Alergjite ushqimore

Alergjite ushqimore
Ekspertët më të mirë të gjithë Europës kanë diskutuar këto ditë për problemin e intolerancës ushqimore dhe pasojave të saj. Një studim ka treguar se si vetëdija e këtij shqetësimi (edhe për shkak të prindërve), kushtëzon jetën sociale të më të vegjëlve.

Varin turinjtë kur prindërit i çojnë në restorant, mërziten për ndonjë ekskursion me shkollën, trishtohen nëse ndonjë mik i tyre i fton në festë. Edhe nëse pranojnë të shkojnë, e bëjnë vetëm për t’i bërë qejfin mikut të tyre, por struken në një cep dhe kanë dëshirë të madhe për t’u kthyer me vrap në shtëpi. Nuk janë fëmijë të prekur nga depresioni apo fëmijë të pasocializuar. Ata që refuzojnë të mos pranojnë ftesën dhe kanë frikë të ulen në tavolinë me miqtë, janë fëmijët alergjikë nën moshën 18 vjeç; adoleshentë, por edhe fëmijë të vegjël ende në kopsht apo shkollë fillore, të ndërgjegjshëm për rrezikun që u kanoset nëse përtypin ndonjë kafshatë të ndaluar.

 Të trembur nga shqetësimet e nënave apo të influencuar nga rekomandimet e të atit, fakti është se janë gjithmonë nën presion, të paktën nga pikëpamja psikologjike.  Ata që kanë vizatur profilin e alergjikëve minorenë kanë qenë ekspertët e Akademisë Europiane të Alergjisë dhe Imunologjisë Klinike. Ky studim i specializuar ka monitoruar sjelljen e 107 pacientëve të vegjël dhe nënave të tyre. Fëmijët u ndanë në dy grupe: në të parin u përfshin 72 fëmijë me moshë nga 0 deri në 5 vjeç, i dyti me 35 fëmijë nga 6 deri në 11 vjeç. Ashtu siç tregon psikologia Laura Polloni dhe dietologia Alice Toniolo, që kanë bashkëpunuar në këtë studim, janë pikërisht këto të fundit grupmoshat më të rrezikuara ndaj alergjisë ushqimore: “Edhe pse kanë më shumë raste për të ngrënë jashtë shtëpisë, 23 për qind ka treguar se nuk ka aspak kuriozitet për të provuar ushqime të reja në krahasim me më të vegjlit.

Disa prej tyre, thonë ekspertet, përfundojnë duke u izoluar nga bashkëmoshatarët dhe një në pesë fëmijë nuk merr pjesë në çdo lloj feste”. Kërkimi ka provuar të interpretojë sjelljen e fëmijëve alergjikë ndaj ushqimit. Në këtë mënyrë u bë e mundur të përcaktohej influenca e patologjisë në cilësinë e jetës në përgjithësi. Fëmijëve dhe nënave (që shpesh u përgjigjën për më të vegjlit), iu dorëzua një pyetësor me pyetje të ndryshme mbi treguesit e cilësisë së jetës. Për shembull, për aktivitetet shkollore, për sportin, për festat, mbi shpeshtësinë e vakteve në restorant. Por, edhe lajmet specifike mbi gjendjen e  tyre emocionale, kur dhe si ndihen të trishtuar.

“Në përgjigje, rreth 71 për qind fliste për një dietë monotone shumë të kufizuar si pasojë e alergjive, ndërsa disa të tjerë nënvizuan vështirësinë për përgatitjen e pjatave të ndryshme pa asnjë rrezik. Gjithsesi, është arritur në konkluzionin se shumë pak industri ushqimore janë shqetësuar të prodhojnë ushqime për alogjikët”.

Po ashtu, shqetësues është fakti se një fëmijë alergjik në dhjetë të tillë preferon të heqë dorë nga aktiviteti fizik në emër të alergjisë. Sipas mjekëve, është parë se shumë prej të vegjëlve e kanë të vështirë të pranojnë se vuajnë nga një sëmundje e tillë, ndaj gjithmonë e vuajnë këtë fakt. “Një alergji ushqimore ndikon në zgjedhjet e çdo dite. 17 për qind e fëmijëve, pavarësisht moshës, eviton festat shkollore vetëm nga frika se mos bie në kontakt me ushqimet e ndaluara. Po ashtu, shumica e tyre nuk i hanë asnjëherë ushqimet në shkollë”. Frika është e pranishme në çdo moment të jetës së tyre dhe u takon nënave të jenë shumë të kujdesshme për këtë aspekt, të paktën derisa fëmijët të rriten e të bëhen të ndërgjegjshëm. “Një gjendje e vazhdueshme alarmi, që sigurisht nuk e favorizon mundësinë për t’u rritur dhe jetuar eksperiencat e jetës njëlloj me bashkëmoshatarët e tyre”, - shprehen specialistët.

Si të mbrohemi

Nga alergjitë ushqimore më shumë preken fëmijët e vegjël, por aktualisht, mjekë dhe kërkues amerikanë e kanë ridimensionuar frikën nga ushqimi, duke rivendosur kufijtë e një ankthi që është shpërndarë drejt asaj që hamë. Mjekët thonë se, edhe pse këto lloj alergjish ekzistojnë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj diagnozave sipërfaqësore dhe atyre të pasakta. Një artikull i publikuar në “Wall Street Journal” tregon kërkimet e fundit dhe se si në shumë raste alergjia është vetëm një formë e ndjeshmërisë së organizmit, që nuk përbën rrezik. Për më tepër, aty shpjegohet me hollësi rreth kësaj sëmundjeje, që çuditërisht prej kohësh e cilësojmë si shumë të rrezikshme, edhe pse nuk kemi thuajse asnjë lloj informacioni. “Journal of Allergy and Clinical Immunology” shkuan rreth një studimi të bërë në Mançester, në Angli: 79 fëmijë kishin rezultate pozitive në testet për alergjinë nga kikirikët, por pas studimeve më të hollësishme u zbulua se 66 prej tyre mund t’i hanin këto produkte pa pasur asnjë problem në organizëm.

Mjekët e Shoqatës Amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë kanë treguar se në 125 pacientë, më shumë se gjysma e tyre mund të toleronte ushqime që mendonte se duhej t’i shmangte. “Kur nisa të bëja këtë punë, detyra ime kryesore ishte të bindja familjet që të mos i jepnin për të ngrënë një ushqim të caktuar fëmijës së tyre. Tani përpjekja më e madhe është që t’i bëj këto familje ta rifusin atë ushqim në dietën e tyre”, - thotë Hugh Sampson, pediatër në departamentin e alergjisë dhe imunologjisë në Mount Sinai, një shkollë mjekësie në Nju Jork. “Edhe pse një test mund të dalë pozitiv, kjo nuk do të thotë se të gjithë janë alergjikë, sepse ky mund të jetë thjesht një reaksion biologjik. Për të ditur më shumë, shpesh duhet bërë një test që mjekët e quajnë test provokimi në një ambient të mbrojtur. Zakonisht, pozitiviteti është vetëm një vijë kufiri”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama