Sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, studiuesit Aurel Plasari, pashallëku i Janinës kishte tërhequr vëmendjen e shumë historianëve, udhëtarëve apo aventurierëve dhe dëshmitë e tyre burimore të jashtëzakonshme, përbëjnë një bazë të mrekullueshme për të ndërtuar historinë e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe pashallëkut të tij. Sipas Plasarit, Ali Pasha, si produkt i asaj që quhet “anarki feudale”, mbart të gjitha veset dhe virtytet e kohës dhe autorët e veprat e shkruara për të ndahen përgjithësisht në dy “tabore”, ata shumë pro dhe ata shumë kundër. Sa i takon librit të akademikut grek, ai thotë se ai nuk është i pari për këtë figurë historike, por është i veçantë dhe nxit të lexuarin edhe për faktin se është shkruar me një stil të tillë, që i drejtohet jo thjesht kolegëve të tij, por edhe një mase më të gjerë lexuesish. “I ndikuar nga revolucioni francez dhe idetë e tij Ali Pashë Tepelena mund të përshkruhet edhe si një reformator i madh.
Një reformator politik, thelbi i së cilës ishte pavarësimi nga Sulltani dhe ambicia për një shtet me Kushtetutë dhe për këtë ai vuri njerëz për të studiuar modelet e kushtetutave të vendeve të tjera. Një reformator fetar që në territoret e tij u përpoq të zhdukte diferencat mes dy grupimeve të mëdha, “muhamedanëve” dhe “kaurëve”; reformator arsimor, prirja e të cilit ishte të grumbullonte intelektualë dhe dijetarë në oborrin e tij; reformator kulturor që organizonte gara sportive, shfaqje muzikore e teatrale dhe nxiti gërmimet arkeologjike”, tha Plasari.
Për studiuesin Moikom Zeqo, libri i Spiro Melas vjen në një kohë kur historiografia shqiptare është ende në paradhomën e studimit të një figure shumëdimensionale si Ali Pashë Tepelena. Sipas tij, ky libër është interesant jo vetëm sepse shkruhet nga një akademik grek, kur dihet se historiografia greke ka pasur shumë dilema për këtë figurë, por edhe për vërtetësinë e burimeve dhe komunikimin përmes një ligjërimi familjar që e bën atë më të afërm për lexuesin. Sipas botueses Irena Toçi, libri “Luani i Epirit – Ali Pasha dhe Suli”, është pjesë e kolanës historike që kjo shtëpi botuese do të botojë në vijim.
Ekspozita
Që nga Pukëvili, Bajroni, Ibrahim Manzour, tek autorët bashkëkohorë francezë, anglezë, italianë e grekë. Një pjesë e koleksionit të pasur me libra e gravura kushtuar Ali Pashë Tepelenës, nxjerrë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare, u publikua dje në ekspozitën “Autorë të huaj për Ali Pashë Tepelenën”. Sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, prej këtyre materialeve, që shtrihen përgjatë dy shekujve, zbulojmë se interesi i historianëve dhe studiuesve mbi Ali Pashë Tepelenën ka nisur qysh në periudhën kur ai ishte në ngritje e ende nuk kishte krijuar pashallëkun e tij të fuqishëm.