Alegri Me 2-3 blerje Juventusi mund te synoje tripleten

Alegri: Me 2-3 blerje, Juventusi mund të synojë tripletën

Këtë sezon bëmë historinë, por vitin e ardhshëm duam të shndërrohemi në një legjendë të gjallë". alegriMasimiliano Alegri është i ekzaltuar pas rinovimit të kontratës me Juventusin deri në vitin 2018, prandaj duke parë se përpara tij ka të paktën edhe dy vite të tjera punë me ekipin bardhezi, 48-vjeçari kërkon të rrisë pretendimet dhe t'i nënvizojë ato pa frikë:

"Si e shoh veten time në dy vitet e ardhshme? Nuk e di, unë thjesht shpresoj që të qëndroj në këtë klub edhe për të paktën 10 apo 20 vite. Ndoshta 20 jo, sepse do të isha aq i vjetër sa të më tallnin... Fundja, trajnerët shkojnë e vijnë, por klubi mbetet. Dhe jo më kot Juventusi ka fituar gjithmonë, me Kapelon, me Lipin, Konten dhe tashmë edhe Alegrin. Do të ishte një mendjemadhësi nëse dikush merr përsipër sukseset e kësaj skuadre", bën hyrjen e tij Alegri.

Legjendë dhe tripletë

Ndërsa nga ky sezon kanë mbetur vetëm për t'u mbyllur ceremonia e titullit dhe ndoshta edhe festa e finales së Kupës së Italisë, trajneri bardhezi nis të shohë nga e ardhmja.

"Sezoni i ardhshëm do të jetë ai më i rëndësishmi dhe më i vështiri për ne. Pikësëpari do të luajmë për t'u shndërruar në një legjendë të gjallë, për të kërkuar titullin kampion të gjashtë radhazi, diçka që nuk e ka arritur askush në Itali. Por në të njëjtën kohë vitin e ardhshëm duhet të bëjmë edhe një aventurë heroike edhe në Champions. Ndonëse Europa është e çuditshme, mjafton të shohësh atë që i ndodhi Kingslej Komanit disa ditë më parë: kundër Atletikos gaboi tre krosime nga tre që bëri, ndërsa kundër nesh, në 'Allianz Arena', të vetmin kros që lëshoi e dërgoi të saktë, falë të cilit Bajerni i Mynihut barazoi dhe më pas na eliminoi.

Gjithsesi unë dua të theksoj se Juventusi im është në nivelin e Atletikos, Bajernit, Realit dhe Barcelonës. Prandaj nuk shoh se përse një futbollist i yni, nga grupi aktual, mund dhe duhet të kërkojë që të largohet nga Juventusi, - vazhdon analizën e tij Masimiliano Alegri, i cili në lidhje me merkaton i ka idetë e qarta. - Me drejtuesit nuk kemi folur ende për merkaton e verës. Duam të përfundojmë sa më mirë që të jetë e mundur kampionatin dhe sezonin me finalen e Kupës së Italisë.

Por ndërkohë unë jam duke shqyrtuar skuadrën dhe mendoj se për sezonin e ardhshëm do të kemi një grup prej 23 lojtarësh, me të cilin, nëse arrijmë që t'i shtojmë 2-3 futbollistë që unë kam në mendje, besoj se mund të jemi aq të fortë sa të synojmë jo vetëm konfirmimin në Itali, por ndoshta mund të bëjmë edhe tripletën. Pogba dhe Morata duhet të qëndrojnë? E thashë edhe më lart, Juventusi është një klub elitar, ndaj nuk shoh pse dikush duhet të kërkojë të luajë diku tjetër. Me ta nuk kam folur për merkaton, por unë dua që të qëndrojnë. Ndërsa Pol e ka treguar tashmë, Alvaro duhet të gjejë edhe pak ekuilibër psikologjik dhe do të jetë një lojtar fantastik. Verona përshëndet Tonin? Luka është një kampion i madh, por ne duam të fitojmë".

Përgatiti: JETON STAMOLLA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama