Ali Aliu Fshehja e kombesise se shqiptareve nje mashtrim

Ali Aliu: Fshehja e kombësisë së shqiptarëve, një mashtrim
"Nuk kam qenë ende në rrjedhë të këtij fakti, pasi disponoj pasaportën time të vjetër. Por sot jam informuar dhe nëse kjo është e fiksuar në këtë mënyrë në pasaportën e shtetasve me kombësi shqiptare të shtetit tonë, atëherë më duhet ta denoncoj si një mashtrim. Ky është mashtrim dhe për kësi mashtrimi unë nuk përtoj të reagoj. Natyrisht që kjo është fshehur nën gjuhën angleze në pasaportë. Por gjithsesi për këtë mashtrim duhet të reagojnë të parët kompetentët, ata që janë në institucione dhe përfaqësojnë shqiptarët në shtetin e Maqedonisë. Unë ju kujtoj se duhet të reagojnë ata që e kanë obligim, të shmangin pasaktësitë", tha dje për gazetën "Shqip", akademiku Ali Aliu.

Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar ashpër edhe Partia Demokratike Shqiptare, me anë të sekretarit të saj, Ernad Fejzullahu. Ai tha dje në një prononcim për gazetën "Shqip" se "kjo është pasojë e etnocentrizmit të shtetit maqedonas". Sipas zotit Fejzullahu, në Maqedoni ekziston një tendencë e rrezikshme për të paraqitur gjithçka "me prefiksin maqedonas".

"Ne nuk kemi vetëm problemin e pasaportave. Kemi problemin e televizionit shtetëror, që është tërësisht maqedonas. Kemi problemin e fëmijëve shqiptarë, që po duhet që në klasë të parë të mësojnë maqedonishten me detyrim. Ne kemi problemin që këtu edhe ajri po është maqedonas...", thotë sekretari i partisë më të madhe të shqiptarëve në opozitë. Për këtë situatë, përfaqësuesi i PDSH-së nuk harron të bëjë përgjegjëse edhe partinë shqiptare që është pjesë e koalicionit qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit. "Ky hegjemonizëm po zhvillohet edhe sepse lejohet nga partnerët shqiptarë të qeverisë së VMRO-DPMNE-së, megjithëse në fakt këtu nuk mund të flasim për partneritet, përderisa njëra palë vepron si do, ndërsa tjetra bindet", thotë zoti Fejzullahu.

Në këndvështrimin e tij dhe të PDSH-së, duke marrë parasysh edhe problemin e kontestit të emrit, situata në Maqedoni po rëndohet e po shkon çdo ditë e më afër kolapsit. "Për këtë arsye, ne po u ofrojmë shqiptarëve një marrëveshje politike. Po punojmë në terren për të lidhur një marrëveshje me 15 pika, ku përfshihen të gjitha problemet me të cilat përballen shqiptarët sot, duke filluar nga ndarja e buxhetit, deri tek identiteti kombëtar", thotë sekretari politik i PDSH-së.

Pasaportat e reja biometrike do të jenë dokumenti që do të lejojë që nga dhjetori i këtij viti shtetasit e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Por në këto dokumente, ndryshe nga pasaportat ekzistuese, nuk përcaktohet kombësia dhe të gjithë konsiderohen maqedonas, term ky aspak i pëlqyeshëm për shqiptarët, që janë etni shtetformuese në këtë vend.




Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama