Nuk pati ndonjë figurë tjetër në historinë e Gadishullit Ballkanik që të mbërrinte në Europën Perëndimore një popullaritet kaq të madh pas vdekjes. Për shekuj të tërë ai qe figura simbol e luftës kundër turqve.
Biografia e tij u përkthye në shumë gjuhë, ai ishte heroi i veprave të shumta skenike, madje edhe i një opere të Antonio Vivaldit. Vetëm kur rreziku ushtarak që përfaqësonte Perandoria Osmane u tret njëherë e përgjithmonë, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, ra në harresë.
Në fund të shekullit 19 ai u rizbulua nga Lëvizja kombëtare shqiptare. Ndërsa përgjatë shekullit 20 vendin e personalitetit historik e zuri konstrukti ideologjik i një kulti nacional që gjatë erës komuniste nën Enver Hoxhën, të cilit Skënderbeun ia stilizuan si pararendës, mori trajta gati monstruoze.
Pasuesit dhe malet
Biografia e Skënderbeut e historianit të Europës Juglindore Oliver Jens Schmitt, i cili është profesor në Vjenë, ia arrin që ta çlirojë sërish figurën historike. Schmitti mbështetet mbi material dokumentar të zbuluar në dhjetëvjeçarët e fundit në arkivat e disa vendeve, në njohjen e thellë të literaturës përkatëse si dhe njohjen e mirë të vendeve ku u zhvilluan ngjarjet e atëhershme, të arritur nëpërmjet disa udhëtimeve.
Në biografinë e tij, që është e goditur edhe në pikëpamjen gjuhësore, Schmitti nuk kufizohet në përvijimin e jetës së Skënderbeut, porse heton edhe karakteristikat strukturore të kryengritjes së udhëhequr prej tij: pasuesit nën një prijës karizmatik, idealet heroike te një shoqëri, natyrë e klimë malore, aspektet ekonomike, mënyrën e luftimit, si dhe dimensionin fetar.
Në këtë mënyrë ai ia del që t'i shpalosë lexuesit një tablo të gjerë të asaj epoke. Në Shqipëri, ku ky libër është botuar qysh në fund të vitit 2008, u ndez një fushatë e furishme prej atyre personave që panë t'u rrezikohej monopoli i interpretimit mbi historinë shqiptare. (shih NZZ dt. 18.3.2009)
Familja Kastrioti ia arriti rëndësisë së vërtetë vetëm nën të atin e Gjergjit, Ivanin, kur ky u forcua si zot i krahinës së Matit, në veriperëndim të Liqenit të Ohrit. Kjo krahinë ndodhej në një zonë tranzitore mes trevave arbëre dhe atyre sllavojugore.
Nëna e Gjergjit Vojsava vinte nga një familje fisnike serbe. Më 1423 Ivan Kastriotit iu desh t'ia dorëzonte sulltanit Murati II Gjergjin dhe djemtë e vet të tjerë si pengje të besnikërisë së tij. Në oborrin e sulltanit Gjergji u kthye në musliman dhe bëri karrierë në shërbim të tij. Shumë shpejt do bëhej i njohur nën emrin "zoti Aleksandër" - Skënder-bej.
Mirëpo njëzet vjet më vonë u rikthye në krishterim në mënyrë demonstrative dhe lidhi me fisnikë të tjerë në atdhenë e vet një aleancë kundër sundimit osman. Sikurse njofton një dokument i kohës, gjakmarrja ishte motivi i mirëfilltë për luftën e tij: Murati ΙI kishte vënë të vrisnin Ivan Kastriotin.
Lufta gati njëzetepesëvjeçare e Skënderbeut nuk ishte një "qëndresë kombëtare". Ndër pasuesit e Skënderbeut bënin pjesë arbër, sllavë të jugut, arumunë. Ai u përkrah në mënyrën më të vendosur nga kleri katolik, edhe pse shumica e luftëtarëve të tij barinj e fshatarë ishin të krishterë ortodoksë.
Nëse pati ndonjë fill lidhës midis kryengritësve, ky ishte besimi i krishterë, megjithatë nuk ndodhi një kryengritje e përgjithshme e të krishterëve, pasi në kampin tjetër kundër kryengritësve luftonin jo vetëm muslimanë por edhe të krishterë. Arbër kishte në të dyja kampet, shumë syresh ndërronin flamurë sipas interesave.
Pararojë kundër osmanëve
Në qytetet e mëdha lufta e Skënderbeut nuk gëzoi përkrahje. Qytetarët parapëlqenin rrethanat e stabilizuara që i garantonte administrata osmane ose venedike; veç të tjerash, ata shihnin të rrezikuara rrugët e lira tregtare.
Kurse fisnikët e përfshirë në kryengritje në thelb kërkonin të rikthenin gjendjen anarkike që kishte mbizotëruar në këtë rajon prej shpërbërjes së Perandorisë serbe në gjysmën e dytë të shek. 14 e deri në konsolidimin e sundimit osman rreth viteve 1430. Por as ata nuk ishin vërtet të gatshëm t'i nënshtroheshin Skënderbeut.
Faktorë të rëndësishëm ishin shtetet italiane të Venedikut dhe Napolit. Mirëpo rivaliteti i tyre për epërsi në Adriatik tek e fundit do të bëhej fatal për Skënderbeun, po ashtu si dhe varësia e tij e njëanshme prej politikës së shteteve italiane.
Qëndrimi i Venedikut ndaj tij, megjithë aleancat e përkohshme, karakterizohej prej mosbesimit. Kurse një lidhje e ngushtë do të ekzistonte midis Skënderbeut dhe mbretit të Napolit Alfonsi V, vasal i të cilit ai u bë në vitin 1451.
Ndihma napolitane kishte rëndësi të madhe për Skënderbeun, i cili aq shumë ndihej i detyruar, edhe ndaj të birit të Alfonsit dhe pasuesit të këtij, Ferrantes, saqë shkoi ta ndihmojë personalisht me forcë ushtarake në vitin 1461 në konfliktin e këtij me derën e Anzhuve për kurorën e Napolit.
E rëndësishme ishte edhe mbështetja financiare nga papët; për ta Skënderbeu ishte figura qendrore e një kryqëzate të përgjithshme europiane kundër osmanëve.
Kryengritësit arritën të rezistonin aq gjatë pasi më së shumti përballeshin me sundues lokalë osmanë.
Ushtrinë e madhe të sulltanëve ata në thelb e prisnin vetëm në muajt maj e qershor, kur kjo mbërrinte pas marshimesh të gjata, e pastaj i duhej të tërhiqej sërish për shkak vështirësish në furnizime.
Gjatë kësaj periudhe treva e sundimit të Skënderbeut tkurrej në krahinat malore e pyjore të Arbërisë së mesme, të zorshme për t'u depërtuar, për t'u shtrirë përsëri më pas.
Prej verës së vonë e deri në pranverë ishte thuajse i patrazuar; periudha edhe më të gjata frymëmarrjeje kishte kur sulltani bënte luftëra në vende të tjera. Ishte një mënyrë ekzemplare e luftës asimetrike. Skënderbeu u shmangej betejave të mëdha sikurse rrethimeve, duke zhvilluar një luftë vazhdimisht në lëvizje.
Hero tragjik
Tek e fundit sulltani Mehmet ΙI i kuptoi shkaqet e dështimeve osmane dhe në vitin 1466 e ndërroi strategjinë.
Ushtria osmane tanimë nuk vinte në verë, por erdh e u ngul në vend dhe zuri të shkatërronte në mënyrë sistematike bazat jetësore të sundimit të Skënderbeut në malësi. U bënë shkrumb e hi fshatrat e Arbërisë së mesme, banorët e tyre në pjesën më të madhe u vranë ose u deportuan. Kur vdiq në janar 1468 Skënderbeu, ora e disfatës së tij kishte rënë.
Arbër të shumtë u arratisën drejt Italisë, ndër ta edhe gruaja dhe djali i Skënderbeut, të tjerë u tërhoqën në malet e Arbërisë së veriut, ku dalëngadalë ndodhi një përtëritje e shoqërisë tradicionale fisnore e cila kohët e fundit ishte dobësuar.
Ngadhënjimi osman do të përbënte për trevat arbëre një vijë ndarëse të thellë demografike dhe kulturore. Gjergj Kastrioti në fund të fundit, dhe këtë kjo biografi e bën të qartë, ishte figura heroike dhe njëkohësisht tragjike e një periudhe kthese në Europën Juglindore.
Ekkehard Kraft
Nga : Gazeta Shekuli