Aleks Buda ishte adhurues i Tolstoit

Aleks Buda ishte adhurues i Tolstoit
INTERVISTA/ Flet e bija e Prof. Doc. Aleks Buda, Tatjana Haxhimihali
Babai ishte zgjedhur në kryesinë e Shoqatës botërore të historianëve
Së shpejti në botim takimet e Budës me F. J. Shtraus që e shoqëroi në dy udhëtimet


Aleks Buda lindi në Elbasan (Shqipëri) në vitin 1911 dhe vdiq në Tiranë në 1993. Është shkolluar në Itali dhe Austri. Krijoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe njëkohësisht u zgjodh kryetari i parë i saj në 1972.Pasi kryen studimet e mesme dhe të larta në Vienë për letërsi, ai fiton titullin profesor dhe bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe kryetar i saj që nga krijimi e deri në fund të jetës së tij. Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të Historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për entrogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, "Rrethimi i Shkodrës", e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1967. Aleks Buda eshte bashkautor i Vellimit te dyte te "Historia e Shqiperise",botuar ne vitin 1965. Por për jetën e panjohur të tij le të flasë vajza e tij Tatjana që tashmë po kujdeset për gjithë veprën e tij. Askush përveç asaj nuk i di anët apo veprat e panjohura të Aleks Budës, shkenëtarit që ngriti në këmbë Akademinë Shqiptare të Shkencave, poliglotit që habiti Minsitrin e Jashtëm gjerman Shtraus.

Si ka qenë babai juaj?

Im atë ka qenë njeri i gjerë, tolerant, siç thonë kolegët dhe njerëzit që kanë bashkëpunuar me të. Ai zemërimin nuk e njihte. Edhe në familje i tillë ishte. Kështu ishin edhe anëtarët e tjerë të familjes Buda. Dhe sot që jam nënë me fëmijë dhe gjyshe e mendoj dhe them se cili ishte ai faktor që i ka bërë këta njerëz të tillë? Që arrinin të ngjallnin respekt pa qenë autoritarë. Ishte Austria ku u shkolluan, apo traditat intelektuale e patriotike  familjare? Secila më vete, ndoshta dhe të dyja bashkë kanë krijuar njerëz të brumosur nga humanizmi e respekti për njeriun. Ashtu si edhe të tjerë miq e shokë të tij Çabej, Poradeci, Luarasi. Të gjithë ishstudentë të Austrisë dhe trashëgues traditash atdhetare në dhjetvjeçarët e parë të shekullit të kaluar.

Ju keni qenë bashkëpunëtore në mendime dhe në ide me atin tuaj?

Në të vërtetë unë nuk kam studiuar për histori, po për gjuhë letërsi. Dhe sa ka qenë gjallë im atë nuk kemi bashkëpunuar, sepse kam qenë e angazhuar në drejtime të tjera. Por pas vdekjes së tij, duke parë se disa nga punimet e tij vërtet me vlerë kishin mbetur pa botuar iu vura punës për botimin e veprës së plotë të Aleks Budës. Natyrisht jam konsultuar edhe me historianë për të qenë sa më e saktë, kam përkthyer materiale që janë shkruar drejt për drejt në gjermanishte për shembull, duke u përpjekur për të bërë një punë të kujdesshme ezauruese qoftë përsa i përket anës sasiore dhe cilësore të materialeve. Sipas specialistëve është cilësuar një punë me vlerë. Mbi bazën e këtyre vëllimeve që u botuan me sukses edhe dy ekzistueseve të botuara më parë unë, së bashku me dy profesorë të Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, përgatitëm veprën e zgjedhur të Aleks Budës, një vepër voluminoze që u prit me interes (2006). Që të vazhdoj më tej për t’iu përgjigjur pyetjes suaj duhet të them se e kam dëgjuar dhe çmuar fjalën e tim eti, sepse ai kishte një mënyrë të foluri që të tërhiqte, plot mendim e zgjuarsi me sentenca, referenca, krahasime, epitete të goditura, sa shpesh të dukej sikur lexoje pjesë nga një libër i dashur. Ai për mua ka qenë mentor. Të kisha qenë me këtë pjekuri dhe eksperiencë që kam sot, atëherë, ndoshta mund të isha bërë bashkëpunëtore e përshtatshme për të. Por në kohët kur isha e re, vështirësitë për të rritur fëmijët dhe për t’ua plotësuar kërkesat nuk ishin të pakta për një nënë të ndërgjegjshme.

A ju ka folur babai juaj për takimet jashtë shtetit dhe ç’mbani mend në lidhje me këtë temë?

Me referatet, ligjeratat e tij në forume të ndryshme shkencore kombëtare e ndërkombëtare Aleks Buda ishte bërë i njohur brenda dhe jashtë vendit. Fakti që ishte zgjedhur në kryesinë e Shoqatës botërore të historianëve, nënkryetar i AIESEE, anëtar i jashtëm i Shoqatës së Studimeve për Evropën Juglindore me qendër në Munhen etj., tregon se e ka qenë i vlerësuar edhe në rrethet shkencore ndërkombëtare. Dhe të mos harrojmë që vinte nga një vend ultrakomunist...Në radhë të parë ai ishte një specialist i zoti në fushën e historisë. Gjë që ia kanë vënë në dukje edhe shumë kolegë të huaj. Jo vetëm me referatet, por edhe gjatë seancave të diskutimit në seksionet e historisë që janë zhvilluar gjatë mbajtjes së kongreseve ndërkombëtare (në Sofje, Bukuresht, Vjenë, Beograd, Bon, Ankara etj.) ai “shkëlqente me fjalën e tij plot erudicion të bazuar në një njohje të mirë të faktit historik dhe të historisë së vendit të vet, asaj evropiane dhe botërore”.

Im atë më ka treguar se në një takim postkongres që u bë në Beograd, Presidenti i Akademisë së Bosnjës, që e kishim lënë për t’u takuar, s’gjente radhë për ta përshëndetur. Më në fund kur arritëm të takohemi më tha: “Zoti Buda, me ju duhet mbajtur protokolli!”. Kam parë me sytë e mi se si sillte në shtëpi skeda me fjalë nga më superlativet ku të huajt shprehnin mbresat nga një ligjëratë a fjalë e tij për historinë, historinë e Shqipërisë dhe njerëzit e saj të shquar. Një herë kam parë të tilla fjalë të shkruara gjermanisht në një pecetë buke që i kishte shkruar një profesor gjerman për Aleksin, i mrekulluar nga gjermanishtja e tij, oratoria dhe njohuritë e tij. Më vjen keq që s’është ruajtur.

P.sh. më kanë treguar se kur një profesor gjerman ka dhënë konkluzionet e seancës së seksionit të historisë ka thënë: S’kam ç’të shtoj më shumë pas asaj që tha profesor Buda, veç po them fjalët që Fausti i tha Ëernerit: Me kaq merr fund! (nga prof. Jorgo Bulo në kongresin e Ankarasë) etj. etj.

Kam dëgjuar që keni shkruar një libër me kujtime për babanë tuaj, apo po shkruani? Si qëndron puna?

Është e vërtetë që kam shkruar një libër me kujtime me mbresa të tim eti për periudhën e fëmijërisë, rinisë dhe jetës së tij deri në kohën e luftës edhe periudhën e luftës brenda. Ky është botuar disa vjet më parë duke marrë vlerësime nga kritika dhe lexues të shumtë, bashkëkohës, kolegë të tij brenda e jashtë vendit. Po pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të tij si njeri dhe shkencëtar do  të shpaloset në një libër të dytë që jam duke e shkruar. Pothuajse po e mbaroj. Është në atë linjë që u nënvizua tani së fundmi në kumtesat e përgatitura me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij. Natyrisht lënda është trajtuar jo në një plan të ngurtë kronologjik e të mirëfilltë shkencor, po me një tush letrar-artistik dhe origjinal që t’i qëndroja sa më afër personazhit, figurës së tim eti, që kam pasur qëllim për ta përshkruar. Natyrisht duke u përpjekur shumë që t’i shmangesh subjektivizmit që ndjek autorin në raste si ky, kur bëhet fjalë për një njeri shumë të afërt.

Ku jeni mbështetur për këtë libër?

Jam mbështetur në radhë të parë në kujtimet personale, por edhe në korrespondencën e panumërt të tim eti, kryesisht në letrat që i vinin nga jashtë. Kështu jam njohur me aktivitetin dhe marrëdhëniet e tij me profesorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit me njerëz të thjeshtë që kanë lënë të dokumentuar ndjenja mirënjohjeje për “profesorin e nderuar”, “profesorin që m’u bë baba i dytë” etj. Kam përshkruar mbresa të tij nga takimet me burra shteti si F. J. Shtraus që e shoqëroi në dy udhëtimet që ai bëri në Shqipëri etj. Nuk po zgjatem më sepse duhet t’i lë surpriza edhe lexuesit për të zbuluar.

Po korrespondenca e Aleks Budës si është ruajtur?

Është ruajtur mirë në pjesën më të madhe. Po është krejtësisht e pasistemuar. Ai vetë nuk u mor me të sepse s’pati kohë. Deri në fund të jetës punoi me përkushtim për të ndjekur çdo hallkë të sistemit të Akademisë, siç doli edhe nga kumtesat e kolegëve në konferencën e organizuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij. Ishte organizator dhe ndjekës konsekuent i realizimit me eficencë të disa konferencave albanologjike të zhvilluara në Shqipëri.  Kanë thënë me këtë rast, se “nuk është rastësi që vatra e studimit të shkencave albanologjike u shpërngul nga jashtë në vendin tonë. Një meritë e padiskutueshme në këtë drejtim i përket padyshim prof. Aleks Budës”. Ai merrej edhe me kumtesat e punët e shumë kolegëve që i kërkonin ndihmë. Unë që e kam njohur tipin e tij e kam të qartë se përse korrespondenca e tij si dhe punë të tjera që do të dëshironte t’i rimerrte për t’i dhënë dimensionin e një monografie mbetën në dosje. Ai kishte mendimin se më mirë të kontribuonte për të përgatitur disa studiues që do të vlenin më shumë, sesa vetëm puna e tij. Kështu ishte mbrujtur Aleksi, adhurues i Tolstoit që në rininë e  vet.

Pas korrespondencës një temë më vete do të ishte edhe biblioteka e tij personale, që sipas amanetit të Aleksit ia kam dhuruar Bibliotekës Kombëtare. Po për këtë nuk do të dëshëroja të zgjatesha...

Babai juaj ka qenë i vlerësuar nga sistemi komunist?

Po ka qenë, po s’ka pasur trajtimin e funksionarëve të lartë të shtetit monist që rronin në Bllok, ndonëse ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave. Po e them jo vetëm unë, po kolegë të tij, siç doli edhe nga vlerësimet për veprën e Aleksit në konferencën e 100- vjetorit të lindjes, se ai, si “një personalitet i kulturës dhe shkencës shqiptare”, me përgatitjen shkencore të një niveli ndërkombëtar do të qe i vlerësuar kudo.

Si jeni ndjerë në aktivitetin e zhvilluar në Akademinë e Shkenave me rastin e 100-vjetorit të lindjes së babait tuaj?

U ndjeva shumë mirë. Ishte një aktivitet dinjitoz ku dolën më së bukuri në pah puna dhe vlerat e babait tim. Dua të theksoj se në këtë aktivitet erdhën dhe studiues të huaj si gjerman apo austriak që dhanë vlerësimet e tyre.

Midis të tjerave u përurua dhe busti i babait tuaj. Vlerësimet tuaja?

Ishte një punim i shkëlyqer. Dua të them se busti ishte bërë me profesionalizëm dhe me shumë dashuri. I jam mirënjohëse skulptorit që e realizoi.

Nga miqtë e babait kë do të veccoje?

Lasgush Poradecin. Edhe në dokuementarin e shfaqur me këtë rast dilte në pah dashuria dhe miqësia për të. Ata kishin marrë të njëjtën shkollë. E respektonin shumë njëri tjetrin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama