë shumë e mirë që Albpetroli për herë të parë fillon të bëhet kontribuues në Buxhetin e Shtetit. Deri më tani, të ardhura ka pasur shumë, por ato janë shpërdoruar, janë përdorur në kurriz të interesit publik dhe të financave publike. Ju keni bërë shumë mirë që nëpërmjet auditimeve tuaja keni kallëzuar penalisht ata njerëz që vërtet kanë përgjegjësi për këto çka kanë ndodhur. Ajo që është kontribuar në këto 4 muaj në Buxhetin e Shtetit, 5 milion dollarë divident, nuk është bërë i mundur për shumë vite me radhë. Mjafton kjo diferencë, për të treguar sesi është abuzuar me paranë në këtë ndërmarrje”-tha Gjiknuri. Ministria e Energjisë dhe Industrisë së bashku me strukturat përkatëse po punon për përgatitjen e një pakete që për herë të parë do të bëjë të mundur, pas gati 20 vitesh, që këto blloqe t’i nxjerrë me konkurim.
"Deri tani është ndjekur një praktikë, që do të thoja jo shumë transparente, që negociohej me një shoqëri të vetme dhe shpeshherë kontratat e naftës kanë qenë objekt interpretimesh politike, objekt me të drejtë sulmi për shkak të mungesës së transparencës dhe shpeshherë kanë rënë në duart e investitorëve spekulantë. Nuk mund të ndodhë që vjen një shoqëri që ka marrë përsipër që të zhvillojë një fushë nafte dhe të mos ketë paratë e duhura për të investuar. Ka një gjë të rëndësishme, ju e dini shumë mirë, sepse ju jeni ekspertë, pjesa më e madhe e juaja janë inxhinierë të vjetër, nëse ka një sektor që kërkon kapital dhe investime, ai është nafta".-tha Gjiknuri