Ali Pashe Tepelena burre shteti apo bandit?

Ali Pashë Tepelena, burrë shteti apo bandit?
Kjo konferencë ishte më shumë një takim që përmes referateve dhe studimeve të mbështetur në dokumente arkivash theksonte rolin e Ali Pashë Tepelena, ende sot e kësaj dite mbetet një figurë e diskutueshme për historinë shqiptare. Informacionet e deri më tanishme kanë ardhur nga botimet e librave me shënime e kujtime të udhëtarëve bashkëkohës të tij apo të pak viteve më vonë.

Kryesisht në përshkrimet e tyre, me në krye Pukëvilin, veç drejtimit të Pashallëkut, flitet për një Ali Pashë Tepelenë mizor e kriminel. Cili ishte Ali Pasha, shtetar apo bandit? Një konferencë ndërkombëtare e organizuar pak ditë më parë në Tiranë, me pjesëmarrjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë, është nxitur nga qëllimi për t‘i "gjetur" vendin e duhur kësaj figure. Organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bajronit, Instituti i Historisë dhe universiteti "Ufo", kjo konferencë ishte më shumë një takim që përmes referateve dhe studimeve të mbështetur në dokumente arkivash theksonte rolin e Ali Pashës si burrë shteti, ndonëse gjatë konferencës u debatua për këtë përcaktim ndaj tij. "

Ndonëse Ali Pasha nuk kishte simbolet e një shteti (flamurin dhe himnin e tij) studimet e fundit e nxjerrin Pashallëkun e tij si një shtet të pavarur në fillesat e veta. Mjaft kumtesa të mbajtura në këtë konferencë e vërtetojnë rolin e tij si burrë shteti. Qoftë në pikëpamje të marrëdhënieve ndërkombëtare që nuk vareshin nga Porta e Lartë, të drejtimit të Pashallëkut, të politikës ekonomike, tregtare, arsimore e fetare që ndoqi brenda Pashallëkut të tij, tregojnë aftësitë e një burrë shteti dhe të drejtat ligjore që i kishte dhënë vetes. Librat që na kanë ardhur nga bashkëkohësit e Ali Pashës dhe pak vjet pas tij, nuk kanë qenë të mbështetur në dokumente.

 Për më tepër, përveç librave të Sabri Godos dhe Irakli Koçollarit, te ne mungojnë studimet e mirëfillta historike", shprehet profesor Afrim Karagjozi, organizator i konferencës. Referuar mungesës së studimeve, Karagjozi vë në dukje se ka ende dokumente që duhen parë për t‘i dhënë vendin e duhur Ali Pashës. Për këtë ai përmend se vetëm pak kohë më parë, në Greqi janë botuar katër vëllime që përmbajnë më shumë se 1400 letërkëmbime me personalitete të kohës dhe dokumente të tjera që, sipas tij, hedhin dritë mbi këtë figurë. Të njëjtit mendim i qëndron edhe studiuesi Dritan Egro.

Duke folur për fillimet e nacionalizmit shqiptar, që sipas tij i ka fillesat në Pashallëqet shqiptare e jo në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, referuar një letre të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë, dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit "për të diskutuar për avenirin e Shqipërisë, Egro shpjegon se veç marrëdhënieve ndërkombëtare, Pashallëku i Janinës ishte një institucion që kishte vendosur urat e njohjes dhe komunikimit mes elitës shqiptare.

 Por gjithsesi, ai sugjeron një studim të plotë të dokumentacionit për të arritur në përfundime historike. I ftuar i kësaj konference ka qenë edhe akademiku rus, Gregory Arch, i cili ka folur mbi marrëdhëniet sekrete të Ali Pashë Tepelenës me Rusinë, si një dëshmi e politikës së jashtme të pavarur të Ali Pashë Tepelenës.

Dr. Irakli Koçollari është ndalur mbi rolin që duhet të ketë në historiografi Ali Pasha; proto-nacionalizmin dhe efektet e tij në formimin e identiteteve kombëtare në pashallëkun e Janinës janë trajtuar nga studiuesi Dorian Koçi, Dr.Ramiz Zeka mbajti një kumtesë mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës nëpërmjet dokumentacionit turk dhe arab, studiuesja turke, Noura Bozbora, e ka parë figurën e Ali Pashës në periudhën republikane në Turqi, heraldika si element shtetformues është trajtuar nga studiuesi Gjin Varfi, ndërsa studiuesi nga Kosova, Shkëlzen Raça, është ndalur në marrëdhëniet e Ali Pashës me komunitetet e tjera në Pashallëkun e tij.

"Grupi akademik i konferencës do të bëjë përçapje në të ardhmen që ta nxisë shtetin shqiptar të bëjë diçka më shumë se monumenti që ka vënë në Tepelenë. Kjo figurë historike duhet të reflektohet ashtu si i takon edhe në tekstet tona të historisë të çdo niveli", shprehet karagjozi. Referatet e kësaj konference do të botohen në një vëllim anglisht dhe shqip.



Gazeta Shqip
Oliverta Lila

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama