Debati në “Opinion” lidhur me çështjen Beccheti dhe burimin e financimit të 40 milionë eurove për ngritjen e televizionit “Agon Channel” ka prodhuar edhe disa shifra që lidhen me ofertat që pronari italian u kishte bërë emrave të njohur të ekranit.
Aleksandër Frangaj akuzoi Beccheti-n për prishje të tregut mediatik, me ofertat stratosferike ndaj gazetarëve, raporton Respublica.
Për këtë ai solli si shembull ofertën prej 500 mijë eurosh në vit, që sipas tij, Beccheti i bëri prezantuesit Ardit Gjebra, por ky i fundit, sipas Frangajt, refuzoi.
Një ofertë e ngjashme i është bërë sipas Frangajt, edhe Fatos Lubonjës, i cili në TV Klan paguhej me 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj.
Ndërsa lidhur me pretendimin se “Agon Channel” u godit për shkak se ishte i vetmi televizion opozitar në vend, Frangaj dha argumentin se kjo tezë nuk mund të qëndrojë pasi “Agon Channel” ka vetëm 0.7 përqind të audiencës, më pak se ndjekësit në “Facebook” të Luçiano Boçit, i cili ishte i pranishëm në debat.